Dogjën nënë e bir, 48-vjeçari: Takimet me Hysnijen dhe lotët e ‘krokodilit”

Gjykata për Krime të Rënda ka marrë dëshminë e dy personave, për krimin e rëndë të ndodhur në janar të 2018-ës, në Vlorë. Vëllai i Olsi Hoxhallarit, tregoi takimet me nusen “vrasëse” dhe dënimi i tij për vjedhje

Xhentila Gjoshi

Në Janar të vitit 2018, qyteti i Vlorës u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale ku për pasojë mbetën dy të vdekur. Nënë e bir, u vranë dhe u dogjën në kuzhinën e shtëpisë së tyre, në lagjen “24 Maji”. Autorë të dyshuar për këtë ngjarje, janë shtetasit Kasëm Pirjasi dhe Hysnije Hoxhallari. Kjo e fundit ishte bashkëshortja e të ndjerit Olsi Hoxhallari. Ndërsa kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me të pandehurin, Kasëm Pirjasi. Tashmë dosja në ngarkim të dy të pandehurve, po shqyrtohet në Gjykatën për Krime të Rënda për akuzën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim. E moshuara Selkie Hoxhallari, është gjetur në banesë me një shenjë prerje në fyt, kurse djali i saj një të çarë në kokë. Hetimi ka zbuluar se krimi u raportua në polici nga vetë e pandehura Hysnie Hoxhallari e cila pasi ka dhënë dëshminë në policinë e Vlorës është kthyer në banesë duke dhënë dhe një intervistë në media, ku ka folur për ngjarjen e rëndë duke treguar se nuk dinte se kush mund ta bënte një gjë të tillë, dhe se gjithçka mund të kishte ndodhur për grabitje, pasi burri i saj Olsi Hoxhallari sapo ishte kthyer nga Greqia, ku punonte si emigrant sezonal.

Seanca

Shqyrtimi i çështjes është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve. Organi i akuzës, seancën e djeshme kishte kërkuar që të pyeteshin gjashtë dëshmitarë, por vetëm 2 prej tyre ishin paraqitur në ambientet e gjykatës. Ata janë Afërdita Hoxhallari dhe Zambak Hoxhallari. Ky i fundit është vëllai dhe djali i viktimës. Nga të pandehurit, i pranishëm ishte vetëm i pandehuri Pirjasi, ndërsa e pandehura kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në gjyqin që zhvillohet ndaj saj. Ndërkohë, e para që u ul për të dëshmuar para Gjykatës, ishte dëshmitarja Afërdita Hoxhallari, ish-gruaja e Zambak Hoxhallarit. Ajo tregoi se prej vitesh ishte e ndarë nga bashkëshorti, dhe nuk kishte dijeni rreth ngjarjes pasi me viktimat nuk kishte komunikime prej vitesh. Më tej, djali i viktimës, Zambak Hoxhallari hodhi akuza për vrasje ndaj dy të pandehurve. Sipas tij, Hysnija dhe Kasëmi janë personat që vranë nënën dhe vëllanë e tij, për të hequr gjurmët nga vjedhja e parave në banesë dhe atësia e fëmijës së Hysnijes.

Dëshmia e Zambak Hoxhallarit:

Ku jetoni?

Unë jetoj në Vlorë, në lagjen “24 Maji”. Në janar të vitit 2018, unë kam qenë në burg për ca letra që nuk e kam bërë unë. U akuzova për vjedhje dhe u dënova me 3 vjet burg. Në datën 10 mars 2016 unë u futa në burg dhe kam dalë në qershor të vitit 2018. U futa në burg, sepse u vodhën lekët atje, te shtëpia e vëllait. U vodhën 50 milionë lekë.

More lekë ti atje?

Jo, unë nuk kam marrë asgjë.

Ke dyshime ti se kush i mori ato para?

Po ja, i mori ajo, Hysnija. E takova unë atë kur isha në burg dhe më thoshte se nuk e dinte kush i vrau vëllanë dhe nënën time. I dogjën tha. Dhe unë i thashë që autorët do të kapen, sepse do të hetohet. Po ku ka shtet këtu tha, nuk zbulojnë asgjë. Pastaj uli kokën duke qarë 10 minuta. Lotë krokodili ishin ato.

Po vëllai ju ka takuar ndonjëherë kur ishit në burg?

Vëllai, Olsi erdhi nëntor. Ai më tha që Hysnija i kishte vjedhur lekët.

Kishin debate Olsi dhe Hysnija më parë?

Po kishin, sepse plaku im rahmet pastë, kërkonte që të bëhej ADN-ja e fëmijës së tyre sepse kishte dyshime. Hysnija lëvizte shumë, shkonte në fshatin Strumë të Fierit.

Po të pandehurin tjetër, Kasëmin, e njihni?

Kasëmi ka ardhur 2-3 herë në shtëpi, për Vitin e Ri. Vinte sepse prindërit e këtij dhe Hysnijes janë xhaxhallarë. Ka ardhur edhe në plazh.

Po kur dole nga burgu, çfarë të thanë për ngjarjen?

Aty në lagje më thoshin e bëre burgun kot. Lagjja më thoshte se ata i vranë edhe për lekët edhe për fëmijën, që mos të zbuloheshin.

A kishin debate në familje?

Ata kishin debate. Unë shkoja për të parë pleqtë e mi.

Po vëllai, erdhi të takonte në burg pasi u arrestove për vjedhjen e parave?

Lekët u morën tek shtëpia e Olsit, sapo i kishin tërhequr nga banka ata. Vëllai iku në Greqi. Hysnija më vinte për të më takuar në burg. Unë tani nuk e shikoj dot me sy.

Keni dyshime se kush mund t’i ketë vrarë?

Autorët janë këta të dy. Kam bërë unë 3 vjet burg për këta.

Dëshmia

Nusja: Vajzat panë një djalë të gjatë te porta, iku kur doli Olsi

Afërdita Hoxhallari, nuk dha detaje mbi vdekjen e ish-vjehrrës së saj, Selkie Hoxhallari dhe ish-kunatit Olsi Hoxhallari. Ajo tha se prej vitesh nuk kishte komunikime me familjen e ish-burrit dhe se jetonte vetëm me vajzat. “Vetëm 2 vajzat e vogla shkonin për të takuar gjyshen e tyre. Një pasdite, rreth orës 6, tek porta e shtëpisë kishin parë një person të gjatë që rrinte aty. Kur doli Olsi, ai kishte ikur me makinë”, është shprehur ajo para gjykatës.

Dëshmia:

Ku jetoni?

Jetoj në Vlorë, në lagjen “24 Maji”.

Në vitin 2018, më kë jetonit në shtëpi?

Me fëmijët. Unë jam e ndarë nga burri. Jetojmë në një shtëpi, por hyrjet i kemi ndarë.

Olsi Hoxhallarin dhe Selkie Hoxhallarin, i njihni?

I njoh, ishte kunati dhe vjehrra ime.

Çfarë ka ndodhur me ta?

Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Di që kanë humbur jetën. Po bëjnë 2 vjet, në janar.

Ku vdiqën?

Mora vesh se vdiqën nga bombola. Atë ditë isha në shtëpi. Në orën 4:00 të mëngjesit dëgjova zhurma. Dëgjova kunatën, Hysnijen. Ajo ishte në oborr dhe bërtiste: “Më vodhën lekët, e shkreta unë, ç’më gjeti mua”. Unë nuk dola fare, sepse nuk flisja fare me ata. Në orën 8:00 dola që ika në punë.

Pe gjë se çfarë kishte ndodhur kur dole?

Kur dola nuk pashë fare se nuk flisnim fare, që kur na ndau plaku. Aty nuk takova njeri fare.

More vesh që ata kishin vdekur?

Po e mora vesh. Kur u ktheva nga puna, gratë e lagjes flisnin që i kanë vrarë. Pastaj fëmijët në shtëpi më thanë që ishin djegur nga bombola.

Çfarë marrëdhënie kishit me ta?

Nuk flisja as mirëmëngjesi, as mirëmbrëma. Hysnijen nuk e njihja, tani ja mësova dhe emrin.

Po Olsin, e njihje?

Po, ishte kunati. Rrinte në Greqi, nuk e di se çfarë bënte.

Po Kasëmin e njihje?

Jo, nuk e njoh. Tani e kam parë nga televizori.

Atë natë, nuk keni parë asgjë nga shtëpia Olsit?

Vajzat më thanë se kur ishin duke shkuar te vjehrra, kishin parë te porta një njeri të gjatë që rrinte aty. I kishin thirrur Olsit dhe ai kishte ikur, me makinë. U thirra vajzave të mbyllnin portën dhe të hynin brenda.

Sakaq, kujtojmë se dëshmisë së Hysnies, nuk i ka besuar shumë prokuroria e Vlorës, e cila në atë periudhë ka vënë në përgjim disa anëtarë të familjes, ku ka rezultuar se Hysnia fliste me motrën e saj Dashurie Ziu dhe bashkëshortin e kësaj të fundit, për fshehjen e disa kartave telefonike, që për to ishin prova që mund të sillnin zbulimin e ngjarjes. Kaq ka mjaftuar që vëmendja e prokurorëve dhe policëve të shtohet mbi nusen e shtëpisë që çuditërisht s’kishte patur të njëjtin fat si vjehrra dhe burri i saj që u vranë dhe u dogjën, por u kishte shpëtuar agresorëve. Mbi bazën e këtyre dyshimeve, policia dhe prokuroria e Vlorës kanë studiuar me vëmendje të gjitha tabulatet telefonike të numrit të telefonit që përdorte Hysnia, ku ka rezultuar se ajo ka biseduar gjatë dhe shpesh me një person nga Fieri që quhej Kasem Pirjasi. Pikërisht me këtë person ajo kishte krijuar një lidhje intime jashtëmartesore. Përgjimet dhe ndjekja në teren e çiftit të dashuruar solli zbulimin e autorëve të këtij krimi të rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet