
Futbollistët e Kombëtares shqiptare nuk do të jenë më të pajisur me pasaporta diplomatike. Ata u pajisën, me pasaportë diplomatike pas VKM të datës 23 qershor të vitit 2016, pra menjëherë pas përfundimit të aventurës në Kampionatin Europian, por me një tjetër VKM të datës 12 qershor të vitit 2019, këto subjekte nuk cilësohen më si kategori që e gëzojnë këtë të drejtë.
Por me gjithë kërkesën e FSHF-së për rimarrjen e kësaj pasaporte për futbollistët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i ka kthyer dje përgjigje negative, duke deklaruar se VKM e 2016 është shfuqizuar.
Sot në një reagim pas publikimit të korrespodencës, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e cilësoi si “shumë zhurmë për asgjë”, duke theksuar se “vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti”, duke nënkuptuar se afati i këtyre pasaportave diplomatike ka mbaruar.
Ndërkohë që në pasaportat e futbollistëve shihet qartë se vlefshmëria e këtyre dokumenteve, të lëshuara në 2016 është deri në vitin 2026 dhe afati i tyre nuk ka skaduar.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe Andi Lila, një nga ish-futbollistët që ishin pjesë e Kombëtares dhe zotëron pasaportën diplomatike. Lila thotë se ky vendim është një hakmarrje, pasi futbollistët i dhuruan bluzen e Kombëtares kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.
Sipas tij, zyrtarët e kësaj mazhorance tallen me futbollistët dhe i duan ata vetëm për t’i përdorur sportistët si fasadë për propaganda, ndërsa shtoi se qeveria e re me kryeministër Lulzim Bashën do ua kthejë menjëherë pasaportat diplomatike lojtarëve të Kombëtares.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq.
Ky është njoftimi që më ka ardhur mua sot, por edhe të gjithë lojtarëve të kombëtares Shqiptare që dërguan Shqipërinë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Sipas këtij njoftimi, të gjithë ne duhet të dorëzojmë pasaportat diplomatike që na skadojnë në Qershor 2026 pasi vlefshmëria e tyre është shkurtuar deri në 30 qershor 2021.
Këtë shqetësim po e ndaj me ju, jo vetëm për faktin se futbollistëve po ju hiqet pasaporta diplomatike, por për të treguar mënyrën e sjelljes, trajtimit dhe vlerësimit që ka për sportistët elitarë mazhoranca e sotme.
Në 2016 nga Kryeministri u pritëm me ceremoni shtetërore për rezultatin historik sportiv, pasi dërguam Shqipërinë në Europian.
Ndërsa sot, vetëm për faktin se futbollistët e kombëtares i dhurojnë bluzën e kombëtares z.Lulzim Basha, ju kërkohet nga zyrtarët e kësaj mazhorance që të dorëzojnë pasaportat diplomatike.
Kjo sjellje inatçore nuk mund të jetë standarti i sjelljes së një shteti demokratik që aspiron për tu bërë anëtar i BE-së.
Sigurisht që ata që tallen me sportistët, që i duan ata vetëm për ti përdorur sportistët si fasadë për propagandën e tyre të dështuar do të marrin ndëshkimin me votë nga sportistët.
Këto pasaporta, që si një hakmarrje e ulët po ju hiqen sot futbollistëve, do t’ju rikthehen menjëherë në shtator 2021 si një nga vendimet e para që do të marrë qeveria e Kryeministrit Basha.
Sot çdo sportist e ka kuptuar se, edhe në sport ka ardhur koha për ndryshim, ndryshim që do të vijë më datë 25 Prill.
Vendimin e parë për heqjen e pasaportave e dha ish Ministri i Jashtëm Gent Cakaj
Humbja e së drejtës së futbollistëve të Kombëtares për të pasur pasaporta diplomatike i atribuohet vendimit të ish-ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj për një VKM të 2019.
Ndërkohë që vetë Cakaj me një postim në “Tëitter” më 10 shtator 2019 deklaronte se lajmi për heqjen e pasaportave diplomatike është i gënjeshtërt. (Foto)
“Duke i uruar Kombëtares së Shqipërisë një mbrëmje të suksesshme sonte, informoj se lajmi i shpërndarë në hava, lidhur me heqjen e pashaportave diplomatike të kuqezinjve është fundekrye i gënjeshtërt”, shkruante Cakaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply