
Ndërsa racionimet e ushqimeve dhe të artikujve të përditshëm janë të zakonshme në kohë lufte, në Shqipërinë e viteve ’80, ishte uria në kohë paqeje. “Talloni’, siç quhej shkresa me të cilën merrje ushqimet dhe artikujt e paktë të prodhuar në vend, ishte shumë i varfër dhe në sasi minimale, që 3 dekada më pas, as nuk besohet. Ky dokument që daton vitin 1989 tregon më së miri se në çfarë mjerimi jetonin shqiptarët, me mungesa të mëdha dhe kur ishte fat të gjeje një tallon më tepër.
Siç shihet nga dokumenti, racioni në muaj për një familje me 4 persona ishte: 3 kg mish dhe nënprodukte të tij, 100 gr. gjalpë, 1 kg. djathë, 100 gr. kafe, 3 kg. sheqer, 2 kg. miell dhe 900 gr. sapun rrobash.
Për festën e fundvitit ishte tamam ‘festë’, sepse janë dhënë 2 kg peshk gjuhcë, 1 shishe raki, 2 shishe verë, 2 kg mollë dhe 2 kg portokalle.
Sot mjafton të kesh paratë dhe këto produkte të pakta janë konsumi i pak ditëve, plus që shportës së ushqimeve i janë shtuar dhjetra të tjera që ishin të ndaluara për popullatën e gjerë dhe mund të konsumoheshin vetëm nga elita komuniste.
Por me rritjen e varfërisë në vend, thellimit të hendekut mes një pakice super të pasur dhe shumicës që po vafërohet përditë e më shumë, ajo kohë, edhe pse me mungesa të shumta, kujtohet me nostalgji, për përkrahjen që të jepte shteti komunist në arsim, shëndetësi, strehim, punësim, siguri dhe rend aq sa çdo kujtim pasohet me shprehjen ‘ishim mirë, kur ishim keq’, edhe pse uria ishte ulur këmbëkryq.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply