Eksperti i INSTAT: Tatimeve u mungojnë 90 mln euro nga TVSH-ja, ulja e pragut nuk dha efekt

Studimi shkencor i Ermir Liços zbulon hendekun e një numri të madh transaksionesh dhe aktivitetesh që nuk janë tatuar. Duke analizuar të ardhurat në vitin 2015 dhe atë në vitin 2018 studimi del me konkluzionin se ndryshimi në kufirin e regjistrimit në TVSH në vitin 2018 nuk ka sjellë të ardhurat e pritura nga ndryshimi në bazën e tatueshme

Shqipëria, të paktën teorikisht, ka mundësi të arkëtojë nga TVSH edhe rreth 90 milionë euro, ose rreth 11 miliardë lekë. Ky vlerësim sasior është bërë nga një studim shkencor i INSTAT që mban autorësinë e ekspertit Ermir Liço, por jo qëndrimin zyrtar të institucionit.

Sipas matjeve të referuara në studim, hendeku i TVSH-së në vitin 2018 ishte rreth 11 miliardë lekë dhe në terma relativë është 7,75%. Hendeku përfshin një numër të madh të transaksioneve dhe aktiviteteve që duhet të tatohen, por për arsye të ndryshme, nuk janë tatuar. Duke analizuar hendekun e TVSH-së në vitin 2015 dhe atë në vitin 2018 studimi del me konkluzionin se ndryshimi në kufirin e regjistrimit në TVSH në vitin 2018 nuk ka sjellë të ardhurat e pritura nga ndryshimi në bazën e tatueshme.

Të ardhurat buxhetore nga TVSH janë rritur me vetëm 3,06% në vitin 2018 dhe hendeku ka rënë me rreth 1.39 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm. Por efekt negativ në të ardhurat e TVSH-së kishte edhe lehtësimi fiskal në sektorin e turizmit dhe zhvlerësimi i kursit të këmbimit.

Taksimi është një nga instrumentet më të rëndësishme fiskale dhe në shumë vende është zëri kryesor në të ardhurat buxhetore. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjeneron të ardhura të konsiderueshme, më shumë se një e pesta e të ardhurave totale tatimore në botë dhe është futur në rreth 140 vende. TVSH-ja paguhet vetëm për vlerën e shtuar në çdo fazë të prodhimit dhe shpërndarjes. Në këtë mënyrë, çmimi përfundimtar i produktit është i barabartë me shumën e vlerave të shtuara në secilën fazë të mëparshme.

Në Shqipëri, TVSH-ja është zbatuar për herë të parë në tremujorin e katërt të vitit 1995, duke zëvendësuar tatimin mbi xhiron që ishte më parë. Ekonomia shqiptare është e vogël dhe e ndërvarur nga importet, pjesa kryesore e TVSH-së paguhet për importet, afërsisht 75% dhe pjesa e mbetur mblidhet nga vlera e shtuar e brendshme.

Roli i kufirit të TVSH-së

Regjistrimi në skemën e TVSH-së shpesh imponon kosto administrative dhe financiare për bizneset dhe pragu më i lartë i regjistrimit të TVSH-së ndihmon në nxitjen e rritjes ekonomike sepse i mban bizneset e vogla larg këtyre kostove.

Ky përjashtim për bizneset e vogla e bën më të lehtë nisjen e sipërmarrjeve të reja ose startup-et, por ka evidenca se kufiri i TVSH-së siguron një frenim të rritjes ndërsa bizneset i afrohen atij. Nga ana tjetër, zvogëlimi i kufirit të regjistrimit në TVSH mund të çojë në ndryshimin e sjelljes nga biznesi, duke e zvogëluar artificialisht deklarimin e xhiros për të qëndruar nën kufirin, por ky është një çmim që vlen të paguhet për shmangien e shpenzimeve disproporcionale administrative për bizneset, edhe pse biznesi i vogël paguan një pjesë të vogël të të ardhurave totale, ku mund të aplikohet një normë e thjeshtuar ose 0%, por duhet futur nën skemën e TVSH-së.

Vlerësimi i hendekut të TVSH-së është bërë sipas metodës lart-poshtë bazuar në të dhënat e llogarive kombëtare, më saktësisht të tabelave të burim-përdorimeve. Bazuar në metodën lart-poshtë, TVSH-ja e pambledhur në Shqipëri, apo hendeku i TVSH-së, ishte rreth 11,11% e TVSH-së totale për vitin 2015. Pjesa më e madhe në të ardhurat totale teorike të TVSH-së (75,28%) e zë konsumi final, konsumi ndërmjetës në sektorët e përjashtuar përfaqëson 17,83% të të ardhurave totale teorike të TVSH-së dhe pjesa tjetër (6,89%) përfaqësohet nga ndërmarrjet nën kufi.

Në vitin 2018, hendeku i vlerësuar është i barabartë me 10.900 milionë lekë dhe në terma relativë është 7,75%. Llogaritjet bazohen në të njëjtat raporte të sektorëve dhe produkteve të përjashtuara, si në vitin 2015, me supozimin se nuk ka ndryshime strukturore në ekonomi dhe ndryshimet në vlerësimet mund të interpretohen nga ndryshimet legjislative të prezantuara në paketën fiskale të vitit si ulja e pragut të regjistrimit në TVSH, futja e TVSH-së 6% për Akomodimin dhe Agroturizmin dhe sjelljen e autoriteteve tatimore.

Implikimet e uljes së kufirit

Shumica e produkteve janë nën regjimin 20% që është shkalla standarde dhe ka disa kategori, të cilat janë të përjashtuara nga TVSH-ja ose jashtë fushës së TVSH-së. Shërbimet e akomodimit dhe agroturizmi kishin ndryshime në regjimin e TVSH-së në vitin 2018, ku janë futur lehtësime fiskale për këto aktivitete, me një ulje të normës së TVSH-së në 6%. Një ndryshim tjetër në legjislacionin e TVSH-së për vitin 2018 është ulja e pragut të regjistrimit të TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë dhe të gjitha profesionet e lira janë të detyruara të raportojnë, duke rritur numrin e bizneseve që janë të detyruar të raportojnë dhe të paguajnë TVSH.

Reduktimi i pragut të regjistrimit në TVSH ndikon në sjelljen e biznesit, duke kufizuar qarkullimin e tyre për të mbetur nën pragun apo më keq, duke filluar një treg informal të TVSH-së, nëse autoritetet tatimore nuk janë efikase.

Edhe FMN kundër uljes së pragut

FMN ka shprehur rezerva për efektin që ka sjellë në buxhet ulja e pragut të TVSH-së, për rikthimin e vonesave në rimbursimin e TVSH-së si dhe ka dhënë rekomandime për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të bizneseve. FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar në raportin e monitorimit të ekonomisë këtë vit. Sipas Fondit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo përbënte një rritje prej gati një të tretën në regjistrin e TVSH-së.

FMN thekson se zgjerimi i regjistrit të TVSH-së do të ketë ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT – dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave. FMN ka vlerësuar tatimet për kalimin me sukses të 13,000 mikrobizneseve në sistemin e TVSH-së në vitin 2018.

Por, Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi vendos një barrë të shtuar në DPT me kthim të vogël, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor. (FMN, ishte që në fillim kundër uljes së pragut të TVSH-së, pikërisht me argumentin se ai do të rriste ngarkesën për tatimorët, pa sjellë rritje të ardhurash – Shënim i Monitor).

FMN ka shprehur kritika dhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën, shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë”.

Deri në tetor, detyrimi i TVSh-së që duhet të rimbursohet ishte 14.4 miliardë lekë, me një rritje prej 3 miliardë lekësh vetëm në tetor. 26% e këtij detyrimi është për eksportuesit, ndërsa pjesa tjetër për projektet e mëdha për gazsjellësin, hidrocentralet dhe naftën. FMN ka vënë në dukje se niveli i borxhit tatimor është ulur, sidomos pas amnistisë fiskale, ndërsa saktësia e regjistrave është përmirësuar. Totali i detyrimeve të bizneseve ishte 107 miliardë lekë deri më 31 tetor 2018, krahasuar me 111.5 miliardë lekë në tetor 2017 dhe 147 miliardë lekë në 2016-n. 56% e detyrimeve i përkasin subjekteve pasive dhe FMN rekomandon që duhet një strategji për fshirjen e tyre.

Sistemi i ri i fiskalizimit, probleme pa fund

Drafti “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ashtuquajtur ligji i fiskalizimit synon që, duke nisur nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri-tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike. Drafti është në fazë konsultimi dhe komentet dhe vërejtjet për të kanë qenë të shumta dhe bizneset kanë kërkuar minimalisht një shtyrje të afatit të zbatimit.

Në komentet që bizneset kanë hartuar për t’ia dërguar Këshillit të Investimeve kanë konstatuar një sërë problemesh në projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”

-Së pari, është Koha dhe mënyra e implementimit. Fatura elektronike në vendet europiane është bërë e detyrueshme fillimisht për marrëdhëniet e biznesit me qeveritë. Më pas, vendet kanë zgjedhur të aplikojnë, fillimisht në mënyrë vullnetare, faturat elektronike, të cilat projektligji i referohet si pa para në dorë (B2B) dhe, si hap i fundit, faturat me para në dorë (B2C). Të njëjtën gjë, bizneset rekomandojnë dhe për Shqipërinë, ku ndryshe nga sa është parashikuar në projektligj, sugjerohet që implementimi për shitjet me para në dorë të jetë hapi i fundit.

-Nuk ka një analizë kosto-përfitim. Relacioni parashikon të shtohet dhënia e një sërë informacionesh dhe deklaratash të reja, si p.sh. vendndodhjet e ushtrimit të veprimtarisë, përfshirë edhe të dhëna të detajuara si orari i punës, ofruesi i internetit etj.; regjistrimin e operatorëve për lëshimin e faturave 24 orë përpara se të fillojë procesi, regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtjes së softëare, regjistrimin e blerjeve të mallrave në import, deklarimi i gjendjes së parave në fillim të ditës në arkë, etj. Bizneset vlerësojnë se të gjitha këto elemente do të vështirësojnë mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri. Biznesit do t’i duhet të shtojë procedura të cilat nuk kanë qenë thelbësore në mbarëvajtjen e aktivitetit dhe që nuk shihet të kenë vlerë të shtuar në procesin e fiskalizimit.

– ankesa ka dhe për kufirin ditor të limitit të arkës. Bizneset gjykojnë që këto nene janë të pazbatueshme për arsyet si më poshtë:

  • ka një numër të konsiderueshëm njësish administrative të cilat nuk kanë prani të asnjë dege të vetme bankare në territorin e tyre, çka praktikisht, e bën të pamundur aplikimin e këtyre neneve. Në shumë raste të tjera, fizikisht degët e bankave janë larg vendndodhjes së biznesit duke e bërë të pamundur zbatimin praktik.
  • në ligj nuk merren parasysh pagesat që bën me para në dorë biznesi, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të biznesit.
  • limitimet e vendosura do të krijonin kosto të shtuara për bizneset (kosto në kohë fizike, kohë pritje, kosto transporti, kosto të shtuara bankare, risk i shtuar, veprime fiktive depozitimi dhe tërheqje në të njëjtën kohë krejtësisht të panevojshme etj.)
  • sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë specifikat/karakteristikat e tyre dhe është e pamundur të përgjithësohen me 3-4 nivele limitesh.

-Neni 18 “Pajisjet fiskale dhe zgjidhja softuerike për zbatimin e procedurës se fiskalizimit”. Shumë tatimpagues, aktualisht kanë në përdorim softëare për regjistrimin dhe kontabilizimin e çdo veprimi financiar që shoqëria kryen (duke përfshirë fatura shitje dhe blerje). Pajisjet elektronike të faturimit apo zgjidhja e certifikuar softuerike që do të mundësojë lëshimin e faturës elektronike sipas parashikimeve të nenit 18, do të duhet të lidhet dhe integrohet me softëare që biznesi ka në përdorim.

Referuar përmbajtjes së projektligjit, rezulton se përveç numrit të faturës dhe numrit serial që përmbajnë aktualisht faturat tatimore, do të shtohen edhe numrat NIVF, NSLF dhe kodi QR. Sistemet softuerike që përdorin aktualisht bizneset kanë hapësirë të posaçme për regjistrimin e numrit të faturës dhe të numrit serial dhe nuk japin mundësinë për regjistrimin e numrave dhe/ose kodeve të tjera.

Në këto kushte, duke mos njohur zgjidhjen softuerike që do të aplikohet për lëshimin e faturës elektronike, është e paqartë nëse do të jetë e mundur lidhja dhe integrimi i këtij softueri me sistemet që bizneset kanë në përdorim pa implikuar kosto të konsiderueshme shtesë në ngarkim të subjekteve. Shumë prej ofruesve të shërbimeve për konsumatorët kanë sisteme të komplikuara të menaxhimit të klientëve (CRM) për të cilat modifikimi apo shtesa e moduleve kërkon kohë shumë më të gjatë sesa 2 – 3 muaj që parashikohet në projektligj.

-Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes. Referuar rregullimeve të këtij projektligji, rezulton se në platformën qendrore në llogari të tatimpaguesit do të regjistrohen të gjitha faturat e shitjes dhe të blerjes të tatimpaguesit dhe sistemi informatik i administratës tatimore do të gjenerojë një libër shitje dhe një libër blerje. Librat e shitjes dhe të blerjes duhet të shqyrtohen nga tatimpaguesi deri në ditën e 10 të muajit dhe ky i fundit ka të drejtë të bëjë ndryshime ose përditësime, nëse është e nevojshme përpara se të konfirmojë saktësinë e tyre.

I gjithë sistemi i faturimit që propozohet nëpërmjet këtij projektligji dhe procesi i regjistrimit të faturave paraqet paqartësi në lidhje me mënyrën se si subjektet do të pranojnë dhe miratojnë regjistrimin në librin e blerjes të faturës së shitjes që është lëshuar nga një subjekt tjetër tregtar;

Nga ana tjetër, ngarkesa e madhe e librave të shitjes ku do të regjistrohen të gjitha faturat e shitjes edhe në vlera shumë të ulëta që do të lëshohen nga pikat e shitjes me pakicë, e cila sjell për rrjedhojë ngarkesë pune më të madhe për subjektet në momentin e shqyrtimit të librave.

Duke pasuar parasysh, se me këtë sistem nuk do të ketë mundësi manipulimi apo lëshimi faturash pas ditës së fundit të muajit, data 10 mund të shtyhej të paktën deri në datën 20 të muajit pasardhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet