E pazakontë në Korçë, burri shkon në polici dhe kërkon ndihmë: Më dhunon gruaja!

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Një tjetër rast i dhunës në familje është shënuar në Korçë. Por, ndryshe nga rastet e tjera, këtë herë ka qenë burri ai që ka kërkuar ndihmën e policisë. Sipas asaj që bën të ditur policia, ka qenë 38-vjeçari me iniciale K. C., i cili ka kallëzuar penalisht gruan e tij, 33-vjeçare me iniciale M. C., pasi e akuzon për dhunë ndaj tij.
Burri mësohet se ka thënë në polici se është krejtësisht i pambrojtur përballë gruas që e dhunonte psikologjikisht.
Për këtë arsye, policia e Korçës ka kërkuar urdhër-mbrojtje për 38-vjeçarin si dhe ka nisur hetimet.
Në njoftimin e policisë thuhet se:
Më datë 09.01.2018, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin K. C., 38 vjeç, pasi dyshohet se bashkëshortja M. C., 33 vjeç, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij.
Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.