Domethënien e kërkesës së 14 mijë bizneseve të vogla për mbyllje

Nga Kasem Seferi

Për një individ si unë, lajmi për kërkesën e 14 mijë bizneseve për të pushuar veprimtarinë ekonomike dhe “kërcënimi” i administrates tatimore se “nuk kanë nga t’ia mbajnë” ata që fshihen, më sjell në kujtesë një dukuri që fillon nga viti 1997 dhe që ende nuk po mbaron me lojën popullore “Pse një, jo dy? Pse dy jot re?”. Nga një qarkullim vjetor prej 2 milion, u kalua në një qarkullim prej 5 milion, më pas në 8 milion. U thanë dhe u bënë politika tatimore nga të djathtë dhe të majtë dhe ende po “endin fijen e merimangës” së biznesit të vogël. Siç thonë të vjetrit tanë: “Medemek, po bëjnë një gjë të re.”. Andej nga Gjirokastra thonë: “Na mo, pika ju rëntë!”. Po sjell edhe njëherë një trajtim, disi ndryshe, në lidhje me trajtimin e biznesit të vogël me TVSH. Zakonisht, thuhet se tatimpaguesit e biznesit të vogël pozojnë një problem të madh për administratën tatimore, por faktet tregojnë se, shumë administrata tatimore, janë në favor të pikëpamjes se pjesa më e madhe e të ardhurave sigurohet nga tatimpaguesit e mëdhenj, çka justifikon zbatimin e një prej rekomandimeve të përherëshme të FMN-së: krijimin e njësisë së tatimpaguesve të mëdhenj. Një praktikë e tillë ka argumentuar se tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk duhet të paguajnë tatim mbi bazën e një strukture komplekse tatimore dhe, për këtë arsye, për ata është vendosur një regjim tatimor i thjeshtëzuar i cili, që në gjenezën e tij, ka pasur idenë e një “tatimi të vetëm”, që ndeshet si kuadër ligjor në mbarë botën, sipas të cilit tatimpaguesit e biznesit të vogël duhet të paguajnë vetëm një tatim, si kombinim të disa tatimeve që paguajnë tatimpaguesit e mëdhenj. Në lidhje me prezantimin e një tatimi të vetëm të përbërë nga disa tatime të veçanta, shumë ekspertë tatimorë e kanë argumentuar me uljen e nivelit të evazionit tatimor në kategorinë e tatimpaguesve të biznesit të vogël. Ulja e nivelit të evazionit tatimor në Shqipëri për kategorinë e tatimpaguesve të biznesit të vogël vërtetohet në të kundërtën nga kërkesa e numrit të madh bizneseve të vogla për t’u çregjistruar në QKR gjatë vitit 2017. Për ta konkretizuar idenë do të mjaftonte një krahasim i të ardhurave të mbledhura nga tatimpaguesit e mëdhenj kundrejt të të ardhurave tatimore gjithsej të mbledhura nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ose kundrejt totalit të të ardhurave tatimore në shkallë vendi për të kuptuar sa i vërtetë është ky përfundim i arritur nga analistët në lidhje me prirjen për të rritur të ardhurat e mbledhura në dogana dhe nëpërmjet administrimit efektiv të tatimeve dhe tatimpaguesve më të mëdhenj (FMN rekomandon që në Shqipëri 60 për qind e totalit të të ardhurave tatimore duhet të mbllidhet nga tatimpaguesit e mëdhenj). Sistemi tatimor në Shqipëri, në thelb, karakterizohet nga një bazë e gjërë tatimore e TVSH-së, ka pak artikuj luksi të tatuar me akcizë të lartë, një bazë e gjërë tatimore për tatimin mbi të ardhurat, përqindje të “ulta” tatimore për biznesin e vogël, kushte për parandalimin e shmangies, evazionit dhe mashtrimit tatimor, pavarësisht vështirësive që ndeshen në pagimin e tatimit mbi kapitalin (dividentin) për shkak të ruajtjes së fitimeve, ose mosshpërndarjes së tyre. Shqipëria është një vend i vështirë për ta tatuar biznesin e vogël dhe ekonominë informale dhe kjo është arsyeja përse të ardhurat tatimore mbi 50 për qind të tyre sigurohen nga TVSH-ja dhe akciza. Ekonomia informale, niveli i saj, tregon shkallën deri ku shoqëria shqiptare e legjitimon shtetin dhe aftësinë për të siguruar burime për të qeverisur dhe për t’u zhvilluar. Presioni i ditëve të fundit kundrejt masave dhe veprimeve të administratës tatimore për të zgjeruar bazën tatimore të asaj pjese të ekonomisë informale që konkurron në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme tatimpaguesit e ndershëm, është pikërisht një dëshmi e gjallë e këtij legjitimiteti. Gjetja e një regjimi të përshtatshëm të TVSH-së për bizneset e vogla është ai që i vendos ata nën një prag të caktuar tatimor duke i lejuar ata ta zgjedhin trajtimin tatimor. Deri tani nuk ka një mekanizëm sipas të cilit administrata tatimore të raportojë rregullisht mbi: numrin e bizneseve që kanë mbetur ndën pragun tatimor për një numër vitesh, për të siguruar një arsyetim të shëndoshë të administratës tatimore në përputhje me kërkesat e kohës; dhe përqindjen me të cilën ka ndryshuar regjistri i përgjithshëm i tatimpaguesve dhe, në veçanti, i tatimpaguesve të biznesit të vogël që t’i bashkëngjiten shpjegime të përshtatshme për lëvizje të tilla si kalimi për trajtimin me TVSH, tatim fitimi, etj të tatimpaguesve të biznesit të vogël. Në fakt faktorë të tillë si: (1) një prag tatimor i lartë i TVSH-së; (2) mbulim i dobët i shërbimeve në bazën e TVSH-së; dhe (3) fshehja e sipërmarrjeve të madhësisë së mesme ndën pragun tatimor të TVSH-së, të çojnë në mbledhjen e të ardhurave të ulta tatimore. Të qëndruarit për një kohë të gjatë të të njëjtëve tatimpagues në kategorinë e biznesit të vogël, të çon në dukurinë e veçantë të dobësimit të luftës kundër evazionit tatimor. Përvoja ka nxjerrë në pah se mbledhja e TVSH-së poshtë 1/3-s së një përqindje prej 20 për qind të TVSH-së, në mënyrë tipike, nënkupton përjashtimin e shumë tatimpaguesve nga trajtimi me TVSH, ose duke vendosur një prag tatimor shumë të lartë që vetëm mbi atë të zbatohet TVSH-ja e rrugullt. Në këtë mënyrë, është jashtëzakonisht e rëndësishme të përfshihen sa më shumë biznese që është e mundur në sektorin e shërbimeve në bazën e TVSH-së dhe, ketë një program të vazhdueshëm të lëvizjes së një numri gjithnjë në rritje të tatimpaguesve nga kategoria e tatimpaguesve të biznesit të vogël në kategorinë e tatimpaguesve të rregullt të TVSH-së. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, sepse në fakt priten vështirësi nga dy drejtime. Së pari, lobingu politik në favor të biznesit të vogël është mjaft i fuqishëm, pasi biznesi i vogël përfaqëson një numër të madh punëdhënësish dhe mund të jetë e vështirë që administrata tatimore të fitojë besimin e tyre për t’i trajtuar si tatimpagues të TVSH-së. Së dyti, vetë administrata tatimore nuk është e sigurt nëse do të siguronte një të ardhur të konsiderueshme në qoftë se TVSH-ja do të shtrihej te tatimpaguesit e biznesit të vogël, veçanërisht po të vendoset pragu i TVSH-së në 5 milion lekë në vit. Megjithëatë, nuk duhet injoruar fakti se pasqyrimi i degëzimeve negative që ka rezultuar nga trajtimi i sektorit të biznesit të vogël ndën pragun tatimor të TVSH-së, meriton vënien në jetë të një politike vigjilente të administrimit të kësaj kategorie tatimpaguesish. Aspekti më i neglizhuar i administrimit tatimor është mosndjekja e menjëherëshme e tatimpaguesve që nuk plotësojnë deklaratat dhe i atyre që pagesat nuk u përputhen me detyrimet tatimore (tatimpaguesit informalë); vetëm duke njohur bazën e mosdeklarimit të të ardhurave, ose të qarkullimit dhe arsyet e tjera, administrata tatimore mund t’i përcaktojë siç duhet burimet e saj për të përmirësuar mbledhjen e tatimeve dhe për të siguruar trajtim të barabartë të tatimpaguesve dhe një barrë të njëjtë tatimore. Për të arritur një gjë të tillë, përveç kontakteve sa më të pakta me tatimpaguesit, që tashmë e ndihmon në mënyrë të konsiderueshme marrja dhe dorëzimi on-line i deklaratave tatimore, zyrtarëve tatimorë duhet t’u pakësohet në maksimum e drejta (maturia personale) në marrjen e vendimeve për trajtimin e tatimpaguesve, përndryshe do të vazhdojë keqpërdorimi i detyrës dhe i autoritetit që u jep ligji nga zyrtarët tatimorë, duke dëmtuar edhe më tej besimin publik ndaj pjesës tjetër të stafit dhe ndaj administratës tatimore në tërësi. Por kontrollet e shumta bëjnë të mundur që zyrtarët tatimorë, pak a shumë, të bëjnë para shtesë mbi pagat e tyre duke i mbledhur ato nga pazaret që bëjnë me tatimpaguesit: në një situatë të tillë korrupsioni, në të vërtetë, në mënyrë konvencionale pranohet një nivel i caktuar i shpërblimit që marrin nga privatët zyrtarët tatimorë, edhe pse këto sjellje korruptive duhet të jenë absolutisht të papranueshme për punonjësit e administratës tatimore. Aq kohë sa lufta kundër korrupsionit nuk do të ketë hapësirë për të qenë e monitoruar nga ata që i marrin shërbimet publike dhe jo nga ata që i japin, nuk mund të shpresohet që të denoncohet korrupsioni nga vetë të korruptuarit, pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e zyrtarëve tatimorë nuk janë të korruptuar, pasi lufta kundër sistemit që pjell dhe nxit korrupsionin nuk mund të jetë e njëjta gjë me luftën kundër individëve të korruptuar. Kjo nuk më bën optimist se politika tatimore e Qeverisë Rama 2 do të jetë efektive dhe aq më pak efiçente. Qofsha i gabuar!

Të tjera

Abissnet