E gjithë flota e avionëve Boeing 737 Max në tokë!

Prodhuesi më i madh i aeroplanëve në botë, Boeing, nxorri nga përdorimi gjithë flotën e avionëve 737 Max, pasi hetuesit gjetën prova të reja në vendin e rrëzimit të një avioni të tillë në Etiopi.

Kompania amerikane Boeing tha se do t’i pezullojë fluturimet e të 371 avionëve.

Administrata Federale e Aviacionit në SHBA tha se provat e reja dhe të dhënat satelitore nxitën vendimin për ndalimin e përkohshëm të avionëve.

Të dielën, nga rrëzimi i avionit 737 Max, i kompanisë ajrore të Etiopisë, humbën jetën të 157 njerëzit në bord.

Tetorin e kaluar, një avion i Boeing-ut, po ashtu i llojit 737 Max, është rrëzuar në Indonezi, duke shkaktuar vdekjen e të 189 njerëzve në bord.

Gjatë kësaj jave, disa vende, përfshirë SHBA-në, Brazilin, Australinë, Kinën, kanë njoftuar se kanë ndaluar së operuari me Boeing 737 Max.

Boeing tha se “vazhdon të ketë besim të plotë në sigurinë e avionëve 737 Max”.

Megjithatë, kompania shtoi se pas konsultimeve me Administratën Federale të Aviacionit dhe Bordin e Sigurisë së Transportit Kombëtar ka vendosur që t’i pezullojë fluturimet “në shenjë të kujdesit”.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi, në partneritet me hetuesit, për të kuptuar shkakun e aksidenteve dhe për të përmirësuar sigurinë”, tha presidenti i Boeing-ut, Dennis Muilenburg.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke njoftuar se vendi i tij ka vendosur t’i pezullojë fluturimet me Boeing 737 Max, tha se kompania “do të duhet ta gjejë problemin”.

Sara Nelson, presidente e Shoqatës së Shoqëruesve të Fluturimeve, tha se “jetët e njerëzve duhet të vihen në vend të parë gjithmonë”, por shtoi se “një brend është në rrezik po ashtu”.

“Ky brend nuk është vetëm Boeing-u. Është Amerika, ajo që nënkupton Amerika në aviacionin ndërkombëtar. Ne vendosim standardin për siguri, konkurrencë dhe ndershmëri në qeverisjen e aviacionit”, tha Nelson.

Vlera në treg e kompanisë Boeing ka rënë për gati 26 miliardë dollarë që nga rrëzimi i avionit në Etiopi.

Pilotët në Shtetet e Bashkuara janë ankuar, në fund të vitit të kaluar, për probleme në kontrollimin e avionëve Boeing 737 Max gjatë nisjes.

Ata kanë raportuar vështirësi të ngjashme me ato që kanë kontribuar në rrëzimin fatal të avionit të kompanisë Lion Air në Indonezi, në muajin tetor.

Avioni në Etiopi u rrëzua vetëm pak minuta pas nisjes.

Flightradar24, një kompani e monitorimit të trafikut ajror, me seli në Stokholm, tha se “shpejtësia vertikale e avionit ka qenë e paqëndrueshme pas nisjes”./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet