Drejtori i ALUIZNI-t merr 30 mijë euro për një pallat

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Skandali në Sarandë/ Një punonjëse e administratës denoncon faktet e korrupsionit të drejtorit të ALUIZNI-t.

Një letër e një punonjëseje në qytetin e Sarandës e dërguar në faqen e diell-online.al denoncon korrupsionin në  drejtorinë e ALUIZNI-t të qytetit jugor dhe në veçanti, drejtorin Marjel Murati. Qytetarja ka folur me shifra konkrete se sa ryshfet duhet të paguhet për ndërtime dhe ka renditur me iniciale personat, të cilët kanë paguar lekët. Në mesazhin e mbërritur, nënvizohet edhe fakti se Murati është një fotograf me diplomë false si dhe pa shkollën e mesme që sorollat njerëzit dhe kërkon pará hapur.

Më tej qytetari bën të ditur se Artan Lame, nëpërmjet një shkresë zyrtare, i ka kërkuar Hipotekës së Sarandës të anulojë disa nga regjistrimet e bëra. Diell-online.al ka siguruar edhe shkresën e cila mban firmën e Lames, të cilën e boton dhe “Shekulli” sot. Qytetarja në letrën e saj dëshmon se drejtori i ALUZINIT e ka bërë rrugë që të marrë lekë për çdo që shqyrtohet për legalizim. Nga 10 mijë deri në 30 mijë, sipas rastit, qytetarja shkruan se këto shuma të majme nuk shkojnë vetëm për drejtorin, por edhe për persona të tjerë me pushtet në Partinë Socialiste.

Duke bashkëlidhur një shkresë të përcjellë nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, qytetarja i mëshon aferës korruptive, e cila,  sipas saj u ka pirë gjakun qytetarëve të Sarandës. Me bindjen e plotë, se në dijeni nuk është vetëm ajo, por shumë qytetarë, punonjësja i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të shohë me përparësi rastin për ndaljen e abuzimeve dhe hetimin për çdo rast.

Mesazhi i plotë

Unë jam punonjëse e administratës në qytetin e Sarandës. Nëpërmjet faqes tuaj dua të sjell një shqetësim që po kthehet në plagë në qytetin e Sarandës dhe që në vend që t’i jepet zgjidhje bëhet dita ditës më i rëndë. Ka disa muaj që drejtoria e ALUIZNI-t këtu po bën korrupsion që nga specialisti i thjeshtë dhe deri veçanërisht drejtori Marjel Murati që bën kërdinë duke sorollatur njerëzit për lejet dhe duke ju kërkuar para. Ky njeri përveçse është pa shkollën e mesme dhe e di i gjithë qyteti edhe shkollën e lartë e ka të paguar. Ky është modeli i drejtuesit që na vuri Rilindja në këto zgjedhje, fotograf me diplomë false. Lekët nuk i merr për vete, por, sipas tij, i duan “ata lart”. Çdo gjë me lekë, kurse katet e pallateve me euro duke grabitur djersën dhe gjakun e njerëzve. 30.000 euro për një pallat tek rruga e pestë me iniciale V.B, 14.000 euro për një pallat në lagjen 4 me iniciale I.S., 10.000 euro për një pallat me investues L.L, 4 milionë lekë nga një qytetar në Xarrë me inicialet S.K. që e nxorën dhe në televizor, (pará që u përdorën për aktivitetin me kryeministrin në Xarrë).

Me këto lekë doli dhe i pari në republikë ky analfabeti që mezi hedh firmën. Në 21 shtator Artan Lame i kërkon hipotekës që të pezullojë regjistrimin e 28 objekteve si leje të dyshimta. Në dispozicion është edhe shkresa. Një numër i madh për t’i bërë pa dashje, një numër i vogël në krahasim me shkeljet e shumta të kryera nga këta gjobëvënës me emërim. Në listë ka emra me rastet më flagrante: F.D me një objekt të shkatërruar nga INUK-u, M.L me një objekt që nuk ekziston fare, bile këta të dy janë matur nga shefi i legalizimit Elton Lalaj dhe Helidon Onjea që bashkë me drejtorin kanë falsifikuar të gjitha materialet: R.D me objekte mbi det, etj. Nuk përmenden veçse dosje me iniciale P.DH, S.H, F.H, D.B, L.B, S.C etj. që ju është dhënë shumë më shumë tokë nga sa ju takon me ligj. Të gjithë këto emra i vërtetoni kur të doni se i dinë të gjithë. Pse z. Lame nuk e denoncon në prokurori këtë maskara që ka falsifikuar dokumentet? Ky që del në televizor të na hapë barkun me intervista ku nuk lidh dot dy llafe nga injoranca. Kush janë ata lart që të na pihet gjaku ne këtu poshtë? Këta politikanët që e mbështesin nuk na dinë gjë fare? Përgatiti N.Gjergo

Batërdia

Skandali që ka përfshirë institucionet e pronave, është zbardhur edhe nga lupa e Kontrollit të Lartë të Shtetit dy muaj më parë çka tregon se Saranda  nuk është rast i izoluar. KLSH vlerëson se 2.4 miliardë lekë kanë shkuar dëm për 4 vite, në dy institucionet që japin lejet dhe tapitë e banesave. Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se dëmi është konstatuar nga auditimet e ushtruara në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, si dhe në degët e ALUIZNI-t. Sipas KLSH-së, për periudhën 2013-2017, në këto dy institucione janë ushtruar 40 kontrolle, nga të cilat 22 në zyrat e Regjistrimit të Pronave dhe 18 në drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t.

Ndër abuzimet që janë gjetur, firot kanë dalë nga regjistrimet e falsifikuara të pronave, mbivendosjet, legalizimet e paligjshme dhe mosarkëtimi i taksave. Sipas KLSH-së, në total këto abuzime arrijnë në 2 miliardë e 404 milionë lekë. Por institucioni më i lartë i kontrollit thotë se ky është vetëm dëmi i matshëm. Për shkeljet e zbuluara KLSH raporton se ka kallëzuar penalisht 196 punonjës dhe ka kërkuar largimin nga puna të 134 të tjerëve. ALUIZNI dhe Zyrat e Regjistrimit të Pasurive janë ndër institucionet më të denoncuara nga qytetarët për burokraci, por edhe korrupsion.