Dokumentet origjinale: Valdrin Pjetri i dënuar në Itali për trafik droge

Foto 1 nga 8 Pas Para

I zgjedhuri i 30 qershorit për Shkodrën është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri u arrestua në flagrancë në Firence më 27 janar 2003 dhe u dëbua nga Italia më 4 shkurt 2003.

Erjon Dervishi

Shkodra mbetet nga qytetet e fundit ku nuk është bërë rotacioni i kryebashkiakëve, por dhe një nga zonat që është kthyer në debatin kryesor të politikës. Partia Demokratike publikoi dje një dokument ku Valdrin Pjetri rezulton të jetë i ndaluar për trafik droge. Sipas dokumentit të marrë nga sistemi i Kuesturës së Firences, i cili u bë publik nga Sekretarin i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, Valdrin Pjetri u arrestua në flagrancë në Firence më 27 janar 2003. Ai u dëbua nga Italia më 4 shkurt 2003. Madje në këtë dokument është dhe emri i Altin Dodës që mësohet se është dhe koordinator në njësinë 3 në kryeqytet. Madje mësohet se ai është djali i një ish ministri të PS. “Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence”. Burimet për mediat në vend kanë bërë të ditur se Altin Doda ka qenë koordinator i PS në njësinë 3 në Tiranë. Madje mësohet se ai është djali i ish-ministrit të Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda. Burimet kanë saktësuar se Doda ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Valdrin Pjetrit në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Po sipas dokumentit, Valdrin Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Madje Bardhi shprehet se Pjetri ka firmosur pranimin e fajësisë.

Publikimi i Dokumentit

Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri është dënuar me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri u arrestua në flagrancë në Firence më 27 janar 2003. Ai u dëbua nga Italia më 4 shkurt 2003. Sipas dokumentit, Valdrin Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali. Rezulton se Kryeministri Edi Rama u njoftua nga partnerët ndërkombëtar për dënimin e Pjetrit.

Deklarata e Gazment Bardhit

Gazmend Bardhi në një dalje të tij, gjatë ditës së djeshme është shprehur se: “Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal Italian. Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti Italian”. Bardhi akuzoi Ramën se përmes heshtjes  po mbron Valdrin Pjetrin nga drejtësia. Madje ai shtoi, se Edi Rama u njoftua nga partnerët ndërkombëtar për dënimin e Pjetrit dhe këtij të fundit në bazë të ligjit të dekriminalizimit i ndalohet të ushtrojë funksion publik. “Të vërtetën mbi të kaluarën kriminale të Valdrin Pjetrit, Edi Rama e ka mësuar nga të njëjtat burime diplomatike, në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike”. Më tej Bardhi shprehet se: Në këto 6 vjet të drejtimit të vendit, Edi Rama u provua si Kryeministri që promovoi në politikë dhe në administratën publike mbi 300 persona me precedentë kriminalë, nga vrasësit dhe përdhunuesit, tek trafikantët e drogës dhe trafikantët e grave dhe vajzave. Edi Rama hesht për të mbrojtur Valdrin Pjetrin dhe karrigen e tij të kalbur nga bashkëpunimi me krimin. Ai hesht megjithëse ka marrë zyrtarisht përgjigje që Valdrin Pjetri është i dënuar dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik përfshirë atë të Kryetarit të Bashkisë. Me vetëdije, me informacion të plotë për të kaluarën kriminale si trafikant droge, Edi Rama e emëroi Valdrin Pjetrin në 24 Korrik 2019 si drejtues politik të Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër. Ndiqeni sesi në 30 Korrik, Edi Rama e vesh me mburojë të plotë politike Vakdrin Pjetrin në 30 Korrik. Kur bënte këtë pohim Edi Rama e dinte që Valdrin Pjetri ishte një trafikant droge i dënuar në Itali. Të vërtetën mbi të kaluarën kriminale të Valdrin Pjetrit, Edi Rama e ka mësuar nga të njëjtat burime diplomatike, në të njëjtën kohë me Partinë Demokratike. Në vend që të distancohej menjëherë nga drejtuesi i tij politik në qarkun Shkodër, Edi Rama heshti dhe urdhëroi Valdrin Pjetrin të mashtronte qytetarët e Shkodrës, duke i premtuar atij mbrojtje nga drejtësia. 5 ditë më parë Valdrin Pjetri u detyrua të mohonte të kaluarën e tij kriminale. Kjo që sapo dëgjuat është një mashtrim. Mashtrim ishte edhe publikimi i disa ditëve më parë, ku drejtuesi politik i Edi Ramës në Qarkun Shkodër, njëlloj siç bëri disa vite më parë edhe Elvis Rroshi i Kavajës, nxori dëshminë e penalitetit për të mohuar dënimin. Çdo shqiptar e di se pas kalimit të 10 viteve nga momenti i dënimit, dëshmia e penalitetit del e pastër. Aty nuk shfaqen dënimet e mëparshme. E vërteta është se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar. I dënuar për trafik droge. Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, Partia Demokratike po sjell prova autentike për dënimin në Itali, Firenze, të drejtuesit politik të Edi Ramës në Shkodër, pretendonin për Kryetar Bashkie. Kjo që shikoni këtu është kartela elektronike e të dhënave kriminale e nxjerrë nga sistemi i Kuesturës së Firences. Sipas këtij dokumenti zyrtar, rezulton se: Valdrin Luigj Pjetri, i datëlindjes 18 Shtator 1982, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë, së bashku me shtetasin Altin Doda, në datë 27 Janar 2003 në Firence. Të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e narkotikëve”. b) Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar”, përfundon deklarata e Gazment Bardhit. Bardhi kërkoi nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet ndaj kryetarit të bashkisë së Shkodrës të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

PD

Partia Demokratike me anë të Sekretarit të saj të përgjithshëm, foli dje pas reagimit të Kryeministrit Rama. Në një postim në rrjetin social Facebook, Gamzment Bardhi shkruan se: Heshti për 11 ditë dhe tani po përsërit filmin që kemi parë me Elvis Roshin, me Arben Ndokën, me Mark Frrokun, me Armando Prengën, me Artur Bushin, me shume edirama kriminelë të veshur me pushtet. Valdrin Pjetrin e emëroi Edi Rama, nuk u bë vetë as drejtor hipoteke, as prefekt, as kandidat për Kryetar Bashkie. Lojës me larje duarsh i ka ardhur fundi! Edi Rama është damkosur si kryeministri që promovoi krimin në parlament, qeveri dhe bashki.

‘Zgjidhja’

Valdrin Pjetri, i Berishës dhe i Ramës

Edi Rama e shiti sot Valdrin Pjetrin, kryetarin e bashkisë Shkodër, me votimet farsë të 30 qershorit, duke u shprehur se ‘…deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht’. ‘Zgjidhja’ shpreh neverinë për Rilindjen dhe për taktikat e saj të ndyra, kur gjoja distancohet prerazi prej njerëzve me të shkuar kriminale që denoncohen edhe pse e ka ditur shumë mirë të vërtetën e tyre kur i ka ngritur në pushtet. Përgjatë 6 viteve në pushtet Rama ka promovuar dhe mbrojtur stoikisht figura të lidhura me krimin, që kanë kryer vepra të rënda penale, por më në fund i ka braktisur. I tillë është edhe rasti i Valdrin Pjetrit të dënuar nga gjykata e Firences në 12 qershor 2003 për shpërndarje dhe prodhim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.  Karriera e tij në administratën shtetërore implikon njëlloj si Rilindjen dhe SHQUP-in. Ky person i dëbuar nga Italia, gjatë qeverisjes së Berishës në vitet 2010-2014 kishte detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas, në qeverinë e Ramës, mbajti pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve dhe Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga janari në maj 2018 ishte kryeregjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe më pas Prefekt në Shkodër. ‘Zgjidhja’ prej kohësh ngulmon për reformimin e sistemit politik në Shqipëri, që kandidatët për kryetarë bashkie, apo për deputetë të mos dalin nga xhepat e kryetarëve, por nga vota direkte e bazës së anëtarësisë dhe e qytetarëve pa parti. Vetëm në këtë mënyrë do t’i jepet mundësi popullit që të zgjedhë bijat dhe bijtë më të mirë. Ndryshe, kandidatët e elitës së vjetër politike do të zgjidhen gjithmonë njerëzit e dënuar brenda dhe jashtë Shqipërisë për vepra të rënda penale.

Rama braktis Valdrin Pjetrin: Nga sot në rrugë të ndara

Kryeministri Edi Rama bën një hap pas dhe “lëshon” Valdrin Pjetrin të cilin pasi i besoi drejtimin e bashkisë së Shkodrës i kishte besuar edhe Partinë Socialiste të këtij qyteti. Deri para pak ditësh detyra e drejtuesit të qarkut socialist të PS-së mbahej nga Ditmir Bushati por në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Rama njoftoi ndryshimin. “Vendosja e Valdrinit drejtues aty është gjëja e duhur”, deklaronte Rama para gazetarëve më 30 korrik, ndërsa dje vetëm pak orë pasi Partia Demokratike publikoi dokumentin e questurës së Firences përmes një postimi në tëitter Rama distancohet dhe shkruan se deri në zbulimin e së vërtetës PS dhe Valdin Pjetri i ka rrugët e ndara. “Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!” shkruan Rama në Tëitter. Sipas dokumentit të publikuar nga Partia Demokratike, Pjetri u dënua më 21 qershor 2003 nga Gjykata e Firences Itali me 18 muaj burg dhe 1000 euro gjobë. Madje ai vetë shprehet PD ka firmosur pranimin e fajësisë. Përmes rreshtave duket se Rama nuk e fsheh dot zhgënjimin. “I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!” Ndërsa më parë kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri në një postim në facebook shkruan se e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Por thekson se pret me padurim verifikimin e pastërtisë së figurës së tij. “Unë të vërtetën time e deklarova para kandidimit si dhe para pak ditësh me dokumente zyrtare. E vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e PD. Pres me padurim vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane”.

Ja çfarë deklaronte kryeministri Rama për Valdrin Pjetrin kur e zëvendësoi me Ditmir Bushatin

Në Asamblenë Kombëtare të mbledhur në Pallatin e Kongreseve më 23 korrik 2019, Rama bëri të ditur largimin e Ditmir Bushatit nga drejtimi i qarkut të Shkodrës. Rama u shpreh se ky ndryshim vinte si nevojë për të përmirësuar drejtimin politik në Shkodër. Edi Rama shkruante se: Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, Qarkun do e drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës. Pas kësaj deklarate të Ramës, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një prononcim për gazetarët deklaroi se: Nuk ka rëndësi të jem me post apo pa post. E rëndësishme është për çfarë çështjesh luftoj dhe pikëpamjesh mbroj. Të jeni të bindur se mungesa e oficit më bën të jem më i vendosur për të çuar përpara idetë për të ardhmen tonë”. Ndërsa gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ( 30 korrik 2019), kryeministri Edi Rama u shpreh: “Duhet një person çdo ditë e çdo natë aty. Unë dua që në fund të 4 viteve të Valdrinit ata që shkojnë në Shkodër të kenë impaktin që kanë në Vlorë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet