Dorëheqja e mjekëve, zv/ministrja shkon urgjent në QSUT

Publikuar më 05. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Zv/Ministrja Mira Rakacolli ka bërë sot një takim urgjent me mjekët e Urgjencës së QSUT. Takimi ka nisur para 30 minutash, pasi në media doli lajmi që disa mjekë të Urgjencës ishin larguar nga detyra dhe i kishin nisur edhe një letër ministres Ogerta Manastirliu e kryeministrit Rama.
Nëpërmjet një letre të firmosur nga të gjithë mjekët, këta të fundit thoshin se e kishin të pamundur të punonin në kushte të tilla. Për këtë arsye, ata kanë dhënë dorëheqjen nga puna.
Ata thonë se nuk kanë kushte pune dhe staf mjekësor, ndërsa ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar. “Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe Shërbimet e tjera nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”, thuhet në letrën e shkruar nga mjekët e Urgjencës së QSUT.
Nga ana tjetër, burimet zyrtare nga QSUT thonë se lajmi për dorëheqjen e mjekëve është i pavërtetë.