“Dola i pari në portal, por vendin e zuri një person pa diplomë”

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Drama profesionale dhe personale e mësuesit dibran me përvojë 33-vjeçare. Edhe pse mori maksimumin e pikëve në provimin e Ministrisë, mbeti 1 vit pa punë, ndërsa tani shkon në një shkollë 22 kilometra larg shtëpisë

Të punosh mësues, së pari duhet ta duash si profesion. Këtë e thonë mësuesit e vjetër, që ndoshta i kanë kushtuar një jetë të tërë arsimit. Përvoja 33-vjeçare e mësuesit nga Dibra, Neki Hysa, është e mjaftueshme për të kuptuar sa e vështirë është, madje, e pamundur të punosh jashtë profesionit. Ai tregon për gazetën “Shekulli”, se ka gjithë  jetën që punon në arsim.

Kontributi në këtë profesion si dhe lufta për të mbajtur familjen të bashkuar, e bëri që të merrte pjesë në portalin e Ministrisë së Arsimit, ku me shumë dinjitet fitoi vendin e parë, me 88 pikë. Dramën më të vështirë të jetës tij, mësuesi e kaloi gjatë kohës që ishte pa punë, 1 vit larg profesionit.

Jetesa e vështirë në Dibër, ku dominon varfëria dhe korrupsioni, si dhe lufta për të fituar dinjitetin e nëpërkëmbur, të gjitha Nekiu i vuan psikologjikisht. Ai dhe sot tregon që po kalon një periudhë të vështirë, pasi duhet të luftojë për të mbrojtur familjen që mos të hakmerret për padrejtësitë që ka kaluar profesionalisht, ekonomikisht dhe emocionalisht.

Nga ana tjetër Neki tregon fakte që vërtetojnë veprimet e paligjshme të drejtorisë arsimore Peshkopi. Kjo drejtori ka bërë disa herë ndryshime në pozicionin e punës të z.Hysa. Në fillim mësues me normë jo të plotë, pastaj shkarkimi si mësues jashtë profili, ku mbeti një vit pa punë. Të gjitha këto vendime janë komunikuar duke ju referuar vendimit nr.18, datë 30.09.2016, i cili është shfuqizuar dhe nuk shërben më si bazë vendimmarrje. Mësuesi nga Peshkopia, i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit për shkarkim të paligjshëm.

Kjo ministri i ka kthyer përgjigje, pasi ka arritur në përfundimin se ndryshimet e pozicionit të punës dhe shkarkimi i z.Hysa është bërë në kundërshtim me ligjin dhe për këtë kërkon një sqarim nga DAR i Peshkopisë, e cila nuk ka kthyer asnjë përgjigje.Z.Hysa ka marrë edhe një shkresë nga Ministria e Arsimit, e cila rrëzon të gjitha veprimet e paligjshme që Drejtoria e Peshkopisë ka bërë në pozicionin e këtij mësuesi.

Z.Hysa sa vite ka që punoni si mësues dhe në cilën shkollë keni filluar?

Kam 33 vite që punoj, si mësues histori-gjeografie dhe kam filluar në shkollën 9-vjeçare Sohodoll, në Dibër.

Shkarkimi juaj erdhi pasi ju konkurruat në portal? Cila ishte arsyeja e largimit nga puna, dhe si ju është komunikuar ky vendim?

Largimi u komunikua si mësues jashtë profili. Lëndët nuk plotësoheshin aty. Kam punuar 1 vit si mësues i jashtëm, pasi në fillim nuk më shkarkuan direkt, por më nxorrën jashtë profilit. Gjatë këtij viti punova me normë jo të plotë, pastaj vitin tjetër më morën mësues me normë të plotë dhe më pushuan edhe pse isha me kontratë 1-vjeçare. Më larguan nga puna para se të futesha në portal. Në janar të 2017-ës, kishte dalë një vend vakant në gjimnazin e Peshkopisë. Konkurrova për atë vend dhe dola fitues me 88 pikë.

Çfarë ndodhi pasi dolët fitues në portal?

Pavarësisht që dola fitues në portal, unë nuk fillova punë në vendin që kisha aplikuar, pasi e kishin zëvendësuar me një person pa diplomë dhe me precedentë penalë, i cili u caktua nëndrejtor shkolle. Premtimet boshe dhe shpresa për drejtësi, kontributi im në arsim, si dhe për të mbajtur bashkuar familjen, më bënë që të futem edhe në portal, ku pretendoja një punë dinjitoze, por jo “internim”, pas 25 vitesh shtet demokratik. Ekonomikisht jam dëmtuar, por më shumë psikologjikisht, aq sa me zor po mbaj edhe fëmijët që të mos kalojnë në vetëgjyqësi.

Ju keni qëndruar një vit pa punë. Si e keni përjetuar?

Ka qenë një periudhë shumë e vështirë, pasi kam kaluar shumë stres dhe sot vazhdoj ta vuaj. Tani që po flasim, sapo mbarova mësimin dhe duhet të bëj 22 km për të shkuar në shtëpi, gati 5 orë në këmbë. Aktualisht jam caktuar mësues në shkollën 9-vjeçare Grykë Nokë. Ndonjëherë marr makina rasti ose me shoqëron djali, pasi në këmbë është e pamundur.

Nuk diskutohet që e përjetova keq, aq më shumë kur Ministria e Arsimit u zotua se do të vinte drejtësinë në vend. Problemi u bë mediatik dhe konfliktual deri në ekstrem, jo vetëm personalisht, por edhe familjarisht. Akoma më e rëndë bëhej gjendja, pasi në Dibër janë evidente në çdo qelizë, korrupsioni, varfëria si dhe hakmarrja dhe kjo duket tek emërimet dhe moszbatimi i ligjshmërisë.

Cila është arsyeja që u caktuat në atë shkollë?

Ishte për bindje politike.

Pavarësisht, që dolët i pari në portal dhe padrejtësisht u zëvendësuat nga një person me precedentë penalë, pasi u bë publike dhe në media. A ka marrë ndonjë masë Ministria e Arsimit për t’ju përgjigjur rastit tuaj?

Kam bërë një shkresë së shkarkimi im është i paligjshëm dhe ja kam dërguar Ministrisë së Arsimit. Por më ka kthyer përgjigje duke thënë se, baza ligjore ku është mbështetur drejtoria e shkollës dhe drejtoria arsimore është e gabuar. Këtë vendim nuk e ka zbatuar DAR i Peshkopisë. Në Dibër nuk funksionon drejtësia? DAR është institucion kukull në duart e të tjerëve. Këto që thashë, i mbroj para çdo institucioni apo dhe Ministres së Arsimit. Ndërsa përsa i përket varfërisë në kuptimin e ngushtë të ushqyerjes, jam i aftë të mos vuajmë në ekstrem, se punojmë çfarëdo, por e kam një jetë të tërë në këtë profesion dhe kam investuar shumë. Ju kujtoj se me kualifikimin me titull “Mësues Mjeshtër”, nuk ma do mendja se ka shumë në Shqipëri.

 

Rasti i këtij mësuesi është trajtuar sipas ligjit

”Shekulli” intervistoi dhe drejtoreshën e arsimit në Peshkopi, Margarita Markja, e cila thotë së nuk është në dijeni të shkresës. “Nekiu, aktualisht është në punë, pasi ka qenë pjesë e portalit. Ndërsa përsa i përket shkarkimit, nuk ka qenë aspak i paligjshëm, pasi ishte mësues jashtë profili dhe nuk ka pasur lidhje me atë që u bë mediatike. Kur Nekiu ka hyrë në portal, ai ka aplikuar për një vend punde, që ishte për nëndrejtor gjimnazi dhe portali nuk të çon nëndrejtor apo drejtor.

Për shkresën që i ka dërguar Ministria e Arsimit Nekit, nuk jam në dijeni, pastaj kanë ardhur aq shumë shkresa, sa nuk i mbaj mend të gjitha, por di të them që rasti i këtij mësuesi është trajtuar sipas ligjit, ku i është ofruar vendi i punës, si i vetmi që ishte jashtë profilit, pasi u shkarkua një mësues nga detyra për të punuar Nekiu, vend të cilin e ka pranuar me dëshirë.

Nuk e di tani se ku vazhdon kjo telenovela e Nekiut, sa herë që ai është i pakënaqur i drejtohet mediave. Unë nuk e kujtoj këtë shkresë që po më flisni”. Pavarësisht se faktet flasin të kundërtën, drejtoresha e pohon një dokument të tillë, që do t’i përgjigjej problemit të mësuesit, i cili fatkeqësisht është transferuar në shkollën 9-vjeçare Grykë Nokë, 22 km në këmbë.