Edhe droga e ka “bishtin” prapa

Publikuar më 29. 10. 2017 nga Eno Shkëmbi

Feti Zeneli

Zakonisht, shprehja jonë popullore “dardha e ka bishtin prapa”, përdoret në të gjitha ato raste kur duam të tregojmë me pak fjalë, pasojat jo të mira të një pune, që fillimisht na është dukur e lehtë dhe pa telashe. Por, pas arrestimit të Moisi Habilajt, kreut të një prej bandave më të mëdha të drogës në Shqipëri me vendim të Gjykatës së Katanias, dhe publikimit të dosjes voluminoze prej më shumë 400 faqe të përgjimeve italiane për gati 4 vjet me radhë, duke filluar nga 16 dhjetori i vitit 2013, tashmë tek ne, përveç qytetarëve të thjeshtë, do të jenë dhe përfaqësuesit e niveleve më të larta të mazhorancës qeverisëse, të cilët dalëngadalë do nisin të besojnë, se jo vetëm “dardha”, por edhe droga e paska “bishtin” prapa. Natyrisht, ngjarja e mësipërme nuk është “gjylja e madhe që plasi”, por gjithësesi parashikohet, që ajo të shkaktoj një tërmet të fuqishëm politik në radhët e kësaj mazhorance, ndonëse nuk kanë kaluar më shumë se dy muaj nga krijimi i qeverisë “Rama 2”.

Kuptohet, që këto zhvillime nuk lidhen dhe aq me faktin, që menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, Opozita e Bashkuar kërkoi largimin e kryeministrit Rama, pasi e konsideron atë si përgjegjësin kryesor të lidhjeve të krimit me Qeverinë. Po kështu zhvillimet e pritmshme politike në vend nuk besoj se do përcaktohen edhe nga kërkesa tjetër e opozitës në këtë takim, ajo e natyrës juridike, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, që në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore të vendit tonë, të nis menjëherë hetimin, jo vetëm ndaj ishministrit Saimir Tahiri lidhur me dosjen “Habilaj”, por dhe ndaj ministrave të tjerë të mazhorancës socialiste, për përfshirjen dhe implikimin e tyre në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në zgjedhjet e përgjithëshme të 25 qershorit 2017. Dhe kjo jo se, “opozita ka në dorë vetëm llafet”, siç u shpreh në në një emision televiziv, një eksponent i neveritshëm i së majtës radikale në Shqipëri, por sepse ka ardhur momenti i duhur i zhvillimeve dialektike të këtij procesi, kur do të shihen dhe ndjehen pasojat reale të këtyre ngjarjeve në jetën social-politike të vendit tonë. Skandali i fundit, i publikuar nga media italiane Meridioneës.it, është njëlloj katalizatori, që do ndikoj në përshpejtimin e zhvillimit të këtyre ngjarjeve.

Nga ana tjetër, mazhoranca socialiste, ndryshe nga mandati i parë, ka tashmë në disfavor të saj dhe kohën, po të kemi parasysh, se sapo ka nisur zbatimi i reformës në drejtësi, e cila shihet nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët, si një ndër mundësitë kryesore për të siguruar dekriminalizimin e politikës, si dhe ndëshkimin e drejtuesve të lartë të shtetit që janë implikuar në afera të ndryshme korruptive, të lidhur me krimin e narkotrafiqeve dhe të pasuruar në mënyrë të paligjshme. Në mandatin e parë qeverisës, pas fitores në zgjedhjet e përgjithëshme të qershorit 2013, falë edhe bërjes “një sy qorr e një vesh shurdh” të aleatit tjetër të majtë, LSI-së, socialistët arritën që ta shndërrojnë mbjelljen e hashashit dhe industrinë e narkotrafikut në përgjithësi, në një mundësi financiaro-elektorale për vazhdimësinë e pushtetit, nëpërmjet blerjes së votës me paratë e drogës. Deri tani kjo u quajt një “punë e lehtë” dhe me leverdi për të gjithë palët, si për votuesit, që e shitën votën “…si me le” për partinë, ashtu dhe për të votuarit, që do të qeverisnin në të ardhmen Shqipërinë. Madje, kaq shumë para pati në qarkullim sa që ato ndikuan edhe në zhvlerësimin e monedhës europiane dhe krijimin e një sërë fenomenesh të tjera në veprimtarinë bankare apo jetesën qytetare.

Kjo është arsyeja, që duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit të kaluar dhe në vazhdim është rritur pesha e parave që investohen në ekonominë tonë kombëtare nga burimet opinion Feti ZeNeLi informale, sepse përveç dështimit të politikave të ndjekura nga sistemi bankar, ekziston edhe një ofertë e lartë monetare në treg, kryesisht për shkak të kultivimit, përpunimit dhe tregtimit kolumbian, siç shprehen mediat e huaja, të “cannabis sativa” në Shqipëri. Një raport sekret i agjencive ligjzbatuese në Shqipëri listonte para pak muajësh plot 363 zona, në të cilat kultivohej hashash në vendin tonë. Kjo është arsyeja që Shqipëria konsiderohet sot një prej prodhuesve kryesor të kësaj bime narkotike në Europë, në sasira të tilla, që, momentalisht, i kanë kaluar mbi një mijë tonët në vit. Paratë e lira të industrisë së kanabisit, por dhe ato që disponohen nga veprimtaria korruptive dhe “të fortët” e lidhur me pushtetin qenë aq të shumta në prag të zgjedhjeve, sa që u vu re edhe fenomeni i mbiçmimit të monedhës vendase, gjë që tregoi për ofertën e pazakontë monetare të euros në Shqipëri. Masivizimi i kultivimit të hashashit në një kohë që prej vitesh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik në Shqipëri, duket se e ka tronditur nga themelet ngrehinën e brishtë të ekonomisë sonë kombëtare, ku të ardhurat nga sektorët ekonomiko-financiarë tradicionalë kanë ranë ndjeshëm.

Në një analizë profesionale, që revista “Monitor” i kushtonte “industrisë së hashashit” rendiste 10 probleme që ajo krijon në jetën social-ekonomike të vendit, duke filluar me largimin e fuqisë punëtore nga bujqësia dhe fasoneria për shkak të pagesë ditore deri në 5 mijë lekë që ofrojnë kultivuesit grosist të kësaj bime narkotike. Me këtë pagesë shumëkush nga zonat rurale, por edhe ato urbane nuk ka interes të punojë në punë krahu ku paguhen relativisht pak, si në bujqësi, fabrika, madje edhe si kamerierë në bare e restorante. Kjo ishte goditja e dytë për bizneset, pas emigracionit masiv të qytetarëve shqiptarë, ku shumë sipërmarrje u vunë në vështirësi për të siguruar prodhimin, sipas kontratave me partnerët, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Por bujqësia mbeti sektori më i goditur nga mbjellja e kanabisit, edhe për shkak të zhvendosjes së vëmëndjes nga këto lloj punësh, pasi përveç të tjerash kush nuk kultivonte bimë narkotike në fshat filloi të quhej “spiun”. Fakt është se deri para pak kohësh, si rezultat i maturimit të shumë sektorëve, bujqësia filloi të tërheq vëmendjen e bizneseve, por edhe individëve që kishin disa para të lira mënjanë për të investuar. Gjatë dy viteve të fundit kemi një panoramë tjetër në bujqësi, gjë e cila u vu re edhe në çmimet e larta të fruta-perimeve në sezonin veror, si asnjëherë tjetër më parë.

Fjala vjen, vitet e kaluara, në muajin gusht, me 100 lekë mund të blije nga tre kilogram domate ose tre kilogram kastravec në tregjet ushqimore të kryeqytetit, ndërsa këtë verë dhe atë që shkoi nuk blije dot asnjë kilogram të këtyre dy lloj perimesh. Të njëjtën goditje mori edhe blegtoria, pasi kultivimi i kanabisit dhe llojeve të tjera të drogave të kësaj familjeje bëhet kryesisht në male, pikërisht në zona të cilat janë përdorur tradicionalisht si kullota për bagëtitë e imta. Përhapja e përdorimit të hashashit nga të rinjtë është një problem tjetër që krijohet në këtë drejtim, pasi aktualisht Shqipëria nuk përbën vetëm një rrugë tranziti të drogave ilegale, por edhe një vend ku droga kultivohet, prodhohet, tregtohet lokalisht dhe abuzohet. Në përgjithësi, kultivimi i drogës dhe konsumi i saj është burimi më madhor i konflikteve sociale në vend.

Vrasjet, burgimi dhe dhuna në familje shkaktohen apo lidhen në mënyrë direkte apo indirekte më së shumti me aktivitetin e drogës. Një problem tjetër është kriminalizimi i përshpejtuar i ekonomisë me pastrimin e parave të gjeneruara nga ky aktivitet i jashtëligjshëm. Sipas ekspertëve dhe raporteve të ndryshme, përveç ndërtimit, fusha të tjera ku pastrohen paratë e drogës përfshijnë biznese të tilla si hotele, restorante, karburante, veprimtari prodhuese, fabrika moderne përpunuese, infrastrukturë, kompani import-eksporti, prodhim energjie, biznese të lojërave të fatit, miniera, turizëm dhe agjenci turistike. Denatyrimi i votës dhe fuqizimi i krimit të organizuar janë gjithashtu probleme po kaq të rënda që dikton industria e kanabisit. Të dhënat tregojnë se çdo vit në Europë harxhohen mbi 24 miliardë euro për drogën, ku një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare. Dhe në fund, siç vërejnë ekspertët, më e rrezikshme është se orientimi drejt këtyre aktiviteteve me norma të shpejta kthimi po shmang vëmendjen nga riorientimi aq shumë i nevojshëm i ekonomisë drejt sektorëve të qëndrueshëm, duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të viteve ‘95-96, ku njerëzit u pasuruan me shpejtësi, pa punuar, por duke investuar paratë e tyre në “piramidat” që mbinë si kërpudhat në atë periudhë të toleruar nga shteti i kohës.

Kultivimi dhe tregtimi i hashashit, që në pamje të parë dukej si një “biznes” fitimprurës, pasi sillte “cash” të shpejtë në ekonomi, ka filluar të jap, jo vetëm pasojat shkatërruese në themelet ende të dobëta të ekonomisë shqiptare, por edhe në strukturat e shtetit në përgjithësi. Shpresojmë, që për shkak të natyrës piramidale të këtij aktiviteti, pasojat të mos jenë identike me ato të piramidave financiare të ’97-ës, pavarësisht siptomave të njëjta social-ekonomike dhe atyre politike në jetën tonë. Fjala është që mazhoranca socialiste t’i thërras aryes për të reflektuar lidhur me këtë problem keqqeverisës që u krijoi shqiptarëve, në mënyrë që të reduktohen kostot e ndryshimit të situatës. Tashmë ka ardhur momenti, që asnjë lloj alibie e justifikimi nuk pi ujë. Në këtë situatë, media duhet duhet të reflektoj e para, për të mos mbështetur më tej një qeveri që e ka dorë- zuar vendin në duartë e trafikantëve të drogës dhe kriminelëve të tjerë. Një gjë e tillë duhej të kishte ndodhur në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, për të mos e lënë vetëm Lulzim Bashën dhe alternativën e tij qeverisëse.

Megjithatë asnjëherë nuk është vonë. Nga ana tjetër, opozita nuk duhet të mjaftohet me entusiazmin e takimeve zyrtare, por duhet të zbres në bazë, për të zgjuar njerëzit e përgjumur nga hashashi natyral dhe ai qeveritar. Pavarësisht se shumica dërrmuese e tyre i ka shpenzuar paratë e mëditjes së drogës dhe shitjes së votës, ata ende vazhdojnë të jenë të hutuar nga “ç’u kanë parë sytë e ç’u kanë dëgjuar veshët” për 4 vite me radhë, lidhur me mbjelljen e trafikun e hashashit nën “kujdesin atëror” të policisë, tregun e shit-blerjes së votës, fotot krahqafë të ministrave dhe deputetëve me trafikantë e kriminelë, rënien e avionëve të huaj të drogës si zogj të vrarë, zbulimin e laboratorëve të kokainës dhe goditjen e makinave të policisë në Elbasan, penalizimin nga Prokuroria të denoncuesve dhe shpalljen të pafajshëm të kriminelëve, e kështu me radhë, sepse media proqeveritare mundohet t’u mbush mendjen atyre se “qeveria aktuale është e keqja më e vogël” dhe “opozita s’ka kauzë”. Mpirja e reagimit qytetar është dëmi më i madh që qeveria socialiste dhe media pro saj i kanë bërë demokracisë në Shqipëri. Si rezultat i këtij qëndrimi, me qytetarët tanë po ndodh si në eksperimentet e shkencëtarit Martin Seligman, e quajtur “Teoria e Pafuqisë”, e cila u referohet situatave, në të cilat besojmë, mendojmë apo e marrim të mirëqenë, që nuk mund të bëhet asgjë për të kontrolluar apo për të përmirësuar një gjendje të caktuar.

Për këtë arsye ne priremi ashtu si edhe kafshët, që të mos tentojmë më, pasi jemi lodhur me emigrime, rrebelime, votime, ndarje dhe bashkime; duke dëshmuar se i kemi provuar të gjitha mënyrat për t’i shpëtuar këtij ambjenti mizerabël, ku elektroshoku ndaj nesh është politika, dhe ne jemi kaviet e shkencëtarit Seligman. Në këto kushte trageti i opozitës është pikërisht reagimi qytetar dhe jo ai ndërkombëtar, i cili prej gati 4-5 vitesh rresht është lidhur “si mishi me kockën” me qeverinë e kultivimit dhe trafikut të drogës, si në asnjë vend tjetër të botës. Vetëm në këtë mënyrë opozita do t’i rikthehet misionit të saj historik “për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, ndërkohë që “Rilindja” ja ka dorëzuar atë krimit dhe drogës.