Ekskluzive/ Flet babai i foshnjës së infektuar me koronavirus

Flet për “Shekulli”-n babi i fëmijës së infektuar me koronavirus në Lombardi të Italisë. Si u shfaqën simptomat dhe përballimi i këtij rasti. “I kam binjakë, djali u infektua vajza jo”. Apeli për shqiptarët

Enida Vërça

Luan Sulejmani është një emigrant shqiptar që jeton në ‘zemrën’ e koronavirusit, në Lombardi të Italisë. Emigranti rrëfen për “Shekulli”-n përjetimet e një prindëri, i cili foshnja 4 muajsh i është prekur nga Covid 19. Në fjalën e tij ai tregon se si e mësoi që fëmija i tij është mbartës i virusit dhe se si po arrijnë ta përballojnë këtë situatë të pazakontë, me të cilën po ndeshet njerëzimi. Ai thotë se djali i është infektuar, ndërkohë vajza e cila është binjake me të, nuk ka rezultuar e infektuar. Në këtë rrëfim, të vështirë dhe aspak të lehtë për situatën në të cilën ndodhemi, Luani tregon se si u shfaq fillimish virusi në trupin e fëmijës. “Djali kishte temperaturë gjatë natës. I dhamë tre herë Paracetamol. Temperatura i ngrihej dhe i ulej. Nga dreka e dërgova në urgjencë. Infermierët që erdhën për ta marrë, nuk dyshonin se mund të ishte i infektuar nga koronaviursi. Më pas më thanë që nuk mund të jetë kjo, pasi nuk i kishte shenjat e virusit”, tregon ai.

Dyshimet

Emigranti, thotë se si fillim mjekët kishin dyshuar për një infeksion në urinë. “Më thanë që nuk mund të ketë virus, pasi nuk ka shenja të tij. Dyshonin për infeksion në urinë”, rrëfen ai. Më tej shpjegon se gjendja e tij nuk po stabilizohej, duke i detyruar mjekët që t’i bënin tamponin. Dhe ndodhi ajo që i trembshin më shumë prindërit. Luani thotë se djali doli pozitiv me Covid 19. “Nuk më besohej atë ditë, kishte vetëm temperaturë. I bënë tamponin dhe doli pozitiv. Ne kishim lexuar dhe dëgjuar që fëmijët nuk i prek, por ja që e kishim ditur gabim deri në atë moment”, thotë ai për “Shekulli”-n.

Gjendja shëndetësore

Luani thotë se jeton në zonën më të prekur të Italisë, në Codogno, Lombardi dhe se është e pamundur që dikush të jetë i pa infektuar. “Unë besoj se ne jemi të gjithë të prekur nga virusi “. Ndërkohë bën me dije se shëndetit i djalit të tij është përmirësuar tani dhe se që prej ditës së djeshme e kanë nxjerrë nga dhoma e izolimit dhe e mbajnë në shtëpi. “5 ditë e mbajtëm në spital të izoluar me antibiotikë. Tani e kam në shtëpi. Falë Zotit ai është mirë me pak simptoma që kanë kaluar, ne të gjithë këtej mund të jemi të infektuar sepse jetojmë në zonën më të infektuar të Italisë dhe pikërisht në pallatin më të infektuar pa asnjë lloj simptome”, deklaron ai.

Apeli

Në fjalën e tij ai thotë se në momente të tilla të ‘shembet’ bota, duke bërë apel që të gjithë të jemi të kujdesshëm dhe të mos e neglizhojmë këtë virus për asnjë arsye. “Bëni kujdes, mos e nënvlerësoni aspak situatën sepse prindërit, gjyshërit tanë janë në rrezik total. Është një sprovë e madhe që unë uroj ta kalojmë, por nëse nuk tregohet kujdesi i duhur, ju garantoj që nuk do jetë e lehtë. Po e provoj në familjen time këtë situatë stresuese, ndaj dhe ju bëj thirrje të ndërgjegjësoheni. Shqiptarë tregohuni të ndërgjegjshëm, për veten për familjarët dhe për shoqërinë. Ua them nga zemra këto fjalë “, shprehet ai.

Situata

Referuar mediave italiane, deri më tani numri i fëmijëve të prekur nga Covid 19 ka shkuar në 43. Raportohet se të gjithë fëmijët janë poshtë moshës 10-vjeçare. Ka dhe fëmijë më të rritur e adoleshentë të infektuar nga virusi e janë  85 raste të moshës 10-19 vjeç. Të miturit e adoleshentët që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus përbëjnë sot 1% të numrit të përgjithshëm të të infektuarve në Itali. Në total deri më tani numri i të prekurve në Itali sipas OBSH-së  është15,113. Numri i personave që kanë nderuar jetë është 1,016, ndërsa atyre që janë shëruar është 1,045.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet