Dy të arrestuar për atentatet me eksploziv në Elbasan, policia zbardh ngjarjet

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në muajin e fundit janë zbardhur nga Policia e Elbasanit.

Dy persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit lidhur me dy rastet, ku është vendosur tritol poshtë një makinë dhe në shkallët e një lokali.

Shtetasit e prangosur janë Gentian Kllogjri, 38 vjeç dhe Thanas Thoma, 38 vjeç.

Operacioni “Eksplozivi”

Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan finalizuan me sukses operacionin policor të koduar eksplozivi. Si rezultat i një hetimi intensiv të përbashkët të zhvilluar me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan u bë ndalimi i shtetasve:

Gentian Kllogjri, 38 vjeç banues në Elbasan

Thanas Thoma, 38 vjeç banues në Elbasan

– Më datë 06.05.2017 në Lagjen ‘Luigj Gurakuqi”, ata dyshohen të kenë vendosur lëndë plasëse  në tokë poshtë mjetit në pronësi të F.V..

– Më datë 22.05.2017 në Lagjen “Emin Matraxhiu” dyshohen të kenë vendosur lëndë plasëse në shkallët e një lokali në pronësi të L.D.

Vazhdojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv, mbetur në tentativë”  dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 152, 22 dhe 278/1 të  Kodit Penal.