Dritëhijet e reformës në drejtësi

Nga Pjetër Ndrea

Nuk di rast tjetër që publiku shqiptar të ketë patur pritshmëri, shpresë dhe besim më të lartë se në nismën për Reformë në Drejtësi. Nga fillimi deri sot ka tërhequr vëmendjen e jashtëzakonshme të shoqërise, institucioneve e faktorit ndërkombëtar, si domosdoshmëri imperative e kohës, për shkak të perceptimit publik dhe ndërkombetar ndaj institucioneve të drejtësisë, si të dominuara nga korrupsioni, material e moral, kapja politike, emërimi nepotik, korporativizmi, paaftësia profesionale, mungesa e integritetit, për t’u perballur me krimin, veçanërisht krimin e organizuar, korrupsionin e personave me funksione publike. Kjo “agjenturë krimi” gjatë viteve rezultoi një hap përpara superstrukturës, fitoi imunitet përballë drejtësisë.

Kriminelë të kësaj natyre, kur burgoseshin nga dera, dilnin nga dritarja. Drejtësi de facto në faliment. Rënia e besimit publik mbi drejtësisë njohu kufij të paparë. Një exit poll, do të rezultonte me një përkrahje të jashtëzakonshme të reformës. Burimi i besimit public? Si parantezë mendoj se shqiptarët, në përgjithësi, verbërisht i besojnë vetëm Zotit. Besim i madh jo verbërisht, i shqiptarëve bazohet te BE dhe SHBA-të, jo vetëm si superfuqi, por dhe nga përvoja historike. Preceptimi publik mbi implementimin e reformës, po shoqërohet me hije dyshimi dhe rënie besimi. Me Ligjin Nr. 76/2016 datë 22.07.2016, Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998,“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, u miratuan amendamentet kushtetuese, me revizionim të Komisionit të Venecias, me maksimalen e vullnetit formal të forcave politike.

Presioni i ndërkombëtarëve jo vetëm mbi forcat politike në parlament, por edhe ndaj deputetëve si individë, për miratimin e ligjit në bllok, tregoi se këta të fundit nuk kishin imunitet në pavarësinë e tyre. Shfaqja formale e vullnetit pro draftit kushtetues të 140 deputetëve, ishte rast unikal i votimit parlamentar në postdiktaturë. Pasoi një situatë ku evidentohen rrëshqitje cilësore në pritshmërinë e parametrave të reformës, në normat kushtetuese, të reflektuara tashmë në kalimin e kompetencave kushtetuese nga Presidenti te kryetari kuvendit; në afatet ligjore të shkurtëra, për aplikimet dhe Institucionin e Presidentit, të ushtrimit të kopetencave për reformën, (Presidentit, i përcaktohet afat 5 ditor, nga hyrja në fuqi e ligjit për paraqitjen e listave të kandidatëve në kuvend) lënë pershtypje se hartuesit e ligjit, kanë patur qëllim vënien në pamundësi të institucionit, për  ushtrimin e tyre, me qëllim ushtrimin e këtyre kompetencave nga institucione, mbi të cilat fitohej më shumë garanci, për seleksionim të aplikantëve mbi bazën e preferencës politike etj; Në afatet kohore të përcaktuara për krijimin e organeve të qeverisjes së drejtesisë, (KED, KLGJ, KLP, I.LD) të cilat kushtetuta u përcakton krijimin brenda 8 muajve nga miratimi i ligjit, në bazë të të cilës këto organe duhej të ishin në veprim nga prilli 2017, por që janë ende në vakancë 9 muaj pasi ka skaduar afati ligjor.

Pritshmëritë në vazhdim: Referuar ligjit kushtetuese në nenet 136/a dhe 148/ç, përcaktohet në mënyrë taksative se: Gjyqtarët dhe Prokuroret, mund të emërohen pasi: Të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Çdo ligj i ri, duhet justifikuar me kapacitetin që ofron vendi për implementim. Nëse reforma synon kthimin e besimit të sistemi i drejtësisë, nënkupton një filtrim të kontigjentit të rreth 800 vendeve të tilla pune, sjelljen e tyre në perputhje me ligjin, nevojat për emërime të reja nuk mund të jenë as 10 as 20 të tillë, po dhjetra. Formalisht, ligji krijon përshtypjen e idealizimit të procesit. Pyetjet që shtrohen: -A mund t’i përgjigjet ligji me këtë strukturë synimit të reformes, lidhur me: kapacitetet, që do të thotë, ka magjistratë mjaftueshëm të lirë?

Pa dyshim jo. Janë magjistratët e sapodiplomuar, pjesa më e kualifikar krahasuar me juristët me diploma master shkencor, profesional ose te barasvlershsme me to, me vite përvojë në profesion? (Pergjigja e një kandidati në seancën e dëgjesës së komisionit parlamentar për P.P.P. “Jam më i aftë se një magjistrat” përmban një dozë të të vërtetës). Mungesa e përvojës, e të emëruarve të sapodiplomuar, do të reflektohet, në procese, pretenca penale, vendime, me nuanca “copy paste” leksionesh, në vend të një analize të thelluar arsyetimi, vendimesh, bazuar në parimet e të drejtës, premisa të domosdoshme për të bindur palët e pjesëmarrësit në proces për drejtesi të maturuar. Mungesa e pasqyrimit real të parimit të kontradiktoritetit në tërësinë e provave të administruara në arsyetimin e vendimeve, ka sjellë pasojë, vendime të padrejta, fluks të madh apelimesh, kosto, vonesa, dyshim, koorporativizëm dhe preceptim korruptiv te sistemit.

Paradoksi ligjor: Diplomimi në magjistraturë si kriter i prerë ligjor për emrimet gjyqtarë e prokurorë, nuk është i tillë. Për të zgjedhurit në organet e qeverisjes së Drejtësisë, (K.E.D.,K.L.GJ, K.L.P, I.L.D), përfshirë drejtuesit e tyre ekziston dyshimi i bazuar se, procesi do të vazhdojë të përballet me situata objektive, ku kriteri i vendosur, kthehet në pamundësi për vazhdim e përmbyllje të procesit. Në këtë fazë të procesit, si dhe deri tani, nëse nuk i paraprihet me ndryshimin e nevojshëm të ligjit, situata do të shoqërohet  me efekte negative në afrimin e vetafrimin e kontigjentit, për të shërbyer në sistemin e drejtësisë në dy drejtime: Së pari, ne respekt të ligjit, pjesa më profesionale, serioze, e ndërgjegjshme e juristeve, ndonëse me eksperiencë në profesion, zotërues diplomash master shkencor, e të barasvlefshme me to, nuk do të vetafrohen në sistem megjithëse kapacitete, formalisht nuk janë magjistratë, kriteri ligjor është pengese për këtë kontigjent.

Kujtoj këtu thirrjen e Ambasadorit Lu, “ Kush është patriot duhet të kontribojë në reformë”. Patriotë ka, nëse nuk thirren te “Kasapi” . Ligji është ligj, hapini derën ligjit, e prisni patriotët z.ambasador. Së dyti: Në këtë situatë do të futet në veprim “dora e fshehtë” duke informuar konfidencialisht, afruar e më pas emëruar “listën e të preferuarve të politikës” juristë jomagjistratë, të cilët në ngjashmëri me kontigjentin e të larguarve, do t’i shërbejë politikës, pushtetit, lekut, mikut. Drejtësia do të presë pas dere. Reforma ka vënë në provë vlera e nevoja të jashtezakonshme morale, materiale, financiare, njerëzore, institucione të rëndësishme të vendit dhe aktorë strategjikë ndërkombëtare, që nuk mund as duhet të humbasin në formalitet. Përndryshe populli e ka shprehjen “U mbars mali e polli një mi” .

Të tjera

Abissnet