Donald Trump: Përfitimet nga ligji i taksave

Publikuar më 21. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se ndihet shumë i entuziazmuar prej faktit se reforma e taksave të tij kaloi dhe shtoi se kjo dhuratë shkon për punëtorët e Amerikës

Dionis Xhafa

Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën i bëri jehonë arritjes së tij më të madhe legjislative, reformës së taksave që ai e quan mbajtje të premtimit të bërë në fushatë. Zoti Trump komentoi dje pasdite, pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e reformës së taksave. Demokratët në Kongres e kritikuan ligjin, prej të cilit ata thonë se përfitojnë më shumë amerikanët më të pasur dhe se përfshin klauzola që u mundësojnë korporatave të shmangin taksat. I entuziazmuar, zoti Trump foli para një grupi njerëzish para Shtëpisë së Bardhë të mërkurën, i rrethuar nga republikanët që duartrokisnin. “Është shkurtimi më i madh, do të thosha më masivi në historinë e vendit tonë dhe të reformave. Diçka vërtet fare e veçantë”, shkruan Zëri i Amerikës. Zoti Trump ka thënë se reforma e taksave do të lehtësojë amerikanët e klasës së mesme dhe do të ndihmojë fermerët të mos i humbin fermat e tyre. Ai tha gjithashtu se reforma e taksave do të inkurajojë kompanitë të investojnë në Shtetet e Bashkuara. “Kjo do të thotë që kompanitë do të rikthehen dhe unë bëra fushatë mbi faktin që nuk do të humbim kompani të tjera. Ato do të mbeten të hapura në vendin tonë dhe ju po e shihni se çfarë po ndodh qoftë edhe vetëm nga mendimi se taksat do të shkurtohen”. Por demokratët janë të pakënaqur nga mënyra se si ligji u kalua me nxitim në kongres, pa një seancë publike diskutimi dhe me amendamente që u shtuan në minutën e fundit. Ata thonë se ligji ka hapësira që kompanitë do t’i përdorin për të shmangur pagesën e taksave. “Korporatat janë të mbushura me para, tregu i aksioneve është në kulmin e tij, por nuk po krijohen vende pune. Mjaft të shohësh gjithë kompanitë që kanë thënë se do t’i përdorin shkurtimet e taskave për të riblerë aksione, gjë që nuk sjell përfitim për amerikanët e thjeshtë”, tha kreu i pakicës në senat, Chuck Schumer. Ai shtoi se ulja e taksave për amerikanët e thjeshtë do ta humbasë vlerën, pasi do t’u duhet të paguajnë më shumë për sigurimet shëndetësore. Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se ligji i jep grupit 1 për qind të amerikanëve më të pasur mbi 80 për qind të të përfitimeve, ndërsa 86 milionë familjeve amerikane do t’u shtohen taksat. “Përfitimet që u jepen familjeve të klasës së mesme janë aq të vogla saqë janë ofenduese. Dhe janë të përkohshme. Shkurtimet për korporatat janë të gjera dhe të përhershme.” Në të ardhmen e afërt, shumica e taksapaguesve do të paguajnë më pak taksa, por ato shkurtime skadojnë në vitin 2025. Steve Cortes, një analist politik dhe ekonomik ka shkruar një artikull fare të mirë në lidhje me politikat e Trump dhe sidomos për reformat e taksave. Cortes thotë se punëtorët ata që vërtetë e duan punën përfitojnë shumë nga ky ligj. “Në vitin 2016 amerikanët u zgjuan dhe se goditën ashpër një establishment të vjetër politik dhe për të sjellë një tjetër të ri. Veçanërisht e shtypur ndihej klasa punëtore, e cila vetëm ndrydhej përherë dhe më shumë. Lobistët, kontraktorët e qeverisë dhe burrokratët mendonin vetëm për veten e tyre dhe se nuk iu interesonte shumë çfarë ndodhte me popullin amerikan, sesi punohej shumë dhe se nuk kishte aq para nëpër xhepa të shtetasve të Amerikës. Presidenti Trump ia arriti në një mënyrë të shkëlqyer që të thyejë atë mërzi dhe monotoni në vendin më demokratik në botë dhe se arriti gjithashtu të shërojë edhe kancerin shoqëror. Ai ka premtuar në fjalimin e tij se çdo lloj vendimi që merr ai personalisht dhe administrata e tij, qoftë politik, për tregtinë, taksat, emigracionin, punët e jashtme etj do të bëhet vetëm me një qëllim dhe se ky qëllim ishte që të fitojnë sa më shumë punëtorët amerikanë. Ai pati thënë ekzaktësisht se unë do të luftoj sikundër një person që merr frymë në trupin tuaj dhe se ia ka arritur pikërisht sot”, thotë në analizën e tij gazetari Steve Cortes. Donald Trump u shpreh se ndihet jashtëzakonisht i lumtur për kalimin e reformës së taksave dhe se veçanërisht prej faktit se u arrit të bëhej në kohën e Krishtlindjeve dhe pranë Vitit të Ri.

Analiza

Reforma e taksave ndihmon punëtorët amerikanë

Gazetari i Fox News Steve Cortes në analizën e tij me elementë politikë dhe ekonomikë flet gjerë e gjatë mbi reformën. Analiza e tij është me shumë vend. “Reforma gjithëpërfshirëse e taksave, e miratuar këtë javë, përmbush këtë premtim nëpërmjet një kombinimi të reduktimeve të taksave materiale për bizneset e vogla dhe të mesme dhe nxitjeve masive për të gjitha kompanitë, të mëdha dhe të vogla, për të investuar përsëri në punëtorët amerikanë sesa në inxhinieri financiare. Për dekadën e fundit, pronarët e aseteve lulëzuan si pasuri të patundshme dhe vlerat e tregut të aksioneve u rritën. Por, në të njëjtën kohë, pagat mbetën të stanjuara për klasën e mesme – ndërsa shpenzimet u rritën ndjeshëm, veçanërisht në lidhje me kujdesin shëndetësor, falë fatkeqësisë që ishte ObamaCare. Politikat tona (amerikane) monetare dhe fiskale pothuajse detyruan kompanitë, veçanërisht multinacionalët gjigantë, që të ndjekin praktikat për prosperitetin e punëtorëve amerikanë. Normat e interesit artificialisht të ulëta, të kombinuara me taksat e konfiskimit të biznesit, nxitën llojet më të këqija të strategjive të korporatave. Këto përfshijnë blerjet masive dhe dividentët që shpërbleheshin drejtuesit më të lartë dhe investitorët e pasur, por injoruan gjendjen e vështirë të pagave në ato kompani. Fatmirësisht, një epokë e re bën thirrje, siç pamë në këtë javë brenda disa orëve nga Kongresi, duke kaluar shkurtimet dhe reformat e guximshme të presidentit”, thuhet në analizën e gazetarit.