Eksodi 1991, anija “Vlora” kthehet në Portin e Barit, tani një sklupturë

nga Anila Dedaj

Ishte viti 1991 dhe për shqiptarët “Ëndrra amerikane”, ishte Italia. Dështimi i ekonomisë, rrëmuja, varfëria bënë që 20 mijë shqiptarë të linin vendin e tyre me anijen “Vlora”. Dëshira për një jetë më të mirë e mposhti frikën e rrezikut. Fëmijë, gra, të rinj e burra mbledhur strumbull në një mjet lundrimi që me kapërcimin e detit prisnin të kapërcenin jetën e vështirë. Komunizmi sapo kishte kapitulluar dhe etja për liri, demokraci e mundësi më të mira ishte e madhe. Kanë kaluar 27 vjet që kur shqiptarët zbritën në brigjet e Barit, duke ditur se çfarë lanë pas, por jo atë që i priste. Ndërsa, sot pothuajse pas tre dekadash në portin e Barit zbarkon një tjetër anije: “Anija e shpresës”. Bëhet fjalë për një skulpturë, si simbol i popullit shqiptar për pritjen që u bëri qyteti i Barit.

Ditën e djeshme u dorëzua kjo vepër arti e realizuar në metal nga artistja shqiptare Ledi Shabani, për të kujtuar zbarkimin anijes “Vlora” në 8 gusht të vitit 1991. Hyrja e ceremonisë me këndimin e dy himneve të flamurit, në fillim atë shqiptar e më pas himnin italian, reflektonte më së miri qëllimin e Ledi Shabanit, që kjo vepër arti të jetë një “urë” simbolike për dy popujt, atw italian dhe atë shqiptar. Artistja shqiptare është shprehur e emocionuar për këtë dhuratë që u bënë të gjithë qytetarëve të Barit, që pritën bashkatdhetarët e saj në një periudhë me vështirësi të mëdha. Ndërkaq, autoritetet vendase kanë vlerësuar veprën, e cila mbart një mori kuptimesh. Kjo vepër, prej ditës së diel, është vendosur në hyrje të Portit, i dhurohet qytetit nga shoqata “Noi che l’arte” e drejtuar nga Massimo Diodati. Është një ide e artistes Ledi Shabani, e diplomuar në degën e skulpturës pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Bari. Gjatë fjalës së saj artistja shqiptare u shpreh se mesazhi i kësaj vepre është një shenjë falënderimi, veçanërisht kundrejt qytetit të Barit. “Për të falënderuar popullin e Barit, që e kanë ndarë këtë eksperiencë, fenomenin e mbërritjes së anijes “Vlora” në vitin 1991”. Shabani u shpreh se pavarësisht moshës së saj të vogël asokohe, kjo vepër e saj tregon dëshirën për t’i dhënë diçka atij vendi, qytetit të Barit. “Mesazhi që dua të transmetoj është krijimi i një ure midis Italisë dhe Shqipërisë”.

Artistja shqiptare u shpreh se ishte e lehtë për të , diçka që vinte natyrshëm si dhe shprehu dëshirën që si kjo vepër të realizojë të tjera për të dhënë mesazhe falënderimi, apo për të kontribuuar në problematika të ndryshme. Ajo shprehet se të gjithë atë që ndodhi e ka përjetuar edhe vetë mes Shqipërisë dhe prezencës së saj në Itali që prej moshës 10-vjeçare. Në këtë event kanë qenë të pranishëm edhe qytetarë të tjerë nga Shqipëria që e kanë përjetuar eksodin me anijen italiane. Eva Karafili është njëra prej tyre, e cila për mediet italiane shprehet se vinin nga një vend i huaj dhe nuk njihnin asnjeri. Ajo është falë qytetarëve barezë që ia dolën mbanë. “Nëse nuk do të ishte për ata, unë as që nuk do të kisha mundur të qëndroja, sepse isha klandestine”. Ndërsa, sot ajo shprehet se ndihet si në shtëpi të saj. “Për ne, mbërritja e anijes ‘Vlora’, ishte si për Gjermaninë, rënia e Murit të Berlinit. Ishte një hapje drejt një bote të lirë dhe demokratike, dhe është falë politikës italiane që ka mirëpritur atë anije dhe të gjithë ata që kanë mbërritur gjatë atij eksodi ose më vonë. Është falë saj që sot janë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë me familjet e tyre dhe janë të mirëintegruara. Është krijuar një urë e madhe mes Italisë dhe Shqipërisë”, u shpreh Adrian Haskaj.

Reagimet për këtë vepër arti, kanë qenë pozitive. Gazetari Olti Buzi, i cili vepron në Itali ka shprehur optimizmin e tij për simbolikën që mbart kjo skulpturë në metal dhe mermer. “ Prej kohësh kam vënë re krijimin e një identiteti të ri, të diasporës shqiptare, që po rritet dalëngadalë larg vendit amë. E që ka për të qenë një qenie më vete, e ku do të identifikohemi me ne dhe ata. E ndoshta është e drejtë kështu. Sepse, andej s’ka përçapje të sinqerta për t’u ulur në një tryezë pa terminologji si tepsia. Anija ‘Vlora’ është ndoshta fillimi i një përpjekje për të zënë vendin tonë në histori”.

