E rëndë në Greqi/ Gjendet i djegur në makinë shqiptari

Publikuar më 16. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Një 50-vjeçar shqiptar është gjetur i djegur mëngjesin e sotëm në lagjen “Vuliagmeni” në Athinë. Dyshohet se kufoma është e seksit mashkull dhe është djegur tërësisht.

Hetuesit grekë thonë se targat e makinës së djegur i përkasin pikërisht një shqiptari 50-vjeçar që mendohet të jetë viktima, ndërsa identitetin e tij nuk e kanë bërë me dije. Mësohet se automjeti shpërtheu në flakë para orës 10:00. Menjëherë në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit që panë se viktima e ulur në sediljen e shoferit, në makinë “Citroen” ishte djegur tërësisht.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja është aksidentale, dhe se zjarri ka nisur brenda automjetit. Kufoma është dërguar në departamentin e mjekësisë ligjore për t’u kryer autopsia, që do të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes.