Durrësi e Kavaja, mbi 2 mld lekë për tenderë të dyshimtë

Para fushatës zgjedhore, bashkitë nisin fushatën e tenderëve korruptivë.  Firmosen kontratat për investimin në plazhin te Shkëmbi i Kavajës dhe në repartin ushtarak të Kavajës. Shkelje në procedura dhe ankesa nga operatorët  

Neritan Gjergo

Në prag të zgjedhjeve vendore po vihet ré një prirje e bashkive për të prokuruar projekte me vlerë të madhe, kryesisht në infrastrukturë dhe rehabilitimin e fasadave. Qartazi, kjo është një metodë e vjetër për të fituar pikë gjatë fushatës elektorale, mandej edhe për të kërkuar votat duke referuar këto investime. Por,  kjo është vetëm fasada, ajo çka qytetarët shohin dhe prekin së jashtmi. Tenderët që hidhen në garë për këto projekte dhe procedurat e tyre shfaqin një dimension krejt të kundërt nga ajo që shpërfaqet në media, në rrjetet sociale apo edhe në takimet e kryebashkiakëve me qytetarët në terren. Gjatë javëve të fundit, “Shekulli” ka publikuar me dhjetëra tenderë, një pjesë e të cilëve shkojnë përtej mandatit që mbyllet në vitin 2018 dhe të tjerë me vlera të mëdha që kanë favorizuar kompanitë fituese duke përjashtuar të tjerat me arsyetime vulgare, edhe pse ato kanë paraqitur oferta ekonomike me fond më të ulët se fituesit. Tenderë si ai pastrimit për pjesën lindore të bashkisë Shkodër, fonisë së aktiviteteve të bashkisë Tiranë, rikonstruksioni i sallës së Këshillit Bashkiak në Vlorë etj., janë disa prej rasteve abuzive të shpërdorimit të parave të taksapaguesve, pikërisht për praktikën që është ndjekur për të shpallur fituesit.

Durrësi

Rasti i fundit që lë shkas për procedurë të parregullt, janë dy projekte të firmosura tashmë,  nga bashkia e Durrësit dhe ajo e Kavajës. Kontrata e tenderit me vlerë 195 milionë lekë është firmosur dy ditë më parë dhe detyron kompaninë fituese të rehabilitojë hapësirat publike pranë zonës së plazhit te Shkëmbi i Kavajës. Fituesi është përzgjedhur mes 15 operatorëve që shpallën interes, nga të cilët 12 janë skualifikuar me pretendimet përkatëse. Fitues për këtë projekt që do të kryhet për më shumë se 1 vit, është shpallur bashkimi i operatorëve Boshnjaku B dhe Çaushi shpk.  Për tenderin ka pasur ankesa, por ato nuk e kanë ndryshuar rezultatin. Boshnjaku B sh.p.k është themeluar në vitin 2006 me kapital themeltar 40 milionë lekë dhe deri më tani ka fituar 46 kontrata publike në vlerë nga të cilat ka përfituar 750 milionë lekë. Bean & Ed Konstruksion, operatorët që kishin paraqitur ofertë me vlerë ekonomikë më të ulët bënë ankesë pranë KPP-së, por praktikisht ata morën përgjigjen e parë të Komisionit që i skualifikoi.  “Në listëpagesat e operatorit ekonomik ne bashkim Ed Konstruksion, nuk janë me kohë të plotë pune punonjësit e stafit, sipas pikës “h”, konkretisht: Inxhinieri i Mjedisit K. Gj., Inxhinieri Elektrik N. Z., të cilët sipas Licencës së shoqërisë Ed Konstruksion, janë dhe drejtues teknik, se bashku me inxhinieren P. C., ku dhe kjo e fundit figuron në listëpagesa vetëm me dy ditë pune”, ishte arsyetimi që rrëzoi njërën nga 14 kompanitë garuese”, shkruhet në arsyetimin që skualifikon kompaninë.

Kavaja

Një tjetër tender me vlerë 250 milionë lekë shpalli fitues kompaninë “Vëllezërit Hysa” një javë më parë në bashkinë e Kavajës. Rasti është i ngjashëm. Nga 7 kompani që paraqesin interes, 6  skualifikohen për çështje që janë lehtësisht të zgjidhshme dhe fitues i  garës merr të drejtën për të kryer projektin për ndërtimin e parkut rekreativ në lagjen 2, Kavajë. Sipas dokumenteve, projekti i krijimit të Parkut Qendror Rekreativ në zonën e ish-repartit ushtarak synon të arrijë objektiva, të cilat në fokus kanë përmirësimin e jetës dhe kushteve sociale të komunitetit Kavajas dhe më gjerë. I) Krijimi dhe shtimi i hapësirave të gjelbra në shërbim të komunitetit. II) Krijimi i mundësive sociale për grupmoshat e ndryshme të qytetarëve. III) Reduktimi i treguesve ndotës të ajrit (dioksid karboni) duke shtuar mbjelljen e pemëve IV) Rigjenerimi i zonave të braktisura dhe shndërrimi i tyre në ambiente plotësisht të sigurta dhe të aksesueshme për banorët .V) Krijimi i ambienteve të reja relaksuese dhe sportive (pistë biçikletash, fusha basketbolli, kënde lojërash etj.) Pak para fitimit të këtij projekti, “Vëllezërit Hysa” fitoi tenderin për zgjatjen e korsive në liqenin e Belshit.

Pará të pakursyera

Sipas shifrave të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik, në 2018 fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria për prokurimet publike ka qenë rreth 98,1 miliardë lek për 5116 tenderë të fituar. Nga gara mes operatorëve ekonomikë privatë, kjo shifër është ulur në rreth 91,7 miliardë lek. Pjesa që mbetet, pra rreth 6,3 miliardë lekë, ose 6.45 për qind e fondit total të prokuruar për procedurat e fituara, janë paratë që iu kursyen xhepave të shqiptarëve. Në 2017 kursimi arriti në 8.9 për qind të vlerës totale të prokuruar për procedurat e fituara. Pra, të paktën në termat e kursimit të parave të shqiptarëve, 2018 ka qenë një vit me performancë më të dobët. Por jo vetëm në krahasim me 2017. Shifra prej 6.45 për qind kursim nga vlera totale e parave të shpërndara nëpër tenderë është më e ulëta në dhjetë vitet e fundit.

Tenderët

Deklarimet e rreme, përjashtohen 17 kompani

Për të paktën 55 kompani janë bërë propozime për përjashtim nga gara në procedurat e prokurimit të zhvilluara nga institucionet publike. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2018 nga ana e autoriteteve kontraktore janë bërë kërkesa për përjashtim për 41 operatorë ndërkohë që në 14 raste kërkesat kanë ardhur nga operatorët e tjerë ekonomikë. Agjencia e Prokurimit Publik raportoi se nga 55 rastet e propozuara për përjashtimin nga pjesëmarrja në prokurimet publike/ koncesione Partneritet Publik Privat, rezulton se 33 raste kanë qenë të mbështetura në parashikimet e nenit 13/3/a të LPP, pra, për keqinformim dhe paraqitje të dokumenteve me të dhëna të rreme. Po kështu në 20 raste të propozuara janë paraqitur kërkesa për mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe në 2 raste, janë mbështetur në vendimin e dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës për marrëveshje të fshehta në oferta. “Nga 55 kërkesat e administruara gjatë këtij viti, ka filluar procedimi administrativ për përjashtimin nga procedurat e prokurimit për 32 operatorë ekonomikë, ndërsa për 23 propozime nuk janë marrë në konsideratë, por i është kërkuar propozuesit paraqitja e dokumentacionit provues/plotësues apo nuk kanë qenë në kushtet e parashikuara nga dispozita ligjore për nisjen e procedimit administrativ nga APP” thuhet në raportin e Agjencisë. Në finale nga rastet për të cilat ka nisur procedura e përjashtimit, vendim është marrë vetëm për 17 operatorë. Nga këta 11 operatorë ekonomikë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimet publike për shkak të keqinformimit dhe paraqitjes në tender të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme, sipas përcaktimeve të nenit 13/3/a të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Gjashtë operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak se kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi, autoritetin kontraktor kurse 5 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak se kanë paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi. Po kështu pesë operatorë rezultojnë të përjashtuar për shkak se nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktuale për të cilat kishin nënshkruar kontratë me autoritetet kontraktore . Kujtojmë se në fund të vitit 2018, Kuvendi miratoi edhe ndryshime ligjore që synojnë të pengojnë aksesin në fonde publike të operatorëve ekonomikë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Referuar nismave ligjore të amenduara, nga tenderët publikë do të përjashtohen jo vetëm shoqëritë tregtare apo kompanitë që janë të përfshira në vepra të renda penale, por edhe ne rast se aksionerët e tyre janë të përfshirë në krime apo korrupsion. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, kjo është nismë ligjore e ndërmarrë nga Këshilli Ministrave, duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e qeverisë për të luftuar kriminalitetin në vend.

Vendimi

APP do të ndalojë marrëveshjet paraprake

Agjencia e Prokurimit Publik ka miratuar një vendim që detyron operatorët ekonomikë të plotësojnë   “Deklaratën për paraqitje oferte të pavarur”, duke synuar ndalimin e marrëveshjeve paraprake mes kompanive që marrin pjesë në tenderë. Përfshirja e këtij dokumenti ka ardhur pas një bashkëpunimi me Autoritetin e Konkurrencës, të cilit i është kërkuar mendim mbi këtë problematikë të ndeshur gjatë procesit të prokurimit. Sipas Agjencisë është pikërisht Autoriteti i Konkurrencës që ka propozuar përfshirjen e kësaj deklarate  në dokumentet standarde të tenderit për punë, mallra dhe shërbime, me qëllim ndalimin e marrëveshjeve në oferta ndërmjet operatorëve ekonomikë , në formën e konsultimeve, komunikimeve apo marrëveshjeve me ndonjë konkurrent në lidhje me cilësinë, sasinë, specifikimet apo dërgesa të veçanta të produkteve apo shërbimeve, të cilat lidhen me një procedurë prokurimi. Në jo pak raste operatorët ekonomikë bëjnë marrëveshjeve të fshehta mes tyre, duke rritur vlerat e ofertave apo ulur cilësinë e produkteve të ofruara, duke sjellë edhe dëm ekonomik në buxhetin e  shtetit. Urdhri i Agjencisë së Prokurimit Publik mban datën 8 mars 2019, megjithatë ai nuk specifikon sesi do të bëhet verifikimi mbi saktësinë e deklaratës apo se cilat do të jenë masat ndëshkimore në rast se konstatohet  se ajo është e pavërtetë.  2018-ta ka qenë viti i skandaleve të mëdha me tenderët, koncesionet dhe partneritetet publike-private, ku më i bujshmi ishte ai i Unazës së Madhe me kompaninë “DH Albania”. Kjo kompani fitoi lotin e parë me ofertën prej 18 milionë eurosh, të bërë në kufijtë e fondit limit, që ishte pak më shumë se 18 mln euro. Zbulimi i falsifikimit të dokumentacionit nga ana e kësaj kompanie në këtë tender, çoi në anulimin dhe përsëritjen e tenderit. Fondi limit ishte i njëjti. Kompanitë që morën pjesë në rihapjen e garës paraqitën oferta më të ulëta, duke kursyer pak më shumë se 3 milonë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për realizimin e të njëjtit projekt. Por, edhe me rihapjen e tenderit akuzat nuk munguan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet