Edukimi në teatër/ Kapidani: Nxënësit e duan si një lëndë të veçantë në shkollë (FOTO)

Publikuar më 12. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

A e duan fëmijët teatrin? “Po, po ne e duam teatrin”. A vlen lënda e teatrit në shkollë? “Pooo”, u përgjigjen fëmijët njëzëri këtyre pyetjeve, që u bën regjisori Kastriot Ramollari, para premierës së shfaqjes “Nata e gjyshërve”, në skenën e Teatrit të Metropolit. Ramollari ka pasur fatin të punojë nga afër me fëmijët përgjatë një viti, ku së bashku me specialistë të tjerë të edukimit, ka shpjeguar për nxënësit e fillores lëndën e teatrit, duke u bazuar në programin e “Edukimit me teatër”.

Drejtuesja e këtij programi Sonila Kapidani na rrëfen se programi “Edukimi me teatër” bazohet në shtatë shtylla të rëndësishme të formimit të fëmijëve: karakter, komunikim, kreativitet, bashkëpunim, respekt, mendim kritik, qytetari dhe traditë.

Ndërsa, vet fëmijët e klasës së gjashtë shprehen entuziastë për këtë lëndë të re, që kanë mësuar gjatë këtij viti. Ata tregojnë se, kjo lëndë i ka bërë që të jenë më të shkallët në thithjen dhe dhënien e mesazheve, në fusha të caktuara, duke i bërë ata që të shprehen më lirshëm. Duke shprehur keqardhjen, që nuk kanë pasur mundësi që këtë lëndë mësimore ta kenë që në klasë të parë, shprehin dëshirën që, të paktën ta kenë edhe gjatë viteve që do të vijnë.
Për këtë vit “Edukim me teatër” ka qenë e përqendruar vetëm në dy shkolla 9-vjeçare të Tiranës; “Lidhja e Prizrenit” dhe “Hasan Vogli”. Kapidani rrëfen për “Shekullin”, punën e bërë deri më tani dhe pritshmëritë nga ky program.

Zonja Kapidani, jemi tashmë në fund të vitit shkollor. Përgjatë këtij viti në dy shkolla 9-vjeçare është dhënë edhe lënda e teatrit. Çfarë mund të na thoni ju më tepër përsa i përket platformës së edukimit në shkolla?

Brenda sektorit të Edukimit Përmes Artit në Teatrin Metropol ka disa nivele. Njëri prej tyre është për klasat e pesta edhe të gjashta, fuqizimi i mësimdhënësve në shkolla për lëndën e re të teatrit, që ka hyrë në kurrikulën e re. Prandaj, ne për këtë vit shkollor, 2016-’17 kemi punuar me dy shkolla të Tiranës; “Lidhja e Prizrenit” dhe “Hasan VoglI”. Specialistë edukimi nga teatri kanë shkuar në këto shkolla dhe së bashku me mësueset e letërsisë, përgjatë një viti shkollor kanë zhvilluar lëndën e teatrit në shkolla. Për këtë vit punën që kemi bërë me dy klasat e shkollës “Hasan Vogli” e konkretizuam edhe në shfaqje.

Përtej zbavitjes, temat që trajtoni në këtë lëndë mësimore mbartin dhe vlera të tjera edukuese. Si i përzgjidhni ato?

Grupmoshat janë të ndara, prandaj tematikat e shfaqjeve jemi përpjekur, që t‘i përzgjedhim, duke rezonuar problematika që fëmijët i hasin në shkollë.

Po përsa i përket kampit të fëmijëve, që po zhvillohet aktualisht në teatër. Çfarë mund të na thoni?

Kampi i fëmijëve ka një javë që ka nisur. Këtë vit është dy javë. Kampi i javës së kaluar ishte për klasat e gjashta me shkollën “Lidhja e Prizrenit”. Ndërsa, kampi i kësaj jave që jemi është për grupmoshat më të vogla, pesë deri në nëntë vjeç. Fëmijët vijnë në teatër përgjatë orarit që janë në shkolla. Ata hulumtojnë në teatër çështje të ndryshme, por njëkohësisht njihen edhe me teatrin; se si punojnë rrobaqepësit, punëtorët e skenës, piktorët dhe gjithçka tjetër, që ka të bëjë me godinën e teatrit.

A është synim në vetvete që gjatë kësaj pune të bëhet edhe evidentimi i talenteve?

Ky ka qenë një nga diskutimet më të mëdha, kur kemi nisur punën si grup pune. Por, fuqia e teatrit është shumë më e madhe, sesa zbulimi i talenteve apo dhënia e mesazheve, si receta. Teatri ka një fuqi të nxitjes së imagjinatës dhe të mendimit krijues, për ne kjo është më e rëndësishme, se gjithçka tjetër. Është përgatitja e qytetarëve të ardhshëm. Kështu që teatri në këtë rast ofron mundësi, që nëpërmjet situatave edhe përvojave në lëkurën e tjetrit apo, duke e bërë një situatë të caktuar që fëmijët të përgatiten për jetën e mëvonshme, për atë që ndodh jashtë konceptit akademik.

Ajo që është evidentuar nga e gjithë puna me fëmijët është se këto janë orë mësimi të bëra me gëzim. Fëmijët mësojnë gjëra të ndryshme, si për shembull, mungesën e ujit të pastër në botë apo nevojat që kanë njerëzit për të, shpërdorimi i ujit dhe ndotja e ambientit prej tij. Të gjitha këto mësohen përmes një përralle shqiptare;“Si u formua liqeni i Ohrit”. Nevoja njerëzore është ajo që shpik fuqi imagjinare, siç janë zanat, gjarpri i burimit etj. Fëmijët mësojnë se si ka fuqi njeriu, që ato vlera që i ka jeta në tokë t’i ruajë, jo t’i ndotë.

Lënda e teatrit, dy vjet në shkolla… Si është pritur kjo eksperiencë?

Në klasat e pesta edhe të gjashta ka dy vite, por pritet që të futet edhe në klasat e shtata. Megjithëse, ne këmbëngulim që duhet të jetë, që nga klasat e para deri në të gjashtën. Në shkolla këtë lëndë po e bëjnë mësuesit e letërsisë, të cilët shpeshherë nuk e kanë idenë se çfarë duhet që të bëjnë. Prandaj ne kemi parë se si një rrugë fuqizimi është që t’u shpjegojmë atyre se, cilat janë teknikat e teatrit, jo për të zbuluar talente apo për të mësuar vargje përmendësh.

Dëshira jonë është që të zhvillohet edhe në klasa dhe shkolla të tjera, por nuk përballohet dot më tepër, sepse duhet që aq sa bëjmë të jemi të saktë. Pasi të përfundojë ky vit do të shohim raportet dhe rezultatet se çfarë ka ndodhur, cilat do të jenë rrugët për vitin që vjen dhe pastaj do të vendoset nëse do të jetë ose jo, si lëndë në shkollat e tjera.

Përzgjedhja e pjesëve shqiptare, si bëhet?

Përzgjedhja e pjesëve shqiptare është e lidhur me gjuhën. Një nga gjërat kryesore, me të cilën individi rritet dhe njeh veten është gjuha që përdor në familje, në komunitetin ku jeton, edhe pastaj gjuha, si lëndë mësimore në shkolla. Kështu që ne edhe gjatë përvojës që kemi bërë në shkolla kemi marrë gjuhën, si pikë reference. Me dy detyra të gjuhës ndërtuam programin e teatrit.

Ndërsa, për në kamp kemi në qendër lëndën e Diturisë së Natyrës, për të shpjeguar përmes teatrit se çfarë njerëzit mund të bëjnë pa ujë, çfarë problemesh kanë dhe se si mund ta ruajnë ujin që kanë. Kemi qenë të prirur që të ndërthurim fusha të ndryshme lëndore për të krijuar fushën e teatrit. Prandaj këmbëngul që, teatri ka një fuqi shumë të madhe, sepse mundet që të ndërthur; muzikën, pikturën bashkë me mësimet e lëndëve akademike.

Teatri në praktik…

Qasja jonë kjo është! Ka një bazë në themelin e punës sonë, sepse qysh kur kam nisur para 5 apo 6 vitesh, baza është të bërit. Ku lidhet teatri me qasjen e sotme pedagogjike? Nxënësi është në qendër të procesit edukativ dhe jo mësimdhënësi, është pikërisht për shkak të të bërit. Fëmija e ka shumë më të thjeshtë, që duke e bërë diçka ta nxjerrë vetë mësimin. Këtu ndryshon edhe koncepti i rolit të mësimdhënësit në klasë, nuk është më mësimdhënësi autoritar.

Është një nevojë e zbehur tashmë totalisht, që ka ardhur nga koha. Absolutisht, që është nevoja e prezencës së mësimdhënësit, si drejtues apo drejtues, pa asnjë nevojë që të jetë autoritar apo i distancuar nga nxënësit e tjerë. Kështu që, këtë mundësi ta jep teatri në mënyrë fantastike, duke pasur mundësi të ndryshohen rolet mësues-nxënës dhe mësimi të kuptohet, duke u bërë, jo përmendsh.