Duro: Të mos pësojmë gol

Skuadra e Luftëtarit pret sot në shtëpi skuadrën e Partizanit në kuadër të takimit të parë të “Kupës së Shqipërisë”. Si për rastësi, kuqezinjtë do të përballen po me të njëjtin ekip që luajtën në fundjavë në kampionat. Në këtë sfidë pritet që në klubin e Flamurtarit të debutojnë edhe lojtarët e ofruar në merkaton e janarit, por është trajneri ai që do të thotë fjalën e fundit. Shpëtim Duro deklaroi se synimi i skuadrës së tij është ta mbajë portën e paprekur në këtë takim të ndeshjes së parë në mënyrë që të jenë më të qetë në ndeshjen e kthimit të Tiranë. “Është ndeshje kupe me specifikë të veçantë, nuk ka lidhje me kampionatin. Unë e kam thënë që nuk do të kemi ndryshime të mëdha në formacion. Muaremi po rikuperohet ndërsa Nedeljkovic dhe Zuka janë në dispozicion. Kupa është objektiv i rëndësishëm për të gjithë. Do të bëjmë maksimumin por këtë sezon kemi luksin që po ecim mirë. Është një përballje e ekuilibruar ndaj një skuadre të fortë si Partizani. Kualifikimi nuk do përfundojë në Vlorë por do të vendoset në Tiranë. Ndeshjet e kupës kanë specifike tjetër do të isha i kënaqur të mos pësonim gol që të ishte gjithçka e hapur në ndeshjen e dytë,” u shpreh trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro. Flamurtari arriti të mposhtë Partizanin në sfidën e javës së kaluar në kampionat me shifrat 1-0 falë një penalltie të akorduar në minutën e fundit të ndeshjes. Ndryshe nga ai takim, Partizani pritet që sot të jetë më i motivuar për shkak se ky kompeticion është edhe objektivi kryesor i të kuqve në këtë sezon duke qenë se çështja e titullit kampion duket një mision i pamundur. Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova ka mundësinë për të ulur pak presionin e madh ndaj lojtarëve të tij, por edhe për atë vetë. “Kupa e Shqipërisë” shihet si shpëtimi i sezonit aktual ku në rast triumfi kanë mundësinë të kualifikohen direkt në Kupat e Europës.

Të tjera

Abissnet