Edmond Budina: Do t’i rivendosim vetë germat e hequra të Teatrit Kombëtar

Foto 1 nga 2 Pas Para

Regjisori dhe aktori Edmond Budina flet për heqjen e germave të Teatrit Kombëtar. Sipas tij, padia që është dorëzuar në prokurori nga artistët për këtë akt të shëmtuar, duhet që të ishte ngritur nga Ministria e Kulturës dhe drejtoria e TK-së.

Anila Dedaj

Duket si akti i fundit i Ligjit “sizifik” që kërkon të shembë godinën aktuale të Teatrit Kombëtar. Ose si i pari, i një tentative të re për ta çuar atë në Parlament tanimë, që afatet për konkursin ndërkombëtar që përzgjidhte firmën, që do të bëjë rindërtimin kanë skaduar. Regjisori dhe aktori Edmond Budina e konsideron edhe si një gjest provokator heqjen e germave të godinës, gjatë mëngjesit të së premtes. E për një akt të tillë të paligjshëm, që shënon një nga “shfaqjet” më të shëmtuara të bëra në këtë institucion në terrin e natës, artistët që po bëjnë rezistencë prej më shumë se një viti kanë një përgjigje. “Këtyre hajdutëve që vjedhin natën pronën shtetërore, ndërkohë që mbajnë fjalime të bukura, ne do t’u përgjigjemi me një gjest konkret. Në bazë të kontributit tonë do t’i vendosim germat, edhe më të bukura se ç’kanë qenë. Do t’u tregojmë se jemi për ruajtje të qytetit ku jetojmë, të Teatrit Kombëtar. Po në radhë të parë të qytetarisë!”, shprehet Budina për “Shekullin”. Ndërkohë, artistët kanë dorëzuar në Prokurori një padi për aktin e kryer, një padi që sipas regjisorit, duhet të ishte bërë nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe drejtorisë së Teatrit Kombëtarë. Protesta e Teatrit, sipas Budinës, krahas mbrojtjes së kësaj godine, u ka shërbyer qytetarëve edhe si shembull reagimi e rezistence ndaj vendimeve të padrejta, që u pasua nga të tjera të tilla.  Regjisori rrëfen gjithashtu indiferencën e kolegëve ndaj akteve të tilla, si dhe shndërrimin e shëmtuar që po u bëhet qyteteve, duke shkatërruar trashëgiminë në emër të modernizimit.

Zoti Budina, mëngjesin e së premtes që lamë pas (ora 05:00) janë hequr nga godina e Teatrit Kombëtar, germat. Sipas jush, përse është bërë një veprim i tillë?

Së pari, kushdo që e ka bërë një gjest të tillë, ka dhunuar ligjin. Kjo, sepse aktualisht nuk ka një Ligj në fuqi që lejon shembjen e Teatrit. Kjo jo vetëm se presidenti e ka kthyer, por edhe sepse i ka kaluar afati, edhe gara ndërkombëtare për rindërtimin e tij duhej të ishte shpallur. Pra janë një sërë hallkash ligjore, që duhen kaluar përsëri para se të prishet Teatri Kombëtar. Ky ligj është i dënueshëm, edhe përballë rezistencës së njerëzve, qytetarëve të thjeshtë, artistëve e intelektualëve. Ata janë kundër prishjes dhe duan që kujtesa e qytetit, kultura e trashëgimia  të ruhet. Ky është një akt skandaloz që nuk ndodh në asnjë vend perëndimor. Unë jetoj në Romë, dhe aty nuk lejohet të cenohet qoftë edhe një cifël e një statuje apo objekti tjetër.  Mandej, ajo që e bën edhe më të shëmtuar këtë akt është fakti se u krye në terr. Ne mes të natës disa njerëz kanë ardhur si të ishin hajdutë dhe kanë hequr germat.

Nëqoftëse ky veprim do të ishte i ligjshëm, përse të mos i hiqnin në gjatë ditës?! Pra këtu janë shumë faktorë së bashku, mes të cilëve edhe provokimi për të parë se si do të reagojnë qytetarët dhe artistët që e mbrojnë këtë trashëgimi. Si të thuash për të “matur pulsin”. Është gjithashtu një gjest simbolik, përmes të cilit kërkojnë të na thonë: “Sido që të jetë, ne nuk pyesim për ju!”.  Dhe kjo është e keqja më e madhe, pasi një pushtet që nuk pyet për qytetarët e tij, është një pushtet i marrë fund. Kush zgjidhet prej qytetarëve duhet që t’i respektojë ata, e të mos shpërfillë vullnetin e mendimet e tyre.

Në një farë mënyre, mendimi i tyre po injorohet. Madje nga pushtetarët është përsëritur disa herë se Teatri do të rindërtohet, pasi kjo sipas tyre, bëhet në emër të përparimit, të modernizmit të Tiranës…

Nuk është përparim shkatërrimi i objekteve të vjetra, përkundrazi, një mendësi e tillë tregon prapambetje. Eksperienca botërore na ka treguar se çdo gjë është ndërtuar, jo mbi gërmadhat e “të vjetrës”, por duke bërë të mundur që e vjetra të bashkëjetojë me të renë në mënyrë të harmonizuar. E vjetra në këtë rast, është e shkuara jonë. Me trashëgiminë arkitektonike, ndodh njësoj si në fushat e tjera. Pra është sikur në Letërsi, ne të grisim të gjithë literaturë e klasikëve, sepse tashmë mentaliteti ka ndryshuar.

Edhe në arkitekturë, asgjë e mirë nuk vjen nëse shkatërrojmë çdo gjë që ka qenë përpara se të ishim ne. Për të ndërtuar gjëra të reja, siç ne duam. Është ironike, por edhe e dhimbshme fakti se kjo që po ndodh në Shqipëri me trashëgiminë më sjell ndërmend fjalët e Internacionales Komuniste, kur thoshte se: “Botën e vjetër do ta shkatërrojmë nga themelet, e pastaj për veten tonë do të ndërtojmë një të re në vend të saj”.

Për të gjitha këto ata që mendojnë, se duhet shkatërruar për të ndërtuar kanë një mentalitet të prapambetur, arkaik dhe anadollak. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë!

Nëse vijohet të punohet në këtë formë, çfarë do mbetet sipas jush nga identiteti i këtij vendi, edhe a do të jetë për turistët apo brezat që vijnë më atraktive kjo “Shqipëri e re”?

Për të kuptuar se çfarë do mbetet në të ardhmen, mjafton të flasim për gjendjen aktuale. A kemi ne sot një ndërtesë të viteve ‘700? Dhe nëse jo, a e kemi pyetur veten pse? Ndodh kështu, sepse të gjithë ata që kanë ardhur në pushtet, njësoj si pushtuesit e këtij vendi, kanë dashur të shkatërrojnë kujtesën e këtij vendi. Kjo ka ndodhur në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë. Një histori e përsëritur, ata që kanë ardhur kanë shkatërruar nga themelet ato që kanë ndërtuar të parët e tyre. Shikoni se çfarë ndodh në Durrës, në një nga qytetet antike të botës së lashtë… Ndërkohë që në botë mrekulli të tilla arkeologjike ruhen me fanatizëm të jashtëzakonshëm, ne shkojmë edhe i betonizojmë, mbi këto vlera të trashëgimisë, ndërtohen pallate. Ngrihet “Veliera”.  Kur flitet për objekte me vlerë, qoftë edhe një mur të jetë duhet kuptuar se pas tij ka një histori, ka një të shkuar…

Po kthehem përsëri te qyteti ku jetoj. Në Romë njerëzit nuk vijnë të shikojnë godinat e reja, madje as vepra të arkitekturës moderne e arkitektëve bashkëkohës, qoftë edhe “Reja” e Fuksas, një nga arkitektët me të shquar italianë në botë. Sigurisht që turistët kur vijnë atje e shikojnë edhe këtë vepër me kënaqësi, por ajo çka i nxit të vijnë në Romë, janë rrënojat e qytetit të vjetër, “Koloseu”, Sheshi “Navona”, “Circo Massimo” (cirk antik roman), “Palatino” (një nga zonat më antike të qytetit, gjendet në qendër të 7 Kodrave të Romës) etj. Pra me pak fjalë vijnë për të parë vlera të vërteta kulturore apo “vjetërsirat”, siç dot rëndom i quajnë pushtetarët tanë.

E gjitha kjo që ndodh në Shqipëri është absurde, pra ecet me një mentalitet të mbrapshtë, se çdo gjë nis nga shkatërrimi.  Le të ndërtohen gradaçelat më të bukura, një turist mund t’i gjejë ato kudo. Nuk do të vijnë në Shqipëri për gradaçelat, por në Hong Kong, New York, a tjetër kund.

Shpesh kam dëgjuar të thuhet: Po edhe New York-u kështu u bë. Nuk është kështu. New York-u u bë nga hiçi, është një qytet relativisht i ri. Por ne këtu po flasim për qytetet tona, të cilat tanimë e kanë një traditë, një të shkuar. Kanë trashëgiminë, ndaj edhe vetë shteti duhet të ishte interesuar t’i ruante, për të shtuar edhe turizmin.

Nuk kanë për të sjellë dot turistët me pallatet që do të ngrenë, përkundrazi atyre do t’ju merrej fryma në këtë kaos e mungesë hapësirash. Për të mos folur për përkeqësimin e jetës së qytetarëve të Tiranës, prej këtyre objekteve që “ngrenë kokë” çdo ditë. Rrugët e Tiranës janë ndërtuar për shtëpitë e vogla të qerpiçit. Ndërsa, sot në ato rrugë të menduara për rreth 100 banorë ne ndërtojmë pallate në të dyja krahët, pa bërë zgjerime të mëtejshme.

Ndërsa, objektet shtohen, e numri i qytetarëve 10-fishohet, apo në rastet më ekstreme 20-fishohet, duke shkuar në 2 mijë banorë, apo më shumë, jeta bëhet e pamundur.

Nuk ka sesi mos të të merret fryma në një qytet të këtij lloji me rrugë të ngushta. Unë kam jetuar në një qytet të Italisë (Bassano del Grappa), ku ndërtoheshin pallate, jo më shumë se 6 kate. Por edhe në rastin e shtojcave, së pari ndërtohet rruga, viheshin tubacionet, ndriçimi, mandej fillonte ndërtimi. Ndërsa, tek ne askush nuk pyet për urbanizimin. Këtu ndodh ç’urbanizimi.

Urbanizimi merr parasysh nevojat e qytetarëve, për një mënyrë sa më të mirë jetese. Diçka e tillë tek ne nuk ndodh.  Sot nuk janë më “korrentet” e ajrit që Tirana ka pasur dikur. Tani të merret fryma. Tek ecën përmes sheshit “Skënderbe” në pisk të vapës, gati të bie të fiktë. Edhe tani që kanë nisur e lëshojnë ujë në të, unë nuk kam parë asnjë njeri që të ecë përmes atij uji. Të gjithë njerëzit bëjnë dredha për t’i kaluar. Pra këto zgjidhje që duan t’i shesin për moderne, nuk janë aspak efikase. Dëmtojnë cilësinë e jetës së njerëzve.

Përsa i përket heqjes së germave të Teatrit, Ministria e Kulturës e ka shkarkuar veten nga përgjegjësia, po ashtu edhe drejtuesi i Teatrit Kombëtar. Ju, si komunitet artistik keni bërë një padi penale në Prokurori, çfarë prisni të ndodhë?

Ne në radhë të parë jemi qytetarë të ndërgjegjësuar, që deri më tani nuk kemi kryer asnjë akt të paligjshëm. Po kështu edhe qytetarët e Tiranës që na janë bashkuar prej afro një viti, e kanë bërë këtë me një dinjitet të jashtëzakonshëm. Pa shkelur asnjëherë ligjin, e pa dëmtuar askënd. Përkundrazi, mendoj se i kemi dhënë një shembull të jashtëzakonshëm Shqipërisë, duke protestuar në mënyrat më paqësore. Për më tepër me art, me shfaqje, filma, balet… Diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri, dhe ky është tregues i qytetarisë sonë.

Ne nuk kemi shkuar të bëjmë qoftë edhe një gërvishtje në Teatrin Kombëtar, ndërkohë që pala tjetër, jo vetëm që e ka lënë të shkatërrohet duke mos bërë asnjë investim, por edhe i vendosi drynin. Për gjendjen aktuale të Teatrit, nuk mban përgjegjësi vetëm qeveria aktuale, por edhe ato që e kanë paraprirë.

Kallëzimin në Prokurori faktikisht duhet ta ngrinte Ministria e Kulturës, drejtoria e Teatrit Kombëtar, sepse nuk ka asnjë ligj që e lejon një veprim të tillë…Por në Shqipëri, janë të shumta vendimet e veprimet që po kryhen pa u bazuar në asnjë ligj ekzistues. Përshembull, unë ngre pyetjen: Në ç’bazë të cilit ligj Teatri Kombëtar është spostuar tek “Turbina”. Dhe nëse nuk ka një ligj që e miraton këtë transferim, kush e mban përgjegjësinë për këtë?

A ka një ligj, në bazë të së cilit aktorët e Teatrit Kombëtar duhet të punojnë me kontrata 3 apo 6-mujore, apo edhe 3-vjeçare. Në ç’bazë të cilit ligj merren këto vendime, sepse supozohet se jemi në një shtet demokratik, ku veprime të tilla nuk mund të bëhen nga “mendjeshkrepjet” e një ministri apo edhe të një kryeministri.  Në një situatë si kjo, unë shtroj pyetjen: Përse ministrat përshembull nuk kanë kontrata 1-vjeçare, apo 3-mujore siç ndodh me artistët e të tjerët? Për të gjitha këto arsye e përsëris, Ministria e Kulturës, drejtoria e Teatrit Kombëtar dhe instancat përkatëse duhet të kishin bërë padinë, e jo të bëjnë rolin e të paditurit. 

Ndërkohë që ju si komunitet artistik keni deklaruar se shkronjat e Teatrit nuk do të lihen pa u vendosur, edhe nëse nuk i rikthejnë. Çfarë keni menduar konkretisht?

Është e qartë se ne nuk shpresojmë që t’i rikthejnë, pasi fakti që ngjarja ndodh gjatë natës, i bën ata disa hajdutë të paskrupuj që këtij vendi nuk mund t’i sjellin asnjë të mirë. Kështu, ne si qytetarë të Tiranës si përgjigje ndaj këtij dhunimi që i është bërë qytetit dhe Teatrit, do t’i rivendosim germat ashtu siç kanë qenë. Madje edhe më të mira, në bazë të kontributit tonë. Këtyre hajdutëve që vjedhin natën pronën shtetërore, ndërkohë që mbajnë fjalime të bukura  ne do t’u përgjigjemi me një gjest konkret. Do t’u tregojmë se jemi për ruajtje të qytetit ku jetojmë, të Teatrit Kombëtar. Po në radhë të parë të qytetarisë!

Teatri Kombëtar gjatë këtyre muajve protestë kundër shembjes, përveçse simbol i kulturës mund të themi se një njëfarë mënyre është bërë edhe simbol i rezistencës. Në fillimet e protestës, artistë e aktivistë u bënë thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar kësaj kauze, sepse një ditë ata mund të  vinin në shtëpitë e tyre… Në njëfarë mënyre kjo ndodhi…

Është e vërtetë. Shqiptarët nuk e kanë shumë të zhvilluar mendësinë, sensin e protestës dhe kjo është për të ardhur keq. Protesta nuk është medoemos, dhunë. Të protestosh do të thotë të kërkosh të drejtat e tua. Është një e drejtë legjitime. Nuk jemi më në kohën e komunizmit kur ishte ligji i Agjitacionit dhe Propagandës.  Sot protesta është e drejtë e çdo qytetari, për të dalë ndesh vendimeve të padrejta. Po përse stepen? Sepse ne i kemi zgjedhur këta pushtetarë që janë sot, që ishin dje…, kështu që duhet t’i shërbejnë këtyre njerëzve. Qytetarëve nga agorja e Teatrit u është thënë: Protestoni se kjo do të ndodhë në shtëpitë tuaja! Dhe kjo ndodhi.

Ndodhi pasi në momentin që qytetarët sillen si dele të urta e të bindura të atyre që janë sipër. Ndonjëherë madje edhe duke kaluar në patetizma. Ky lloj fanatizmi e militantizmi është i tejkaluar jashtë kohe. Rritet çmimi i biletës, askush nuk reagon. Rritet taksimi për ujin e energjinë elektrike, qytetarët heshtin. U ulen taksat të varfëve dhe u shtohen të pasurve askush nuk bën zë. Atëherë, ATA do të vijnë e do të marrin shtëpinë pa pyetur fare. Do të ndodh sepse ti nuk ke reaguar.

Protesta nuk do të thotë përplasje, dhunë. Mirëpo në rastin e Teatrit Kombëtar nëse ata do të vinë ta shkatërrojnë me dhunë, ne do të qëndrojmë atje, duke e mbrojtur me çdo kusht. Këtë po bëjnë dhe qytetarët e Tiranës. Unë jam kundër zaptimit të padrejtë të tokave, apo pronës private e publike, por këta njerëz janë lejuar të qëndrojnë atje për vite të tëra. Janë taksuar, ndaj duhen respektuar, duhen dëgjuar e dëmshpërblyer. Sepse faji nuk është vetëm i tyre, por edhe i juaji. I qeverive të mëparshme padiskutim, por edhe i aktuales. Në këtë aspekt duhet mirëkuptim.

Protesta duhet të jetë në rend të ditës së qytetarëve. Protesta është opozita e parë që i bëhet një pushteti, që është gjithmonë i gatshëm të vendos me dhunë autoritetin e tij. Në këtë aspekt, protesta e teatrit ka qenë një shembull i shkëlqyer që tregon se si duhet të funksionojë demokracia në Shqipëri.

Ndërkohë që flasim për protestën e Teatrit Kombëtar, disa prej kolegëve që kanë luajtur për vite në këtë skenë mbajnë një qëndrim thuajse indiferent, edhe ndaj ngjarjes së fundit. Ç’mendoni për (mos)reagimin e tyre?

Ajo që unë do ta quaja të pavend është fakti se një pjesë e artistëve që kanë firmosur për shembjen e Teatrit Kombëtar vazhdojnë të vijnë herë pas here për të bërë prova në këto ambiente. Ndërsa qytetarë të Tiranës vijnë e protestojnë, ata kalojnë kokëulur dhe nuk dinë të thonë asgjë. Nëse mendon se ky Teatër është një “rrangalle” atëherë mos eja të luash këtu (Teatri Eksperimental). Sepse tek e fundit po të mos qe për qytetarët që rezistuan, as ata nuk do të mund të jepnin shfaqje sot tek TKEKS, apo të bënin prova në TK.

Kështu, pak dinjitet njerëzor, pakëz dinjitet… Pak dinjitet për të ardhur e për të mbrojtur këtë vlerë të kulturës shqiptare. Protesta e Teatrit Kombëtar ka treguar se di të mbrojë vlerat qytetare, se i ka shërbyer shqiptarëve edhe duke i ndërgjegjësuar përsa i përket reagimit. Sepse tani është mjaft e qartë, se nëse heshtim e nuk reagojmë, do të na i shtypin kokën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet