Dorëheqjet/ Mafia e pronave zhyt në kaos Kadastrën e Vlorës

Sherri për Jalën. Dorëhiqen drejtoresha dhe zv/ drejtori. Pronari: Tokën do të ma marrë Alban Xhillari dhe shteti mafioz. Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk mund të zbatohet, pasi palët kanë zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit

Tensionet në Kadastrën e Vlorës nuk kanë të sosur. Pas dorëheqjeve të para, dje ka dhënë dorëheqjen edhe drejtoresha e Kadastrës në Vlorë, Elona Hodaj dhe zv/drejtori, Krenar Xhemali. Shkak për largimin është vendimi i Gjykatës së Lartë për një pronë në bregdet, ku është përfshirë Alban Xhillari dhe familja Gjoka. Në një deklaratë për mediat, pronari Kristo Gjoka, i shoqëruar nga avokati i tij, Geron Gunbardhi kanë kallëzuar në prokurori 23 persona. Gunbardhi akuzoi Xhillarin se ka arritur të mashtrojë edhe kryeministrin  Edi Rama, nga i cili ka marrë një leje me dokumente të falsifikuara. Vetë pronari, tha se ka 30 vite që pret që të marrë pronën e tij.  Kadastra e Vlorës është kthyer së fundmi në një burim sherri dhe zonë e ‘minuar’. Pak javë më parë një grup pune i Krimit Ekonomik çuan për hetim 23 punonjës të këtij institucioni, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronat.

Konflikti për pronën në Jalë

 Në 12 shkurt, gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur që t’i japë pronën familjes Gjoka, dhe të lejojë regjistrimin e pronës. Procesi ka vijuar, dhe pronarët jo vetëm që kanë marrë pronën, po kanë bërë edhe shitje në palë të treta, duke zbatuar vendimin e Apelit. Ndërkohë një vendim i gjykatës së Lartë më 6 qershor, bën që palët të hyjnë në një tjetër konflikt. Gjykata e Lartë ka vendosur anulimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë, por palët tashmë kishin nisur zbatimin e vendimit të Apelit. Prona për të cilën palët kanë hyrë në konflikt është trualli në të cilin është ndërtuar kompleksi “Folie Marine”.

Shkarkimet në Kadastrën e Vlorës

Deri më tani, janë tri drejtorë të larguar nga Kadastra e Vlorës, bashkë me tri nëndrejtorë të kësaj kadastre. Drejtorët e larguar pretendojnë se vendimi i Gjykatës së Lartë, është i pavlefshëm dhe nuk mund të zbatohet, pasi palët e kanë zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Javën e shkuar, për të njëjtën pronë, drejtoresha që u largua sot, Elona Hodaj dhe zv.drejtori Taulant Canameti u përplasën me njëri-tjetrin. Me disa bodigardë, Canameti shkoi dhe firmosi zbatimin e Gjykatës së Lartë, ndërsa Hodaj e anuloi me arsyetimin se Canameti s’kishte tagër për të bërë një urdhër të tillë.

Pronarët

Në një dalje për mediat, pronarët kanë denoncuar me emra “uzurpuesin” siç ata e quajnë Alban Xhillarin, i cili sipas Kristo Gjokës, pronarit të ligjshëm të 6 hektarëve tokë, ka firmosur një dokument nga Edi Rama për të cilin pretendon se është fals. Ndërkohë ai nuk lë pa përmendur edhe shpërdorimin e detyrës nga zv/shefi i kadastrës, Taulant Canameti, për të cilin thotë se ka përfituar nga mungesa e drejtoreshës, Hodaj për të firmosur, ndërsa thekson se kjo është edhe arsyeja e tërheqjes saj. Më tej, pala paditëse thotë se Canameti është emëruar në këtë detyrë vetëm që të bëhet uzurpimi i kësaj prone mjaft të lakmuar, ndërkohë shton ai, ka ardhur nga Tiranë me urdhër për ta marrë dhe shoqërohet nga 8 badigardë. Gjoka pretendon se policia dhe persona civil i kërcënojnë çdo ditë që të heqin dorë nga mbajtja e pronësisë së tokës së tyre. Pronarët e ligjshëm paralajmërojnë që me ngritjen e SPAK do të merret vesh se zyrtarë të niveleve shumë të larta kanë marrë pjesë dhe janë përfshirë në këtë skandal. “Janë tre drejtorë 3 nën drejtorë dhe 23 juristë dhe kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë askund. Kjo ndodh vetëm për një njeri, që quhet Alban Xhillari. Ne sot bashkë me zotin Kristo Gjoka, pronar i ligjshëm i pronës në fjalë të zbatuar nga Alban Xhillari, me gjithë të tjerët që ne i kemi denoncuar këtu, janë denoncuar në të gjitha institucionet, por për çudi të gjitha dosjet janë mbyllur. Ne sot iu drejtuam organit të akuzës, Prokurorisë së Përgjithshme, institucioneve të tjera të drejtësisë dhe ndërkombëtarëve. Çështja e pronave në Shqipëri është një çështje që zoti Kristo është kërcënuar, është shantazhuar nga organet e Policisë, nga njerëz të panjohur. Kemi vetëm një qëllim, zbardhjen e të vërtetës. Po shantazhohemi, juristët e hipotekës për një vendim të paligjshëm të drejtorit të ASHK-së, Artan Lames. Çudia vazhdon, Alban Xhillari ka guxuar me dokumente false dhe është firmosur nga kryeministri i Shqipërisë një dokument fals. Përplasja mendoj unë që ka çuar edhe në tërheqjen e drejtoreshës , ka ndodhur për shkak se zv/drejtori që na ka ardhur tani, Taulant Canameti ka ardhur kastile nga Tirana, një nëpunës shteti me rrogë 400 mijë lekë të vjetra vjen me 8 badigardë. Ka gjetur rastin para dy ditësh kur drejtoresha ishte në Tiranë dhe ka marrë një vendim të jashtëligjshëm. Jemi drejtuar me një kallëzim penal ndaj Taulantit për “shpërdorim detyre”. Kush është Alban Xhillari dhe kush fshihet pas tij? Presim SPAK që të zbardhet, dhe më besoni që persona me kompetenca shumë të larta shtetërore kanë firmosur në këtë çështje. Ne jemi në zbatim të zonës private me firmë të falsifikuar të kryeministrit, me datë 16 12 2017 . Nuk kemi të bëjmë me një individ të zakonshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet