Dosja “Aldo Bare”, Gjykata Kushtetuese i hap rrugën “lirisë”

Publikuar më 08. 03. 2017 nga Eno Shkëmbi

aldo bare ne gjykate 14 korrik 2010Nga Nikoleta Kovaçi

Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për dënim me burgim të përjetshëm Aldo Baren. Burimet nga kjo gjykatë bëjnë me dije se vendimi ka ardhur pasi janë konstatuar një sërë shkeljesh në dosjen e tij që ndodhet në këtë Gjykatë prej disa ditësh. Tashmë, dosja e njeriut që u vu nën akuza të rënda dhe madje iu faturua edhe një bandë kriminale, do të shqyrtohet sërish në Gjykatën e Lartë. Nuk dihet se cili do të jetë vendimi që do të marrë kolegji i kësaj Gjykate, por prej kohësh avokatët mbrojtës të të akuzuarit për një mori krimesh të rënda kanë kërkuar që të rishihet dosja e klientit të tyre në të cilën kanë shquar se bëhet fjalë për shkelje të rënda që në fazën e hetimeve. Edhe pse Alfred Shkurti, i njohur me emrin Aldo Bare është në qeli që prej 12 vitesh, kohë kur edhe u arrestua në Turqi për llogari të shtetit shqiptar. Ai u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa u soll i lidhur këmbësh e duarsh në aeroportin e Rinasit, teksa autorësinë e tij mbanin një sërë vrasjesh dhe ngjarjesh të rënda kriminale.

Megjithatë mbrojtësit e tij, që në kohën kur erdhi në Shqipëri klienti i tyre tentuan të kërkonin heqjen e dënimit të përjetshëm për të për shkak të të njëjtit problem që tashmë edhe duket se do t`i japë lirinë të fortit të Lushnjës. Aldo Bare Alfred Shkurti, është një prej emrave më të lakuar në vendin tonë, e jo vetëm në media por edhe në sferën e politikës. Në fakt nëpër kohë të ndryshme shumë ngjarje janë transmetuar sipas kohës politike në të cilën ka kaluar vendi, aq sa edhe sot vendimi i gjykatës, ani pse është i Gjykatës Kushtetuese nis të njehsohet me vendime afërsisht të ngjashme, ku lakohet edhe lirimi më i fundit i bujshëm, ai i Lulzim Berishës. Por Aldo Bare, në kohën kur u bë jo vetëm i njohur në Lushnje për bëmat e tij, vinte nga radhët e skuadrës më të mirë policore që kishte pasur vendi. Që nga përplasja me Artur Dajën e në vazhdim emri i Aldo Bares u vesh me politikë si gjithçka tjetër në këtë vend dhe më pas sigurisht që çdo ngjarje që ndodhte në atë zonë do të lidhej me emrin e tij. Megjithatë do të jetë tashmë Gjykata e Lartë ajo që do të përcaktojë fatin e dosjes së lushnjarit që në `97-n u kthye në komisarin e Lushnjës, duke formuar një “komisariat” të vetin policor ku thuhej se mbronte Lushnjën po njëherësh edhe luftonte rivalët e vet, rivalë që i vranë të vëllanë.

Nisja e përplasjeve

Pas vrasjes së të vëllait të tij, Ramadan Shkurti, u tha se nisi të formësohet grupi që më pas u njoh si “Banda e Lushnjës”. Akuza që iu faturuan këtij grupi sipas prokurorisë ishin: Krijim i organizatës kriminale, 15 vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, vendosje eksplozivi në stadiumin e Lushnjës, vendosjen në 2001 eksplozivi në banesën e inspektorit të policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, vendosje e eksplozivëve në mars të 2005 në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vrasjen në korrik 2005 të Baki Taullahut dhe për një numër vrasjesh të tjera.

Rrëfimi

Dëshmia e Petrit Licit, të penduarit të kësaj bande, cilësohej si tepër e rëndësishme në procesin ndaj “Bandës së Lushnjës”, në funksion të zbardhjes së ngjarjeve kriminale për të cilat akuzoheshin të pandehurit e saj. Me cilësinë e të akuzuarit në këtë proces, në kohën kur nisi të fliste i penduari, që tashmë në fakt nuk dihet se ku është, ishin shtetasit: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzoheshin për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnje.

Sipas dosjes

Zanafilla e “Bandës” nis aty nga viti 1997. Gjithçka nisi pas një sherri mes Aldo Bares dhe Artur Dajës, pas një bisede telefonike mes dy miqve. Grindja mes tyre nuk do të mbaronte vetëm me një mbyllje telefoni. Sipas prokurorisë, Aldo Bare qëllon ndaj Artur Dajës, duke e plagosur, por vdes në vend një shoku i këtij të fundit, Genci Kashari. Por në këtë shkëmbim zjarri mes palëve ka mbetur i vdekur vëllai i Aldos, Ramadan Shkurti. Pas ngjarjes, trupat e të vrarëve Ramadan Shkurti dhe Bardhyl Rabia janë mbajtur peng për një kohë të gjatë nga Artur Daja, që nuk ka lejuar marrjen e kufomave nga familjarët e tyre. Për t’u hakmarrë për të vëllanë e tij, Aldo Bare (Alfred Shkurti) krijoi bandën e armatosur, duke përfshirë edhe persona të tjerë të akuzuar në këtë proces. Kjo bandë ka pasur 15 anëtarë.

I penduari

Tre nga të dyshuarit si anëtarë të së ashtuquajturës “Banda e Lushnjës” janë vrarë, përkatësisht Gentian Kulla, Edison Xhafaj, Leonard Prifti. Por mes tyre ka edhe një të penduar të drejtësisë. Ndihmësi i drejtësisë shqiptare ka rrëfyer në seancat gjyqësore të gjitha historitë e krimeve të kryera nga kjo bandë si dhe të gjithë emrat e anëtarëve që kanë shkrepur këmbëzën e pistoletës, apo butonin e lëndës eksplozive. Është i vetmi nga 15 pjesëtarët e “familjes së madhe” që ka kontribuar për të zbardhur të gjitha misteret e krimeve që mban mbi supe kjo bandë. Kështu Petrit Lici, bashkëpunëtor i drejtësisë, nisi të rrëfente në vitin 2009 në procesin e hapur te Gjykata e Krimeve të Rënda për të pandehurit e “Bandës së Lushnjës”.