E pabesueshme/ Ja sa mësues janë pa kontratë kolektive pune

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Plot 36 mijë mësues të arsimit parauniversitar në vend janë pa kontratë pune, ndonëse vazhdojnë të japin mësim. Përfaqësues të sindikatave thonë se pavarësisht kërkesave të tyre në Ministrinë e Arsimit, ende nuk kanë mundur të nënshkruajnë kontratën kolektive ashtu siç e kërkon ligji, ndonëse kontrata e vjetër u ka përfunduar në 31 Maj të këtij viti.

“Të dyja sindikatat i jemi drejtuar më një shkresë dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje nga Ministrja Nikolla. Ndodheni përballë moszbatimit të ligjit parauniversitar, pasi Ministrja e ka për detyrë që të nënshkruajë kontratën kolektive. Pa këtë kontratë mësuesit janë të pambrojtur në vendin e tyre të punës”. Për sindikatat, kjo është një nga shkeljet që i bëhet Ligjit të Arsimit, duke nëpërkëmbur dinjitetin e mësuesve. “Po lozet përditë me dinjitetin e mësuesit, po përdoret edhe në kundërshtim me ligjin, siç u përdorën edhe para një javë për t’u vlerësuar punën e drejtuesve të tyre, kur kjo është e përcaktuar qartë në nenin 55 mënyra sesi vendoset dhe si largohet nga vendi i punës drejtori i institucionit arsimor”. Përballë këtyre akuzave, e kontaktuar nga Televizioni Klan, Ministria e Arsimit dhe Rinisë nuk ka kthyer asnjë përgjigje mbi shqetësimin e Sindikatës së Arsimtarëve.