Eksperti Ndriçim Mehmeti: Profesionet nuk i përgjigjen vendit të punës

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Pse te rinjtë duan te ikin me studime jashtë?

Një nga arsyet padyshim është shkollimi më i mirë, si dhe mundësitë për të qenë më konkurrues me një diplomë të fituar në vendet e BE-së apo në ShBA. Po aq i rëndësishëm është fakti, se jashtë vendit ata mund të punësohen më shpejt me paga më të mira dhe duke u vlerësuar për punën që bëjnë dhe arritjet që kanë në studimet e tyre universitare.

Pse janë të zhgënjyer të rinjtë, pasi shumë prej tyre e bëjnë këtë zgjedhje që në 9-vjeçare?

Mënyra e pranimit të maturanteve për studentë në vitin 2016, ishte kaotike, e pakuptueshme dhe tejet rraskapitëse me raundet që zgjatën pa fund. Shumë studentë u detyruan të regjistrohen në programet e studimit më pak të parapëlqyera. Nëse flasim konkretisht në vitin 2016, tek Universiteti i Mjekësisë në dy raundet e para rezultonin vende bosh në Farmaci, Stomatologji, Infermieri, ndërkaq që në Universitetet e rretheve nuk gjeje asnjë vend. Vlen të theksohet se në vitin 2016, tek Agjencia Kombëtare e Provimeve (sot Qendra e Shërbimeve Arsimore), kishin paraqitur kërkesë për tërheqjen e diplomës 6000 maturantë që dëshironin të vijonin studimet jashtë vendit. Ndërsa në vitin 2017, numri i tyre arriti në 7920, pra 33% më shumë se vitin e kaluar që përbën mbi 25% të numrit total të maturanteve që mbaruan studimet në 2017.

Disa thonë se nuk kane besim te ligjet e Ministrisë se Arsimit, duke iu referuar dhe rasteve qe shume te diplomuar kane ngelur pa pune?

Ligji i Arsimit të Lartë ka probleme të rënda dhe gjendja rëndohet më shumë akoma nga fakti se, ende nuk kanë dalë udhëzimet dhe aktet nënligjore që mundësojnë zbatimin e tij. Sa i takon punësimeve ajo duhet parë edhe në rrethanat në të cilat ndodhet vendi jonë, zhvillimi ekonomik, zgjerimi i tregut të shërbimeve etj.

Cilat janë problematikat punësimit?

Problematika e punësimit në disa raste ka të bëjë me faktin se ka diploma që nuk i përgjigjen vendit të punës, por ka edhe profesion. për shembull ne kemi nevojë për ndihmës mësues, por nuk kemi mjaftueshëm studentë të diplomuar në programin Pedagogji Speciale. Nuk kemi ende (në dijeninë time) babysiter të licencuar për këtë profesion. Po ashtu ka shumë pak mundësi punësimi, që në sektorin shtetëror merren prej atyre, që kanë lidhje politike me pushtetin. Për të mos harruar faktin se jetojmë në një periudhë të depresionit të shoqërisë shqiptare, për shkak të mungesës së theksuar të optimizmit për perspektivën e zymtë që ka vendi ynë. Ky është jo vetëm perceptim, por për fat të keq edhe realiteti që jetojmë.

A ofrojnë fakultetet kushte te mira për studentët?

Në përgjithësi janë bërë përpjekje për ofrimin e kushteve më të mira për studentët. Natyrisht që ka vend për përditësim të bazës materiale sidomos në programe të tilla, si: Inxhinieri Elektronike, Informatikë, etj. MASR duhet të ndihmojë dhe asistojë universitet në zgjerimin e kapaciteteve të tyre dhe pse jo edhe të investoj në këtë drejtim.

Një shqetësim i të rinjve është se shkolla po blihet me lekë, sa e vërtetë është?

Ka fakte të bëra me dije në gazeta e TV për ryshfet nga ana e pedagogëve, por nuk duhet të njollosen të gjithë. Duhet të ngrihen struktura të atilla të cilat të mundësojnë dënime të rrepta për këta pedagog, por duhet që edhe studentët të denoncojnë me kurajo këto raste. Janë jo të pakta rastet kur vetë studentët, gjejnë rrugën më të shkurtër për të marrë shkollën me lek, sesa të mësojnë.