Donjet Shkodra: Përmbysim Skënderbeun

Publikuar më 08. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Donjet Shkodra është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në Antalia për të kryer fazën përgatitore. Ish-lojtari i Skënderbeut shprehet optimist për mundësitë që ka Kukësi për t’u konfirmuar si kampion i Shqipërisë. Pavarësisht diferencës së madhe me Skënderbeun, ai beson se veri-lindorët mund të përmbysin këtë diferencë. Aktualisht Kukësi ndodhet në vendin e 4 në tabelën e klasifikimit në kuotën e 25 pikëve, plot 12 pikë larg Skënderbeut kryesues.

Një sitat aspak e favorshme për skuadrën e Peter Pakult i cili ka premtuar se situata do të ndryshojë dhe tifozët do të shohin një lojë tjetër të kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Objektivi minimal i Kukësit është të renditet e dyta në kampionat dhe ky është objektivi më i arritshëm nga veri-lindorët. Shkodra është i bindur se trajneri i ri Pakult do të bëjë një punë të mirë në krye të skuadrës.

Ditët e para me Kukësin?

Kemi pasur një udhëtim të gjatë dhe dita e parë ka qenë disi e lodhshme. Dy ditët e tjera kanë qenë të ngarkuara, por mund të them se na ka ecur mirë.

Përshtypjet për trajnerin e ri?

Ekipi ka një grup të mirë që shkojnë mirë, me sa kam parë. Trajneri ka pasur një karrierë të mirë si në Gjermani apo dhe Austri. Duket që ka eksperiencë dhe dominim në ekip.

Konkurrenca te Kukësi?
Normal që konkurrenca në çdo skuadër është e vështirë dhe e madhe, por nuk duhet të kesh frikë nga konkurrenca, por duhet të japësh maksimumin dhe të shpresosh që do luash.

E menduat gjatë para se të firmosnit te Kukësi?

Nuk u mendova gjatë sepse është kampionia në fuqi. Kishin objektivat që më pëlqyen.

Besoni ende te titulli kampion?

Besimin nuk duhet ta humbësh asnjëherë. Është pak e vështirë, pasi Skënderbeu është 12 pikë para. Ne duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet dhe ata duhet të humbasin 4. Është diçka e vështirë, por do të japim maksimumin dhe t’i marrim të gjitha pikët deri në fund.