Droga në Vilun, si tentoi të arratisej polici, arrestimi pasi u rrëzua në kanal me makinë

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi 

Enriko Zyle kërcënoi shefin e FNSH-së së Shkodrës dhe i kërkoi të mos e prekin atë dhe as drogën. Çfarë ndodhi momentin e përballjes së efektivit të Kufirit me kolegët e tij. “Dorëzohet” një prej trafikantëve. Prokuroria pranon bashkëpunimin e tij, por ende nuk e quan të penduar

Polici nga Dukagjini, i cili shërbente në drejtorin e Kufirit në Tiranë, mësohet se ka bërë rezistencë për arrestimin nga ana e FNSH-së së Shkodrës. Ai i ka folur në emër komandantit të kësaj force policore, duke i bërë me dije faktin se ai nuk duhej ta prekte atë dhe as mallin e tij. Mirëpo, policia e ka patur të pamundur të mos e arrestojë 42-vjeçarin, i cili është gjendur aty, si duket për të kryer vetë nisjen e pjesës së tij që sipas të dhënave kishte sjellës nga zona e vendlindjes së tij. mirëpo policia ka këmbëngulur se duhej të arrestohej. Ai më pas, sipas prokurorisë, ka tentuar ta korruptojë drejtuesin e operacionit.

Sigurisht pasi e ka patur të njohur. Më pas kur e ka parë se nuk mund të kryhej as ai veprim për të shpëtuar veten, Enriko Zyle ka kërcënuar me mosdorëzim arme dhe me faktin se me personin me të cilin ka komunikuar do ta kishte personale. Ai, përveç se ishte vetë në polici kishte edhe vëllanë, më të madh se veten efektiv dhe madje në struktura drejtuese të Policisë së Shtetit. Nuk dihet se cila është e vërteta e asaj historie, por prokuroria ditën e djeshme ka bërë me dije se tashmë e ka një person, i cili ka dëshmuar, por që ende nuk e meriton statusin e të penduarit.

Arrestimi i policit

Policia i arrestuar gjatë sekuestrimit të drogës disa ditë më parë në Vilun të Velipojës ka tentuar të mbrojë deri në fund aktivitetin e paligjshëm ku ishte përfshirë, duke tentuar të korruptojë komandantin e FNSH Shkodër para arrestimit. Një pjesë e kanabisit të kapur në këtë operacion ishte marrë në zonën e Lumit të Vlorës.

Enriko Zyle, punonjësi i policisë i prangosur në Vilun të Shkodrës për sasinë e drogës së sekuestruar rreth 1.5 tonë, jo vetëm ishte i përfshirë në këtë trafikun e drogës. Edhe në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat.  Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se, Zyle, punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit, Tiranë, i ka premtuar një shumë të hollash komandantit të FNSH-së, Shkodër, që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale.

Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal. Por, burime nga organi i akuzës pohojnë se paligjshmëria e 42-vjeçarit Zyle ka shkuar deri në nxjerrjen e armës. Zyle u shoqërua forcërisht, duke mos pranuar të prangoset dhe duke mos e dorëzuar armën e shërbimit. Enriko Zyle është vëllai i zv/komandantit të kufirit në Shkodër, Ndrekë Zyle.

Po ashtu, burimet nga hetimi bënë me dije se një pjesë e madhe e sasisë së drogës së sekuestruar ishte siguruar në Malësinë e Dukagjinit, ndërsa pjesa tjetër kishte ardhur nga zona e Bregut të Lumit në qarkun e Vlorës. Sipas hetimeve të deritanishme, lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve Italiane

Rrëfimi

Një nga 7 të arrestuarit për 1.5 tonët e kanabisit sekuestruar dy ditë më parë në Vilun ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka nisur të rrëfejë duke treguar edhe skemën e trafikut të drogës. Sipas deklarimeve të tij ai ka thënë se: “Droga merrej në zonën e Vlorës, aty ku ka disa vende ku mbahet e paketuar, më pas e kanë transportuar me makina të marrë me qira në drejtim të Velipojës”. Dëshmia e personit që mendohet se është pjesë e trafikut të drogës ka ndihmuar hetuesit të kuptojnë dhe rolin e policit kufitar Enriko Zyle, ku sipas deklarimeve ai ka qenë personi që ka prenotuar për një natë të gjithë godinën që shërbente si hotel buzë plazhit.

Ndërkohë që ditën e sotme Krimet e Rënda do të vlerësojnë masën e sigurisë për 7 të arrestuarit për të cilët Prokuroria do të kërkojë masën “arrest me burg”. Dy ditë më parë në fshatin Vilun të Velipojës policia sekuestroi 1.5 ton drogë dhe arrestoi 7 persona, ku mes tyre edhe një polic. Sipas këtij deponimi, droga sigurohej në Vlorë, Tepelenë dhe Përmet dhe ai ka treguar edhe rolin që luanin edhe personat e tjerë që janë pjesë e grupit. Në lidhje me personin e Jaho Berdo, bëhet me dije se jo vetëm kishte në përdorim furgonin ku u gjet droga por dispononte edhe një patentë skafi. Policia dyshon se është pikërisht ai që do të bënte transportimin me skaf të kanabisit.

Vila u pagua 500 euro për një natë

I vënë në pranga si personi që kishte në përdorim banesën ku u gjet droga në Vilun dhe që ishte e një personi tjetër që ishte rezident në Itali, Sokol Ujka, bëhet me dije se ka marrë 500 euro vetëm për një natë. Ai kishte kërkuar atë shumë që polici dhe grupi i drogës të përdornin ndërtesën derisa të bëhej nisja e lëndës narkotike drejt Italisë. Ai është vënë në pranga në fakt si pjesë e grupit, po ka qenë vetë personi që ka rrëfyer në lidhje me grupin që ka bërë me dije për prokurorinë edhe sasinë e lekëve që kishin për t`i dhënë pas nisjes së mallit që ishte vendosur në atë ndërtesë.

Vila dykatëshe, që rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Petrit Vuksani, i cili prej vitesh jeton në Itali. Mësohet se është në përdorim prej shumë kohësh nga Ujka dhe prokuroria ka dyshime të forta që ajo ndërtesë ka shërbyer prej kohësh si bazë e strehimit të lëndës narkotikëve të grupeve që kanë shfrytëzuar Vilunin për të kapërcyer detin në drejtim të Italisë. Viluni është një nga pikat strategjike më të favorshme për trafikantët që prej më shumë se katër vitesh e kanë kthyer në vendin tranzit të trafikut të drogës, ndonëse rrallë është ndërhyrë, në dy raste policia ka realizuar edhe sekuestrim sasie të madhe kanabisi!