Historia tjetër e anijes “Vlora”, sipas gazetarit italian

Gazetari italian Corrado Giustiniani, ka shkruar një tjetër histori rreth asaj që ndodhi me anijen “Vlora”, e cila tregon se autoritetet refuzuan zbarkimin e pasagjerëve dhe bënë që shumica e tyre të riatdhesoheshin. Më 8 gusht të vitit 1991 anija “Vlora” mbërriti në Bari e tejmbushur me 14 mijë refugjatë. Ajo ngjarje shënoi, në të kundërt nga sa thuhet operacionin më të madh të riatdhesimit të forcuar të organizuar nga Republika Italiane. Anija shqiptare ishte marrë peng nga një turmë e madhe njerëzish në portin e Durrësit dhe komandanti, Halim Milaqi, i cili vinte nga Kuba me tonelata sheqeri të saposhkarkuara. Milaqi u detyrua të nisej përsëri kësaj here drejt Italisë. Këta njerëz po ia mbathnin nga varfëria, nga pasiguria ekonomike dhe nga kaosi politik që mbizotëronte në vend pas diktaturës komuniste. Në Shqipëri në vitin 1991, ishte në fuqi një qeveri teknike koalicioni, në të cilën ministra ish- komunistë përbënin maxhorancën. “Vlora” mbërriti fillimisht në Brindisi, por autoritetet vendase nuk u dhanë lejen për të zbarkuar, dhe atëherë anija u drejtua drejt Barit.

Kur mbërriti atje karburanti ishte thuajse në përfundim. Fotot e asaj që të jepte përshtypjen e një tregu të qeniesh njerëzore, asokohe bënë xhiron e gjithë botës. Lumi i refugjatëve sapo zbriti kërkonte ujë dhe bukë. Ishte ora 11.30. Policia vendosi që t’i çojë në stadiumin “Della Vittotia”, në pritje të një vendimi. Dhe urdhëri erdhi nga Roma, prej Xhulio Andreotit, nëpërmjet kësaj deklarate: “Nuk jemi absolutisht në gjendje të mirëpresim shqiptarët që zbarkuan në brigjet italiane dhe qeveria e Tiranës është dakord me ne që duhet të kthehen ne kombin e tyre”. Në stadium nis një qëndresë e vërtetë, më të rinjtë bëjnë demonstratë dhe rezistencë kundrejt policisë. Përleshje të ashpra zgjatën tre ditë, më të dhunshmet qenë ato të së dielës, më 11 gusht, me 40 të plagosur mes policisë dhe një numër i pacaktuar mes protestuesve. Shqiptarëve u jepet ushqimi dhe uji nga qielli, më thasë të hedhur nga helikopterët. Janë skena Apokalipsi. Ndërkohë, kishte nisur operacioni i kthimit të tyre. Morën pjesë 11 avionë ushtarakë dhe disa anije të tjera që urdhëri të përmbushej.

Madje pati edhe një “protestë” nga kryebashkiaku i Barit për mënyrën e organizimit, vonesat dhe mungesën e vëmendjes në aspektin njerëzor të këtij problemi. Mirëpo presidenti i vendit e kërcënoi se do ta shkarkonte nga detyra. Pak më vonë qeveria publikon shifrat e saj ku thuhej se u riatdhesuan 17.700 shqiptarë. Përveç 14 mijë refugjatëve të anijes “Vlora”, ka edhe zbarkime të tjera në të njëjtën ditë. Korrespodenti nga “Messagero”, Marco Guidi hipën në anijen “Tiziano” së bashku me 600 shqiptarë, të cilët mendonin se do të transportoheshin në Venecia. Sapo mbërritën në Durrës, Guidi vuri re kamionët që morën ushtarakët e arratisur, që në fakt qeveria Andreotti i kishte lejuar të qëndronin në Itali. Ministri i Jashtëm i Italisë asokohe, Xhani De Mikelis fluturon për në Tiranë dhe bën me dije një plan ndihme për të gjithë, edhe pse qeveria nuk la më asnjë të nisej: Italia do të jepte 90 miliardë lira për ushqime, 60 për rinisjen e ndërmarrjeve industriale, furnizim për të bërë të mundur rihapjen e shkollave dhe bashkëpunim në sferën e rendit publik. Polemikat rreth operacionit të sapo konkluduar do të përfundonin në Parlament. Qeveria mbron linjën e ndjekur, pa të cilën do të mund të ishte hapur një “humnerë”. Kjo është e vërteta e fakteve, që askush sot nuk mund t’i ndryshojë. Megjithatë, në ato vite, Italia në përgjithësi dhe Puglia në veçanti dhanë prova shumë të mëdha mikpritjeje. Më pas mes Romës dhe Tiranës do të lidhet një marrëveshje model, e cila arriti të lehtësojë emigracionin e rregullt të shumë shqiptarëve. Por historia e anijes “Vlora” është kjo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet