Durrësi, një tragjedi e paralajmëruar!

Mentor Kikia

Sot, të gjitha zemrat tona janë me ata që kanë humbur të afërmit nga shembja e shtëpive në Durrës dhe zona të tjera. Sot, lutjet tona janë për ata që janë ende nën rrënoja, që të dalin gjallë prej tyre. Sot, krenaria jonë është për ata njerëz, pa dallim, ushtarakë e civilë, që, edhe me mjete primitive po punojnë për të shpëtuar jetë njerëzish. Por kaq!

Pas kësaj, nuk dua të shikoj më ministra e deputetë me qese ushqimesh dhe batanije në dorë, që përqafojnë njerëzit e trishtuar, për të bërë foto për në facebook. Pas kësaj, dua të shikoj një hetim të thellë, mbi ata që bënë vlerësimin e atyre ndërtesave që u dëmtuan nga tërmeti në shtator e u konsideruan të sigurta edhe pse u ishin çarë themelet e kolonat dhe që sot janë përtokë. Pas kësaj, dua të shikoj konstruktorë në bankën e të akuzuarve që kanë ngritur kolona pallatesh 8 kate me 4 shufra hekuri. Pas kësaj, asnjë pushtetar e politikan të mos marrë guximin e paturp e të dalë në TV për të thënë se “solidariteti ynë tregoi se me dashuri dhe unitet ia dalim edhe tërmetit”. Pas kësaj, asnjë ndërtues bastard të mos marrë guximin të dalë në TV për të thënë se ndërtimet tona janë të standardit europian.

Padyshim, natyrës nuk i del askush përpara. Por njeriu mëson nga fatkeqësitë. Shumë ndërtesa në Durrës, pas tërmetit të shtatorit, do të duhej të kishin “kryqin e kuq”, si të rrezikshme. Ndërsa pas tërmetit të sotëm, studiuesit duhet të ulen e të përcaktojnë standarde të reja ndërtimi, për ti dhënë fund katrahurës dhe epokës së normës së fitimit 300% në fushën e ndërtimit, si pasojë e cilësisë skandaloze.

Duhet të bëhemi gati të hapim edhe shtëpitë

Sot është beteja për jetën. Edhe një njeri i gjallë dalë nga rrënojat, është një fitore e madhe. Por nesër do të përballemi me problemin e madh të strehimit të mijëra familjeve. Jo vetëm ndërtesat që janë rrëzuar, por janë qindra pallate që janë dëmtuar(si këto në foto), duke u bërë të pabanueshëm. Asnjë familje nuk duhet të bëjë gabimin e 21 Shtatorit që të ngjitet në këto pallate me shpresën se nuk do të bjerë një tjetër tërmet për t’i rrëzuar.

Përpara është dimri! Mendoj se do të duhet ndihma e gjithkujt, jo thjeshtë për një batanije apo një trastë me ushqime. Askush nuk di të thotë tani se sa nga ato pallate mund të banohen, sa mund të riparohen e sa do të duhet të rrafshohen përtokë. Do të duhet kohë… Ndoshta do të duhet të hapim edhe shtëpitë, ata që kanë mundësi, ashtu siç bëmë në 1999 kur pritëm shqiptarët nga Kosova. Shteti ynë ka dëshmuar se është i pamundur të përballojë të tilla situata, dhe ai s’mund të ofrojë më shumë se çadra dhe batanije. Njerëzit kanë nevojë për ngrohje, ujë dhe higjienë. Në vend të dërgimit të ndihmave ushqimore në çadra, qeveria, apo organizatat e ndryshme, mund të mbështesin me ushqime familjet që kanë mundësi strehimi, duke mundësuar kushte më të mira. Unë jam gati të siguroj strehimin e një familjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet