
Dy mbledhje paralele, me dy kryetarë po zhvillohen sot në selinë blu. Njëri i zgjedhur pas një procesi të gjatë në PD, Sali Berisha i cili rikthehet në krye të kësaj partie 9 vjet pas dorëheqjes dhe Enkelejd Alibeaj i cili është kryetar i komanduar i PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, po diskutojnë me mbështetësit e tyre me dy agjenda krejt të ndryshme. Situata e ngërçit në PD vijon prej muajsh dhe asnjëra palë nuk e njeh tjetrën.
Enkelejd Alibeaj ka mbledhur Grupin Parlamentar në kuadër të diskutimeve për emrin e Presidenti të ri. Të paktën 20 deputetë janë në tryezë me Enkelejd Alibeajn. Gjatë mbledhjes, Alibeaj ka sugjeruar që mos të marrin pjesë në raundin e tretë për zgjedhjen e presidentit.
“Sugjeroj që s’ka asnjë arsye të marrim pjesë. Ata thyen marrëveshjen.’- tha Alibeaj.
Sakaq edhe Gazment Bardhi ka kërkuar që Partia Demokratike të mos marrë pjesë në raundin e 3-të për presidentin, kjo sepse sipas tij Edi Rama kërkon ta zgjedhë vetë presidentin.
“Që në nisje të procedurës për zgjedhjen e Presidentit ky grup ka thënë publikisht që Edi Rama e ka paracaktuar Presidentin. Opozita duhet të hynte në proces për ti rrëzuar maskën e fasadës sikur donte President konsensual. Në respekt të zgjedhësve tanë ne nuk bojkotuam procesin, ofruam në mënyrë parimore rregullat e një procesi gjithëpërfshirës dhe konsensual, për ti ofruar shqiptarëve një President konsensual. Shumica ra dakord publikisht për propozimin e procedurës së propozuar nga ne. Vetëm pas nisjes së procesit dhe propozimeve me emra konktet të grupit, Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja. Pas tërheqjes nga marrëveshja publike, unë mendoj që grupi ynë duhet ta konsiderojë të mbyllur këtë proces. Edi Rama prishi marrëveshjen me opozitën, sepse nuk don nje president për shqiptarët. Edi Rama u tërhoq nga marrëveshja, sepse e ka paracaktuar Presidentin. Prandaj unë mendoj që grupi duhet të dal me një deklaratë ku të sqarojë këtë pozicion dhe ne nuk duhet të vazhdojmë më me këtë pasi maska e fasadës së Edi Ramës ka rënë.”, tha Bardhi.
Deputeti Ferdinant Xhaferraj është shprehur se deri më tani grupi i PD ka mbajtur qëndrim duke marrë pjesë në proces me nxjerrjen e 8 emrave, por sipas tij Rama do e zgjedhë vetë. Ai tha se kreu i grupit negociator të trojkës socialiste, Taulant Balla, tashmë doli blof.
“Ne nuk duhet të bëjmë gabime. Deri më tani kemi mbajtur qëndrim dhe po dëshmojmë që nuk ishim si ata. Tani nuk duhet të vazhdojmë më. Ne si grup kemi rënë dakort që bojkoti është gabim. Morëm pjesë në proces dhe prodhuam 8 emra dhe shkuam deri këtu. Rama dëshmoi që ky i do të gjitha vetë. Tani Taulant Balla doli blof dhe lakuriq. Po ju tregojmë që nuk jemi as si Rama dhe as si Saliu”, tha Xhaferraj.
Edhe deputetja Tabaku u shpreh se Rama do të kapë çdo pushtet dhe do ta vendosë ai presidentin e ri
“Kemi ezauruar çdo hapësirë çdo përpjekje u bë e qartë në konferenca e kryetarëve që nuk kanë për të pranuar kandidat të opozitës! Ata thanë sillni një kandidat me 20 firma, ne nuk jemi pa qëndrim, ne jemi grupi i PD-së dhe kemi qëndrim politik! Nuk mund të themi hajde mbledhim 20 firma! Ne duhet të jemi parimorë, nuk e bojkotuam por tani, siç e thashë dhe në konferencën e kryetarëve, është e qartë që Rama do të kapë çdo pushtet! U tregua që ne i qëndruam parimeve, ata jo”, tha Tabaku.
Raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës është edhe shansi i fundit i opozitës, sipas marrëveshjes paraprake, ndonëse palët kanë kundërshtime. Në limitet e kohës për të dorëzuar një emër për kreun e ri të shtetit, vjen edhe lëvizja e radhës nga Enkelejd Alibejt që sot mblodhi grupin. Afati i fundit për depozitimin e kandidaturave në Kryesinë e Kuvendit është data 29 maj, ora 16:00 ndërsa në Kuvend pritet të kalojnë për votim kandidaturat më 30 maj.
Nga ana tjetër Komision i Rithemelimit nga ana tjetër është mbledhur në një sallë tjetër po në seli. Ata po diskutojnë për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Partisë Demokratike. Pritet që të përpilohet një listë me emrat e garuesëve për 15 vende në Kryesinë e PD-së. Po ashtu do kemi edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Grupit Parlamentar të PD-së. Të shtunë që vjen do jenë anëtarët që do të miratojnë listën e emrave për kryesinë e PD-së. Javën e ardhshme po ashtu do të zgjidhen edhe sekretarët, nënkryetarët e partisë.
Megjithëse palët kanë kundërshtime, raundi i tretë i zgjedhjes së presidentit të republikës është edhe shansi i fundit i opozitës për të propozuar një emër. Ditën e sotme, Enkelejd Alibeaj ka thirrur në mbledhje grupin parlamentar të PD për të diskutuar mbi këtë çështje.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply