Dorëzohen në Kuvend 37527 firmat e shqiptarëve për dënimin e dhunës ndaj kafshëve

Publikuar më 07. 11. 2017 nga Elidona Syla

Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit, ku u publikuan video të ndryshme duke dhunuar kafshët, “Animal Rescue Albania” ka paraqitur mëngjesin e sotëm në Kuvendin e Shqipërisë, 37527 firma të shtetasve shqiptarë, duke kërkuar miratimin e disa dispozitave në kodin penal me qëllim dënimin e dhunës ndaj kafshëve.

“Sot, së bashku, hodhëm një hap të rëndësishëm në luftën tonë për mirëqenën e kafshëve në Shqipëri”, njofton “Animal Rescue Albania”.

Njoftimi i plotë:

Paraditen e sotme dorëzuam pranë Kuvendit të Shqipërisë, 37527 firma të shtetasve Shqiptarë duke kërkuar miratimin e disa dispozitave në kodin penal me qëllim dënimin e dhunës ndaj kafshëve.

Sot u dorëzua fruti i punës së përbashkët, të nisur me datë 7 Tetor përpara Parlamentit të Shqipërisë. Falë një angazhimi të admirueshem të kafshëdashësve nga cdo cep të vendit, brenda javës së parë të nismës #1LIGJ4PUTRA mundëm të mbledhim 20000 firmat e nevojshme për propozimin e draftit. Lëvizja vazhdoi dhe mori përmasa të cilat nuk i imagjinonim. Puna e palodhur vullnetare e aktivistëve të qyteteve të ndryshme (Tiranë, Korcë, Kavajë, Lushnjë, Fier, Berat, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Bilisht, Gjirokastër, Durrës, Lezhë, Sarandë, Kavajë ) ka bërë të mundur arritjen e këtij rezultati. Dorëzimi i firmave me nënshkrime ka vazhduar deri në minutat para dorëzimit.

Sot, së bashku, hodhëm një hap të rëndësishëm në luftën tonë për mirëqenën e kafshëve në Shqipëri

Jemi pafundësisht mirënjohës ndaj të gjithë mbeshtetësve të #1LIGJ4PUTRA, ndaj personave publikë dhe mediave të cilat e kanë pasqyruar këtë nismë.

Jemi të prekur dhe krenarë për vëmendjen e kushtuar ndaj kësaj kauze. Faleminderit!

Kjo fitore e përbashket të kushtohet ty Bardhosh dhe të gjithë katër-putrosheve të këtij vendi!

#përBardhoshin