Dritëroi – frymëzuesi i përjetshëm

Një libër me kujtime për shkrimtarin Dritëro Agolli, politikani Arben Malaj shkruan mbresat e tij për një nga personalitetet më të spikatura të vendit që e inspiroi në jetë. Sipas tij ndikimi i Agollit tek shqiptarët ka qenë dhe është më i madh se i çdo lideri politik

Arben Malaj

Ftesën e Sadijes, zonjës fisnike, bashkëshortes së Dritëroit të madh, për t’iu bashkuar kolegëve që do të sjellin në këtë libër kujtime individuale, momente dhe vlerësime të veçanta, e prita me mirënjohje të jashtëzakonshme. Sinqerisht, akoma besoj se nuk më vinte mua radha të isha pjesë e komunitetit të miqve dhe kolegëve të shkrimtarit dhe personalitetit të shquar të historisë së Shqipërisë, PS-së dhe të majtës progresiste shqiptare, të shkruaja një dedikim të individualizuar për Dritëroin, i cili me një konsensus mbarëkombëtar është dhe do të mbetet një prej pak personaliteteve më të spikatura në historinë e Kombit Shqiptar. Dritëroi, më shumë se shumë prej intelektualeve dhe personaliteteve të Kombit Shqiptar, ka frymëzuar dhe ka ndikuar në reduktimin e mureve dhe pengesave ideologjike që në ditët e para të tranzicionit të vështirë shqiptar, tek  gjenerata shqiptarësh, për t’u bashkuar dhe angazhuar në sfidat jo të lehta të vendit tonë. Angazhimi im në jetën publike e politike të vendit tim, padyshim veç rrënjëve familjare ka pasur edhe ndikimin e disa personaliteteve inspiruese.

Pa dyshim Dritëroi, së bashku me prof Pëllumbin, Nanon, Dade, Meksi dhe Angjelin të cilin  ishin profesorët e mi gjatë viteve 1982-1986, në vendin tim që në vitin 1991 t’i bashkohem krijimit, ristrukturimit dhe modernizmit të Partisë Socialiste. Fillimi i tranzicionit në Europën Lindore ishte jo i lehtë. Shumë individë u orientuan në kalimin dhe anëtarësimin e tyre drejt partive të ndryshme politike duke “ndjekur nga pas” personalitetet publike që parapëlqenin. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri, lindja e pluralizmit politik, do të ndikonte rigrupimin e individëve drejt partive politike. Arratisja e Kadaresë ishte një mesazh i fortë për t’u zgjuar nga gjumi letargjik dhjetëra vjeçar. Ishte një inspirim që përgatiti protestat dhe paralajmëroi fillimin e fundit. Njerëzit e mëdhenj, flasin jo vetëm me veprat e tyre por edhe me veprimet e tyre, me analizat dhe qëndrimet e tyre publike. Sfida kryesore në lindje të pluralizmit politik, ishte jo krijimi i partive të reja, një tendence inflacioniste kjo e viteve të para të pluralizmit politik, por demokratizimi dhe modernizimi i Partisë më të madhe politike që ishte Partia e Punës, me influenca të mëdha në disa raste përcaktuese në trendin e zhvillimeve të ardhme politike. Pikërisht në fillimet e viteve 90, procesi i vështirë i ristrukturimit, demokratizimit dhe modernizimit të Partisë së Punës, ishte një mision fisnik dhe i dobishëm ndaj vendit, gjë që u provua gjatë tranzicionit Shqiptar.

Partia Socialiste gjatë viteve 1991-2009, ishte forca politike më moderne, më transformuese, më produktive në qeverisje dhe opozitë por edhe për reformimin e ekonomisë shqiptare dhe vendit në tërësinë e tij. Në çdo hap të këtij procesi historik, sidomos në përshpejtimin e vizionit, strategjive dhe hapave konkrete modernizuese të Partisë Socialiste, në momentet kyçe siç ishte Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, ku u shënua fillimi i ristrukturimit të PS-së nga një Parti e të majtës tradicionale në një forcë politike moderne që duhet të udhëhiqte tranzicionin shqiptar, hezitimit të justifikuar anëtarëve të thjeshtë të Partisë së Punës dhe presionit publik të nostalgjikeve që synon deri bllokimin e këtij procesi, u përball me vizion dhe me guxim shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli. Pesha e zërit të tij në publik, ndikimi tek shqiptarët në tërësi dhe tek socialistët, ishte dhe mbetet më e madhe se e çdo lideri politik të çdo partie politike. Pikërisht në këto momente të vështira dhe sfiduese, lindi njohja ime me Dritëroin e madh. Unë besoj së ndikimi i të madhit Dritëro, ka qenë i jashtëzakonshëm tek shumë individë dhe sidomos të rinj të cilët ishin në dilemën nëse do të qëndronin në PS apo do të shkonin tek PD, që hezitonin të angazhoheshin ose jo në politikë dhe nëse po, me cilën parti politike.

Në Shqipëri ndodhi edhe diçka që për nga përmasat nuk gjendet në vendet e tjera, ajo që pjesa me e madhe e artistëve kaluan menjëherë tek PD si Partia e parë opozitare në vend. Për një vend të mbyllur gjatë Periudhës Komuniste, më të mbyllurin, natyrshëm që dashnorët e lirisë do t’i bashkoheshin çdo individi apo force politike që do të luftonte për lirinë dhe aq më shumë për liritë themelore të mendimit të lirë, të fjalës së lirë, të mundësive pa pengesa për të punuar, fituar dhe përmirësuar jetën jo vetëm ekonomike. Në këtë kontekst historik të zhvillimeve sociale dhe politike të vendit tonë, asnjë personalitet apo individ nuk duhet (para) gjykuar për vendimmarrjet dhe angazhimet e tyre me njërën apo tjetrën parti politike. Ajo që duhet vlerësuar me mirënjohje është angazhimi i tyre për ta vrarë frikën, për t’i dhënë më shumë liri vetvetes, kolegëve dhe vendit të tyre, Ky ishte një trend i natyrshëm, sepse edhe në vendet e tjera të Lindjes ishin artistët ata që iu bashkuan partive të porsalindura.

Bashkimi i Dritëroit me PS-në

Pikërisht në këtë raport se ku u  anëtarësuan figurat me influencë artistike të të djathtës shqiptare, një figurë kaq e dashur, e respektuar, shpresëdhënëse dhe inspiruese, pikërisht Poeti i madh Dritëro Agolli, iu bashkua sfidave të Partisë Socialiste. Personalitete të artit dhe shkencës si Violeta Manushi, Limoz Dizdari, Xhevat Lloshi, Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi, Reshat Arbana, Vath Korreshi, Faslli Hamiti, Fatos Muça, Zihni Beqiri, me Dritëroin në qendër, formësuan buqetën e personaliteteve të artit me të cilën krenohej Partia Socialiste në përfaqësimin e saj politik në garat elektorale dhe në Parlamentin e vendit tonë. Bashkimi i Dritëroit me PS në ditët e para të tranzicionit, nuk ishte një veprim thjeshtë vazhdues i angazhimit me të majtën që e besonte, e donte dhe e ndihmoi të ristrukturohej dhe modernizohej sipas vizionit, misionit dhe modelit të partive progresiste social-demokrate në Europë. Dritëroi ishte dhe mbetet nga ata personalitete të veçantë në kombet e tyre që kontribuojnë për sfidat e vendeve të tyre me të gjitha mundësitë, ata kontribuojnë pozitivisht kur flasin në momente kritike, kur hezitimi ndaj domosdoshmërisë për ndryshime është masiv, dhe ju gjendeni për një moment i vetëm. Është ky testi i çdo  lideri të vërtetë, ky moment është test për vizionin dhe përgjegjësinë e tyre, është testi më i vështirë që çdo lider mund të përballet por që shumë pak prej tyre e fitojnë.

Pikërisht në momentin e nisjes së transformimit dhe modernizimit të ish Partisë së Punës, në një sallë kongresi ku shumë përbetoheshin ta “mbronin” Partinë e Punës nga çdo rrezik që i ofrohej, një sallë ku njerëzit e thjeshte dhe pa përfitime abuzive  gjatë periudhës që qeveriste Partia e Punës, të sinqertë në angazhimet e tyre, kërkonin në shumicë të mos prekej sado pak Partia e Punës edhe pse vendi po paguante çmime të rënda sociale, si varfëria, papunësia dhe mungesa e një opsioni social dhe ekonomik mbijetese ku humbja e tregjeve me barter (mall me mall), hapja e tregjeve përballë konkurrencës së vendeve më të zhvilluara, çoi në falimentim qindra fabrika dhe uzina dhe rriti në nivele mbijetese varfërinë, papunësinë dhe një inflacion treshifror. Pikërisht në këtë moment ishte vendimi vizionar, guximtar dhe publikisht influencues i Dritëroit për ta nisur, për të mos e vonuar dhe për të mos e deformuar reformimin dhe modernizimin e Partisë së Punës. Ishte pikërisht fjala e Dritëro Agollit që e lehtësoi, orientoi dhe e mbështeti këtë proces, pa të cilin PPSH do të mbetej një forcë politike konservatore dhe fundi i saj politik do të ishte i pashmangshëm. Shpërbërja e PP-së do të krijonte boshllëk pse jo edhe radikalizim të forcave politike në Shqipëri. Këtë influencë publike tek shqiptarët në tërësi dhe sidomos tek anëtarët e Partisë së Punës në ato momente të vështira, nuk mund ta përmbushte dot asnjë prej politikanëve të PPSH dhe të së majtës shqiptare, sepse askush prej tyre nuk e kishte atë vlerësim dhe dashuri që njerëzit e thjeshtë në çdo cep të Shqipërisë kishin për Dritëroin, dashuri që ka ardhur gjithnjë duke u rritur për shkak se kontributet e përhershme të Dritëroit kanë qenë vetëm pozitive.

“Kurrë nuk synoi dhe kurrë nuk pranoi ndonjë post partiak”

Dritëroi kurrë nuk synoi dhe kurrë nuk pranoi ndonjë post partiak, Dritëroi kurrë nuk synoi ndonjë post  qeveritar, apo post politik. Modestia e tij e qartësonte më shumë thelbin e kontributit të tij ndaj kombit të tij. Pavdekësia është cilësia identifikuese  e çdo lideri shpirtëror dhe/apo politik. Jam i bindur që kontributi i Dritëroit do të jetë i pavdekshëm. Pikërisht këtu qëndron madhështia e një personaliteti kombëtar si Dritëroi, i cili nuk ushqeu dhe nuk rriti asnjë ambicie karrieriste, nepotike apo keqpërdoruese nga ana e tij dhe as nga familja e tij. Në këtë këndvështrim, Dritëroi mbeti në kujtesën e shqiptarëve kudo në botë një lider shpirtëror më shumë së çdo përfaqësues partiak, edhe pse kurrë nuk e fshehu pozicionimin e tij partiak dhe kurrë nuk e hezitoi të kontribuonte në sfidat e vështira të së majtës shqiptare dhe në veçanti të PS. Ky status i veçantë e bënte Dritëroin të ishte “Anteu” i Demokracisë shqiptare sepse forca e tij ishte mbështetja tek njerëzit e thjeshtë të vendit të tij, forca e tij pozitivisht imponuese ishte dhe mbeti e materializuar tek “torba me baltën e Devollit”. Dritëroi mbeti personaliteti, ku grupet konkurruese apo “ndërluftuese” në Partinë Socialiste, synonin ta kishin në krahun e tyre.

Mençuria dhe pesha e përgjegjësisë publike, e mbajtën Dritëroin larg palëve duke shërbyer për zgjidhjen e problemeve dhe arritjen e sfidave dhe jo në angazhime lobuese “pro” apo “kundër” në debatet dhe ballafaqimet e herëpashershme të ideve apo grupimeve të ndryshme në PS. Po të analizohen me kujdes takimet e liderëve të së majtës me Dritëroin, ato janë bërë më intensive kur ndonjë individ kërkonte të futej apo ngjiste shkallët e shpejta të karrierës në PS. Një foto me Dritëroin, një mesazh nga Dritëroi ishte për ta bekimi i Patriarkut Socialist për të ardhmen e tyre politike. Të tjerë i ruheshin ndonjë mesazhi direkt ose indirekt, ndoshta nëpërmjet ndonjë batute, që mund të shkaktonte turbullirë në zhvillimet e brendshme ose individë të veçante i dëmtonte apo u  vononte ambiciet e tyre politike. Dritëroi nuk reagonte për emra, nuk reagonte për ngjarje të veçanta, ai reagonte fort dhe në mënyrë thumbuese për fenomene të cilat gërryenin jetën sociale dhe politike të vendit tonë. Reagimi i Dritëroit ndaj problemeve në administratën tonë publike në vitet 2000 ndaj fjalës “meritokraci” të qeverisë për reformën në administratën publike, e cila nuk përputhej me të vërtetën nepotike dhe korruptive në administratë, u përmblodh në fjalën “shkërdhatokraci” dhe pati një ndikim të jashtëzakonshëm për ta parë të vërtetën në sy. Kjo fjalë ka hyrë në fjalorin politik shqiptar sepse përdoret shpesh nga politikanët e majtë dhe të djathtë për të qartësuar të vërtetat reale përballë propagandës mohuese dhe zbukuruese të qeverive ndaj problemeve të mprehta sociale.

Ajo që të inspiron tek modeli i të madhit Dritëro, ishte korrektësia e tij publike, Dritëroi kurrë nuk nxiti apo u bë palë e debateve publike në vend qoftë ky debat midis palëve politike, midis intelektualëve, midis zhvillimeve brenda partive tradicionale apo partive të reja. Dritëroi ndoshta e ndjente shumë mirë, por edhe e respektonte me shumë fanatizëm, statusin e një personaliteti, që nuk do të mund ta keqpërdorte fuqinë e tij “të mbinatyrshme”, veçse për të ndikuar pozitivisht, për të zbutur luftën e ashpër politike në lindjen dhe vitet e vështira të tranzicionit tonë. Dritëroi kurrë nuk u përfshi në debatet midis korifenjve të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Heshtja e tij foli më shumë së çdo angazhim i tij i drejtpërdrejtë në këto debate. Heshtja e Dritëroit nuk vinte nga pamundësia, por nga përgjegjësia për të mos ushqyer këto ballafaqime publike në disa raste të ashpër midis korifenjve të kulturës sonë kombëtare. Heshtja e Dritëroit në këto raste konkrete nuk ishte pamundësia e tij, nuk ishte hezitimit i tij, nuk ishte frika, por ishte mundësia më e mirë për ta aprovuar publikisht dashurinë e tij, dhembshurinë e tij, përkujdesjen dhe përgjegjësinë e Dritëroit për Kombin shqiptar, sepse çdo komb duhet të ketë një personalitet me influencë publike, sepse ata mund të jenë promotorët me më ndikim për ndryshimet e domosdoshme, mund të jenë amortizatorët më të mirë të grindjeve dhe sherreve midis intelektualëve dhe politikanëve, mund të jenë inspiruesit më të mirë të faktorëve socialë dhe politikë në momentet e ndryshimeve të mëdha si edhe dhe për ndryshimet e mëdha kur e shkuara pengon të tashmen dhe e tashmja pengon të ardhmen europianizuese të kombit tonë.

Kjo cilësi dhe ky mision i gjallë i Dritëroit sot gjendet rrallë dhe në të ardhmen mund të gjendet akoma më rrallë në shoqërinë tonë që po gërryhet nga reduktimi i kohezionit dhe solidaritetit social. Sa më shumë të mungojë një vlerë njerëzore dhe sa më shpejt të rrallohen edhe në mënyrë të natyrshme personalitetet edhe kombëtare me këto vlera të spikatura, aq me shumë e ardhmja jonë bëhet e paqartë dhe e pasigurt. Aq më tepër në Ballkanin tonë ku sipas Churchill prodhohet më shumë politikë sa mund të konsumohet, ku teprica e politikës nacionaliste e proteksioniste është e pa konsumuar nga politika dhe politikanët, ku aq më shumë rrezikohemi që tepricat të ushqejnë konfliktet dhe luftërat, hijet e të cilave në të shkuarën e përgjakur dhe varfëruese të Ballkanit mund t’i ndeshësh si thëngjill të mbuluar nga pluhuri i paqes, e cila është arritur por është e paqëndrueshme.

Takimet e mia me Dritëroin

Thëngjijtë e pashuar do të vazhdojnë të mbeten të tillë ndoshta edhe për disa dekada, të paktën deri atëherë, kur projekti i Europës së Bashkuar do të mund ta imponojë modelin e saj të suksesshëm të zhvillimit, ku zhvillimi ekonomik e social mund t’i zbehë apo shuajë thëngjijtë zjarrndezës poshtë hirit të konflikteve dhe luftërave të Ballkanit Perëndimor. Këta thëngjij shpesh trazohen dhe mbahen të pashuara nga interesat gjeopolitike. Por Dritëroi kontribuonte edhe kur nuk fliste në debatet e brendshme politike dhe në grindjet publike midis individëve apo rrymave brenda politikës shqiptare dhe në veçanti brenda së majtës, dhe sidomos brenda PS, ku pritej me padurim një fjalë qoftë edhe e vetme nga Dritëroi. Marrëdhëniet e mia me Dritëroin kanë qenë përherë pozitive dhe inspiruese. E kam takuar disa herë në familjen e tij. Kemi diskutuar edhe rreth zhvillimeve ekonomike, sociale dhe në Partinë Socialiste. Takimet e mia, të cilat Dritëroi i mirëpriste, ishin inspiruese për mua aq më tepër që unë shpesh nxisja dhe përfshihesha në sfidat e brendshme të PS me dëshirën dhe detyrimin për ta përmirësuar dhe ta rritur kontributin pozitiv të PS-së në sfidat e vendit dhe kombit tonë. Shumë prej sfidave të lirisë, pavarësisë dhe hapave të para shtetformuese të Kosovës martire, ndodhën gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste 1997-2005.

Angazhimi im deri në krijimin e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe apo edhe me konkurrimin si kandidat i pavarur në Qarkun e Vlorës në vitin 2013, angazhimi për të paralajmëruar për risqet e mëdha që mund ta gërryenin PS dhe të majtën shqiptare siç ishin, ai i pushtetit absolut ekonomik, politik dhe kontrolli mbi mediat, pushteti absolut i shumë pak individëve në nivel lokal dhe qëndror, pushtete të përqendruara në pak duar dhe për periudha të gjata deri në shumë të gjata, ishin risqe jo hipotetike, por sëmundje të identifikuara shpesh që në hapat e para të qeverisjeve të tranzicionit tonë. Takimet me Dritëroin ishin shumë frymëzuese për mua; nuk kishe një mundësi më të mirë, më neutrale, më me përvojë për të testuar idetë dhe angazhimet e tua. Dritëroi i madh, kurrë nuk më këshilloi as nëpër rreshta, të bëja kujdes se nga debatet e brendshme  dëmtoja Partinë, kurrë nuk me këshilloi të mbështetesha tek ky person apo të bëje kujdes nga ai person. Dritëroi në takimet tona kurrë nuk e ofronte kontributin e tij tek fokusimi tek emrat apo ngjarjet e veçanta, por tek parime të rëndësishme. Dritëroi e donte dhe e nxiste debatin e brendshëm, inspironte për të kontribuar sa më shumë në sfidat e PS, vendit dhe kombit tënd. Mbështetjen e Dritëroit e ndjeja, e prekja në takimet e përbashkëta por edhe në intervistat e tij, ai kurrë nuk më atakoi apo etiketoi jo pozitivisht gjatë inicimit dhe promovimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe që ishte një nga investimet e mia më të mira për vendin tim.

LMN ishte dhe ndoshta do të mbetet investimi im plot dashuri dhe përkushtim për vendin tim nëpërmjet modernizimin të PS-së përpara ardhjes në pushtet, kur lidershpi i PS mbronte opsion  tjetër, atë të ardhjes sa më parë dhe me çdo kusht në pushtet dhe, “kur të jemi në pushtet e kemi me të lehtë ta hapim dhe modernizojmë Partinë Socialiste”. Bazuar edhe në eksperiencën personale, por edhe nga studimi i eksperiencave të partive të tjera të majta dhe të djathta, qeverisja ishte gërryer për shkak të arrogancës me votuesit, për shkak të rritjes së distancës midis tyre vetëm pak muaj pas marrjes së një pushteti politik nga votat e tyre, për shkak të nepotizmit duke krijuar qeverinë e shokëve dhe për shokët, nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, në atë kohë, paketa ime për modernizmin e PS (prezantuar në Universitetin Europian të Tiranës), argumentonte domosdoshmërinë që partitë politike duhet të parapërgatiten duke u hapur, bërë më transparente dhe duke u modernizuar përpara ardhjes në pushtet. Kjo është jetike sepse cilësia e qeverisjes kushtëzohet nga cilësia e forcave politike që fitojnë votën, por edhe përgjegjësinë për të mirëqeverisur vendin e tyre. Dritëroin e ndjeja pranë edhe në momentin e vështirë kur Kryetari i PS-së mori vendimin dhe kryesia e votoi në mënyre unanime (disa me kokën lart të servilizmit ndaj Kryetarit dhe disa me kokën ulur ndaj PS-së) për të më përjashtuar nga mundësia për të konkurruar për deputet i PS-së vitin 2013, dhe unë mora vendimin e vështirë për të konkurruar si i pavarur, jo për të qenë deputet, por për t’i ofruar mirënjohjen time njerëzve të mrekullueshëm dhe fisnikë të Qarkut të Vlorës pas 16 vite të votëbesimeve të tyre për t’u shërbyer 16 vite (1997-2013) në Kuvendin e Shqipërisë.

Në atë periudhë, Dritëroi foli nëpërmjet një vizatimi të publikuar nga karikaturisti i talentuar Bujar Kapexhiu, ku Dritëroi shprehet thjeshtë dhe qartë “Arben, Ata e kane gabim me ty!”. Koha vërtetoi këtë mesazh mbështetës të Dritëroit. Shpesh miqtë dhe familjarët e përkujtojnë të dashurin e tyre me vizita në familje dhe varreza. Për Dritëroin, përkujtimi është më i thjeshtë sepse ai është i përditshëm, ai ndodhet në çdo bisedë miqësore, ndodhet në çdo libër dhe në çdo kontribut të Dritëroit, që ndër vite do të përcillet në qindra mijëra lexues. Për Dritëroin përkujtimi do të jetë përherë më i lehtë por përherë e më i dashur, përherë dhe më i domosdoshëm sepse sfidat tona do të jenë përherë e më ambicioze. Dritëroin do ta kemi në çdo përkujtim të PS, do ta kemi pranë në çdo situatë të vështirë personale, politike apo kombëtare. Ai na i ka lënë të gjalla të gjitha analizat dhe këshillat e tij të cilat janë qirinj të ndezur për ta parë më qartë të ardhmen tonë. Nëse ne do ta shikojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë me vizionin dhe dashurinë e Dritëroit, ajo do të jetë më e mirë, më bujare, dhe mirënjohëse. Faleminderit nga zemra i dashur Dritëro! Faleminderit për kontributet tuaja inspiruese edhe tani që vetëm fizikisht nuk jeni i gjallë! Faleminderit për modelin e liderit shoqëror dhe politik që ju krijuat, model ku duhet të maten/ballafaqohen përditë personalitetet tona kulturore dhe politikanët aktualë dhe të brezave të ardhshëm. Faleminderit që kurrë nuk ushqyet grindjet dhe prapaskenat por u përkushtuat përherë për mirëkuptimin dhe paqen! Faleminderit që nëpërmjet veprave tuaja, jo vetëm të shkruara, na keni krijuar mundësinë më të mirë të shohim vetveten në çdo hap të angazhimeve tona personale, familjare por edhe në mandatet  publike dhe politike. Qofsh i pavdekshëm dhe përherë i bekuar në misionin tuaj fisnik, të një personaliteti që mbi gjithçka dhe kurdoherë i shërbeu plot dinjitet dhe dashuri vendit dhe kombin të tij!

Tiranë, 25 Janar, 2019     

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet