Droga e Vilunit sigurohej në Jug të vendit, kërkohen kapot e grupit

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Anila Dushi/Nikoleta Kovaçi

Prokuroria dhe policia japin detaje mbi grupin e Vilunit! Si funksiononin vlonjatë e shkodranë bashkë 

Policia justifikohet: U detyruam të ndërhyjmë më shpejt nga frika e ikjes së trafikantëve

Lëshohen edhe disa urdhër-arreste të tjera. Nisin kërkimet për zbulimin e kapove të grupit

Prokuroria i ka thënë policisë se duhej të mbante nën survejim një grup të drogës. Ishte nga ato grupet model të katër viteve të fundit, ndërsa droga sigurohej në Vlorë, sillej në Shkodër në besë të efektivëve të policisë dhe më pas bëhej gati për nisje. Lënda narkotike, kur vendosej në banesën-vilë, në zonën e Vilunit, priste aty derisa vinte radha e rrugës me skaf, për të bërë të mundur lëvizjen e drogës drejt Italisë. Prokuroria dhe Policia pretendojnë se bëhet fjalë për një grup vlonjatësh dhe shkodranësh, por çudia e madhe ndodh me faktin se edhe lënda narkotike që nisej nga ky gji i Adriatikut, diku mes Velipojës dhe Shëngjinit, ose e njohur ndryshe si “Rana e Hedhun”, sigurohej në Vlorë, Përmet dhe Tepelenë.

Në fakt, edhe në Shkodër dhe në rrethina ka sërish lëndë narkotike stok. Kjo drogë mbase është në atë gjendje prej dy vitesh, ndërsa grupi në krye të të cilit, ndonëse si forma garanti, është gjendur një zyrtar policie, nuk dihet se nga çfarë grupi do të lëvizet për tregun perëndimor. Janë burimet hetimore që tregojnë se janë lëshuar edhe disa urdhër-arreste të tjera. Do të jenë edhe persona të tjerë që do të bien në pranga, pas dy institucionet e hetimit dhe të gjurmimit pretendojnë se hetimi ka nisur prej disa muajsh. Ndërhyrja në banesën e marrë me qira enkas për strehimin e drogës, duket që është bërë para kohe. Ose kështu pretendon policia si gjithnjë në raste të tilla kur janë të implikuar efektivë të policisë.

Mekanizmi i zbulimit të trafikantëve

Policia e Shkodrës ka vijuar hetimet për sekuestrimin e 1.5 tonëve drogë në Velipojë. Të arrestuarit janë marrë në pyetje, por nuk kanë pranuar të kenë lidhje me njëri-tjetrin dhe me trafikun e lëndës narkotike. Sipas të dhënave pranë grupit hetimor, mësohet se pritet zbardhja e tabulateve të numrave të telefonit për të kuptuar lidhjen e të arrestuarve me persona të tjerë në këtë trafik. Të arrestuarit për sasinë e drogës rekord të sekuestruar në Vilun të Velipojës, kanë mohuar të kenë lidhje me njëri-tjetrin gjatë marrjes në pyetje në komisariatin e Shkodrës.

Burime pranë policisë së Shkodrës bëjnë me dije se ato kanë mohuar të kenë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike. Sipas po të njëjtave burime, mësohet se të arrestuarve i janë sekuestruar celularët, ndërkohë që po punohet për identifikimin e emrave të cilët mund të jenë të rëndësishëm në zbardhjen e porositësve të lëndës narkotike. Sipas burimeve pranë bluve te Shkodrës mësohet se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, mes Shkodrës dhe Vlorës nga ku janë edhe të arrestuarit e operacionit të sekuestrimit të 1.5 ton kanabis gjatë së shtunës në Velipojë.

Trafikantët e identifikuar

Grupi hetimor i ngritur në lidhje me këtë çështje pret tashmë zbardhjen e tabulateve telefonike për identifikimin e plotë të personave të përfshirë në këtë trafik. Enriko Zyle (efektiv i policisë) Sokol Ujka, Arbër Bozhanaj, Genti Dano, Dervish Gjolekaj, dhe Fation Merko janë personat e arrestuar dje në lidhje me sekuestrimin e 1.5 ton kanabisi të kapur në fshatin Vilun të Velipojës. Po sipas policisë, zbulimi i drogës së kapur ka qenë prej një telefonate të banorëve të Vilunit të cilët kanë parë lëvizjet natën në vilën e pabanuar dhe kanë menduar se ajo po vidhej.

Vila,që shërben si hotel në stinën e verës është në pronësi të Petrit Vuksanit, i cili prej vitesh jeton në Itali, ndërsa godinën e kishte lëshuar me qira Sokol Ujkës, i cili u arrestua si pjesë e kësaj organizate. Lëvizjet në këtë banesë kohët e fundit kanë tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës të cilët mbrëmjen e së premtes kishin telefonuar në sallën operative, për të denoncuar lëvizjet, që sipas telefonuesit ishte një tentative grabitje e banesës së emigrantit Petrit Vuksani.

Kjo telefonatë ka detyruar policinë të veprojnë me shpejtësi për të bërë të munduar sekuestrimin e 1.5 tonëve drogë të llojit kanabis sativa. Ndërhyrja ishte planifikuar në momentin që gomonia do të mbërrinte për tu ngarkuar, në breg, por u përshpejtua për faktin se lëvizjet dhe shqetësimi i banorëve mund të ishte pikasur edhe nga trafikantët dhe mund t’i shpëtonin operacionit të policisë, që kishte disa orë që kishte nisur.

Precedentët

Policia e Malit të Zi ka sekuestruar në kufirin me Shqipërinë 33 kilogramë marijuanë. Sipas televizionit shtetëror të Podgoricës, lënda narkotike po transportohej në vijën kufitare nga një shtetas shqiptar me anë të një mushke. Pasi ka parë policët, trafikanti ka hedhur drogën në tokë dhe është arratisur në territorin shqiptar. Agjentët nuk kanë bërë të mundur identifikimin e tij. Ndërsa bëhet me dije se autoritetet shqiptare janë informuar lidhur me ngjarjen.

Gjithashtu policia e Malit të Zi ka nisur hetimet për këtë rast ndërkohë që të dhënat i ka përcjell tek homologët shqiptarë. Sipas burimeve të hetimit që vijnë nga Shkodra bëhet me dije se prej shumë kohësh është mbajtur nën vëzhgim kufiri në të gjitha pikat e mundshme nga ku pretendohet se mund të lëvizet me kafshë në drejtim të Malit të Zi, por është e pamundur të kapen pasi banorët e zonës janë njohës mjaft të mirë të të dy anëve të kufirit. Transportuesi ka mundur të iki duke ua dorëzuar mushkën malazezëve megjithë drogë!