Djegia e mandateve dhe precedenti

Rudi Erebara

Djegia e mandateve deri tani po shihet si precedent që do të sjellë pasoja negative. Edhe nuk ka asgjë të gabuar në këtë këndvështrim. Çdo gjë e re që bie ndesh me praktikën tradicionale në çdo fushë, e sidomos në politikë, ku luhet me fate njerëzish e pushtetesh, mendohet se do të sjellë pasoja negative. Kjo vjen për shkak të njësisë krahasuese. Atëherë, pasoja e parë negative që përmendet rëndom është përsëritja e precedentit. Çdo opozitë, mund të djegë mandatet edhe të kërkojë zgjedhje të reja. Ja të rrimë dy rreshta këtu. Çfarë do të thotë opozitë si përmasë? Do të thotë 10 deputetë, 20, apo gjysma e parlamentit? Opozitë do të thotë një maxhorancë në parlament që nuk i ka 50+1%, në rastin më të përsosur. Opozitë do të thotë gjithashtu një maxhorancë më e vogël, si fjala vjen 40% e parlamentit. Në rast se kemi një ndarje të tillë, sot, është kulmi që ka njerëz që edhe e diskutojnë këtë të aksion ekstrem të opozitës. Këtu, politikisht po diskutohet se opozita njëlloj si maxhoranca e sotme përpara do vjetësh, kërkon zgjedhje të lira.

Kurse në fakt, opozita ka dalë nga parlamenti, sepse qeveria po sundon parlamentin, jo vetëm përsa i takon opozitës, për fatkeqësinë më të madhe: qeveria po sundon maxhorancën në parlament. Qeveria urdhëroi parlamentin të aprovojë dy herë ligj special, të kthyer dy herë nga Presidenti i Republikës, edhe maxhoranca e zbatoi urdhrin. Shkelje e hapur e një tufë ligjesh. Opozita e quajti vjedhje të tokës publike. Tha se do ta mbrojë Teatrin Kombëtar me dinamitin që do t’u fuste kullave të maxhorancës. Opozita ka katër vjet që denoncon trafikun shtetëror të drogës, kanabizimin e ekonomisë kombëtare, edhe së fundmi, policitë ndërkombëtare i hetojnë dy ministrat e brendshëm për trafik droge. Opozita ka bërë luftën në parlament, ku ka denoncuar sipas saj, korrupsionin edhe krimin e organizuar, tani nuk ka se ku shkon më, sepse Republika e Shqipërisë nuk ka gjykatë kushtetuese, gjykatë të lartë, prokurori, edhe ka policinë të lidhur me krimin. Djegia e mandateve ishte e vetmja gjë që mund të bënte opozita të shkëputej nga inkriminimi. Nëse maxhoranca nuk ka fuqi të ndahet nga krimi, në të cilin e zhytur qeveria, opozita veç të jetë e marrë të fundoset bashkë me maxhorancën.

Edhe unë e shoh me fitim të madh këtë djegien e mandateve. Ky veprim e ka çuar shifrën e blerjes së votave e të posteve në qeveri e parlament në dilema. Dilema e parë është se një kriminel do bëjë llogari tani sa mund të rrijë në parlament kur e ka blerë vendin. Ky precedent i thotë çdo krimineli se mund ta humbë vendin e blerë për një muaj, në rast se opozita ngre vërtet një kauz të drejtë, të mbështetur siç është ndërkohë nga qindra mijëra njerëz në rrugë. Pra, djegia e mandateve, ka djegur sigurinë që kishte korrupsioni për vende në qeverisje apo parlament, duke blerë partitë politike.  Por, përfitimin më të madh në këtë aksion, unë e shoh pikërisht te djegia e urave të komunikimit. Nuk mund të ketë aksion politik të varur nga lidhja me të shkuarën. Duhet një ligj i ri elektoral. Politika është e detyruar ta bëjë. Edhe do ta bëjë në dy fronte, jo më në një si më 2008, apo radhë të tjera. E fundit. Djegia e mandateve dhe zgjedhjet moniste. A do të shkojë Rama bashkë me të vetët në zgjedhje pa opozitën? Ndoshta shkon. Por nëse shkon Rama, do të thotë se shkon edhe maxhoranca. Edhe në rast se nuk ia njohin zgjedhjet Ramës, nuk njeh askush edhe maxhorancën. A mund të qeverisë Rama dhe maxhoranca pas zgjedhjeve të tilla? E dyshoj seriozisht.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet