E masakruan në burg, shqiptari kërkon dëmshpërblim nga shteti italian

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Shqiptari Dritan Demiraj i dënuar nga drejtësia italiane me burgim të përjetshëm për dy vrasje, përmes avokatit të tij Massimiliano Orrù, deklaron se familja do t’i kërkojë dëmshpërblim shtetit italian për gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet djali i tyre.
Demiraj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-të fejuarës së tij Lidia Nusdorfi dhe të dashurit të saj Silvio Mannina. Motivi i vrasjes është hakmarrja për xhelozi.
Gjatë qëndrimit në burgun e Parmës në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit, Dritan Demiraj është dhunuar rëndë nga një i burgosur, ish-boksier me origjinë rumune. Nga dhuna, Dritan Demiraj qëndroi disa kohë në gjendje kome. Ky fakt i shkaktoi dëme të rënda cerebrale e aktualisht është deklaruar nga mjekët si person i paaftë për të menduar e vepruar. Në kushte të tilla ligji italian nuk e lejon zbatimin e vendimit të marrë ndaj tij për burgim të përjetshëm. Gjykata e Apelit nuk mund të marrë një vendim ndaj një personi në kushte të tilla shëndetësore e Dritan Demiraj është shpallur person në gjendje të lirë.
Sipas vendimit të marrë nga prindërit e tij, Dritan Demiraj do të kthehet në Shqipëri në një strukturë të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore. Avokati i tij Massimiliano Orrù ka deklaruar se familja ka vendosur t’i kërkojë dëmshpërblim shtetit italian për dëmet e pashërueshme shëndetësore që ka marrë djali i tyre gjatë qëndrimit në burgun e Parmës. Ndërkohë ndaj dhunës së ushtruar ndaj Dritan Demiraj autoritetet italiane kanë nisur një proces hetimor.