Dyshja Rama-Veliaj vijon! Projekti i teatrit “dhunon” parimet, kompania “garoi” me veten dhe fitoi

Projekti i prezantuar për Teatrin Kombëtar nga Erion Veliaj dhe Edi Rama, nuk iu nënshtrua fare konkurimit publik dhe përzgjedhja pa konkurim publik e pa transparencë, shkel dy parime të cilët mbrohen nga Kushtetuta.

Briselda Hoxha

Ligji për Teatrin Kombëtar u miratua në vitin 2018, në muajin shtator. Ky ligj, i jepte mundësinë një kompanie e cila ishte një palë private që do të merrte përsipër ndërtimin e godinës së teatrit dhe gjithashtu do të merrej me zhvillimin urban të zonës përreth tij.

Ndërkohë, ky ligj kishte si synim edhe krijimin e një komisioni i cili kishte si qëllim kryesor shqyrtimin e propozimeve nga palët e interesuara për të realizuar projektin dhe në të do të merrte pjesë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Kulturës, Avokatura e Shtetit dhe Trupa Teatrore.

Projektligji për prishjen e godinës dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar përcakton në nenet 6 dhe 8 të tij, kompaninë private me të cilën do të negociohet dhe lidhet kontrata për ndërtimin e teatrit të ri.

Sakaq, gjatë gjithë kësaj kohe, as Kryeministri Edi Rama dhe as Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, nuk ka treguar se si është përzgjedhur projekti për teatrin, kush e ka studiuar atë, sa ka kushtuar dhe sa do të shkojë kostoja e ndërtimit. Për më tepër, projekti i prezantuar nga Edi Rama, nuk iu nënshtrua fare konkurimit publik.

Edhe pse është kërkuar transparencë, sot kryebashkiaku Veliaj, prezantoi të njëjtin projekt të kompanisë Fusha, të cilës iu premtua ndërtimi i pallateve shumëkatëshe, por duke mos përmendur sërish shifra të shpenzimeve dhe detaje. 

Në mënyrë formale, ky projekt është porositur nga firma Fusha shpk tek firma Bjarke Ingels Group (BIG), bashkë me projektin për kullat e larta tregtare që do të ndërtoheshin fillimisht ngjitur me godinën e teatrit.

Kompania në fjalë, është zgjedhur pa asnjë proces që u ka dhënë mundësi të marrin pjesë apo të konkurrojnë për këtë shërbim kompanive të tjera. Kjo përzgjedhje pa prokurim publik dhe pa transparencë e një projekti publik shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, që kanë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Shkelja është e neneve 71 dhe 74 të MSA-së, pasi përzgjedhja pa asnjë transparencë e një kompanie të vetme për lidhjen e kontratës dhunon parimet e konkurrencës së lirë dhe mos-diskriminimit dhe deri më tani bashkia nuk ka prokuruar një projekt për ndërtimin e Teatrit të Ri, në buletinin e prokurimeve publike nuk ka asnjë tender për hartimin e projektit.

Që prej shtatorit të vitit 2019, kur u mbyll tenderi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, Bashkia e Tiranës nuk dha asnjë informacion për transparencën e kësaj procedure, ndërsa 5 muaj më vonë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se Teatri Kombëtar nuk do të ndërtohej me partneritet publik-privat (PPP), por me fondet për të cilat Bashkia do i kërkojë ndihmë Qeverisë Shqiptare.

Bashkia nuk bëri publike se kush ishte kompania private e cila ishte ofruar për të kryer projektin, ashtu sikundër nuk pati asnjë të dhënë edhe për pjesëmarrësit në proçesin e tenderimit.

Ligji për Teatrin u rikthye dy herë në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta, dhe pas kësaj, reagoi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili e konsideroi veprimin e Metës si “palë me partitë politike”.

Kujtojmë që në datë 10 Dhjetor të vitit 2019, Teatri Kombëtar i Shqipërisë përfshihet në listën e 14 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë, të shpallur nga Europa Nostra në mbledhjen e saj të zhvilluar së fundmi në Hagë.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet