Ditmir, këndoje një këngë!

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Arben Rrozhani

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tregoi talentin e tij prej këngëtari, mbrëmjen e të martës, kur ia mori këngës në sallën ku darkonin shtetarët e lartë serbë dhe turq. Shefi i diplomacisë serbe u bë këngëtar për pak minuta, në një darkë të shtruar për nder të vizitës së presidentit turk në Serbi. Daçiq, në një moment gjatë darkës, u ngrit në këmbë dhe rroku mikrofonin, për të kënduar këngën “Osman Aga”, shumë popullore edhe në Shqipëri. Performanca e Daçiçit përballë çiftit Erdogan dhe presidentit Vuçiç që mezi mbante të qeshurën, u bënë virale online.

Daçici nuk e ka për herë të parë këtë punën e këngëve, sepse edhe Edi Ramës i këndoi këngën italiane “O sole mio”, por ministri i jashtëm bëri gjithçka, sipas axhendës qeveritare serbe që presidenti turk të ndjehej në Beograd si në shtëpinë e tij. Çifti Erdogan e duartrokiti këndimin e ministrit të jashtëm serb dhe atmosfera në sallë ishte më shumë se miqësore. Serbia është një nga vendet që ka pak investime turke, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas një analize të Dr. Erhan Turbedar, deri në fund të vitit 2016, vlera e kapitalit turk në Serbi ka qenë rreth 113 milionë dollarë, shumë ulët krahasuar me vendet fqinje.

Ministria e Ekonomisë e Republikës së Turqisë deklaronte se shuma kumulative e investimeve direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit në vitin 2007 ishte 3,5 miliardë dollarë. Kurse, deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit arriti rreth 10 miliardë dollarë. Kjo tregon se gjatë dekadës së fundit Turqia i ka forcuar marrëdhëniet e saj ekonomike me vendet e Ballkanit në aspektin e investimeve. Firmat turke prodhojnë një gamë të gjerë produktesh në vendet e Ballkanit, duke filluar që nga prodhimi i letrës dhe kartonit, e deri tek biskotat dhe pajisjet elektro-shtëpiake.

Gjithashtu firmat turke ofrojnë në vendet e Ballkanit shërbime në shumë sektorë, duke filluar nga komunikimi e deri në sistemin bankar e transmetimet televizive. Rumania dhe Bullgaria ishin vendet e para të rajonit, ku firmat turke shkuan jashtë vendit për të investuar. Në Rumani, në vitin 2016, vlera e përgjithshme e kapitalit turk ishte rreth 4 miliardë dollarë, ose 39% e totalit të investimeve të drejtpërdrejta turke në vendet e Ballkanit. Vendet e tjera të Ballkanit që kanë arritur të thithin më shumë investime turke janë Bullgaria me 2,2 miliardë dollarë dhe Shqipëria me 2 miliardë dollarë.

Në Maqedoni, Kroaci dhe Kosovë, vlera e përgjithshme e investimeve të drejtpërdrejta turke nga 235 milionë dollarë në vitin 2011, u rrit në 1,3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2016. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Turqisë, deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e kapitalit turk në Maqedoni vlerësohet të jetë 500 milionë dollarë, në Kroaci 430 milionë dollarë dhe në Kosovë 341 milionë dollarë. Në Malin e Zi, investimet turke ishin vetëm 39 milionë dollarë, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë ishin investuar 197 milionë dollarë, deri në vitin 2016. Turqia ka premtuar se do ta shtyjë ekspansionin ekonomik, veçanërisht në Serbi.

Erdogani premtoi se do t’i çonte në 5 miliardë dollarë investimet turke në Serbi dhe ato janë investime që hapin vende pune dhe shtojnë eksportet serbe në rajon dhe më gjerë. Shqipëria, në dukje, është një vend që ka marrë shumë investime turke, me rreth 2 miliardë dollarë. Por investimet e tyre përfaqësohen nga sistemi bankar, telefonia dhe energjia. Këto investime nuk shtojnë gjë në punësimin e shqiptarëve, nuk prodhojnë gjë dhe nuk e lënë kapitalin brenda vendit. Të ardhurat e shumta nga banka, apo telefonia, shkojnë në Turqi.

Ndryshe në Serbi, ku Vuçiç deklaroi se falë investimeve turke ishin hapur 8 mijë vende të reja pune dhe më shumë priten të hapen, falë investime turke në infrastrukturë, industri të lehtë dhe përpunuese dhe fusha të tjera. Logjikisht panorama duhej të ishte ndryshe. Shqipëria, vendi që vuajti më shumë gjatë 5 shekujve të pushtimit osman, nuk ka ditur se si të tërheqë investimet turke, në favorin e vet. Qeveritë nuk lanë gjë pa bërë për t’i bërë udhëheqësit turq që të mos mërziten, duke fshehur apo hequr bustin e Skënderbeut nga kryeministria, apo duke pranuar ribërjen e historisë ku osmanët nuk dalin si pushtues, por si miq të shqiptarëve etj.

Një xhami e madhe që po mbaron së ndërtuari pranë Parlamentit shqiptar është investimi më i madh turk në Shqipëri, vitet e fundit. Edi Rama, që shkon me dhe pa rast në zyrën e Erdoganit në Turqi, ende nuk ka arritur të sjellë një investim prodhues në Shqipëri. Një muaj përpara se të merrte mandatin e parë qeverisës, në gusht 2013, Rama bëri vizitën e parë si kryeministër i zgjedhur, Edi Rama, te homologu i vet, Rexhep Erdogan. Për rrjetin “CNN” në turqisht Rama e cilësonte Ankaranë si një ndër partnerët më strategjikë të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit Europian.

Por për 4 vite nuk u arrit asnjë investim prodhues turk në Shqipëri. Në fund të mandatit të parë, në shkurt 2017, Rama njoftoi për një takim privat (!!!) me Presidentin e Turqisë, Erdogan, mbi projekte të rëndësishme strategjike, në infrastrukturë dhe veçanërisht infrastrukturën aeroportuale, siç janë projekti i aeroportit të Vlorës, linja ajrore shqiptare e investime të tjera strategjike.. Ai i ftoi investitorët nga Turqia që të aplikonin në programin “1 miliard dollarë” të planifikuar për investime në infrastrukturë dhe që ka shqetësuar ekonomistët se do të rritë borxhin e vendit.

Më 24 gusht 2017, në takimin e përvitshëm me trupin diplomatik, Rama i poshtëroi direkt në televizion: “Në harkun kohor të 4 viteve, të këtij mandati që po mbyllet, unë e kam shumë të vështirë të gjej në kujtesën time, rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë, sipërmarrës, përfaqësues ndërmarrjesh, apo prospektues të sjellë apo të inkurajuar nga ju, për të ardhur dhe për të parë, nëse apo si mund të bëhet biznes në Shqipëri. E kam pyetur veten dhe pyes edhe ju sot, shumë hapur: Po si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë…?”. Dhe shpalli të ashtuquajturën “diplomacia ekonomike”.

Pati shumë spekulime se harbutëria e Ramës me diplomatët shqiptarë nëpër botë kishte firmosur edhe largimin e ministrit Ditmir Bushati nga kreu i Ministrisë së Jashtme. Por ai jo vetëm që nuk u largua, por edhe u “shumua”, duke u bërë edhe ministër i Europës, pas shkrirjes së Ministrisë së Integrimit. Ministrit Ditmir tani i ka mbetur një rrugë për të vënë në jetë diplomacinë ekonomike të Ramës: T’i kërkojë këshilla homologut serb se çfarë kënge t’i këndojë Erdoganit që të vijë investimi i parë turk në Shqipëri, sigurisht jo ai që merr paratë e shqiptarëve nga banka, telefonia, apo energjia për t’i nisur me charter në Turqi, por për tu dhënë shqiptarëve punë dhe fonde buxhetit të shtetit. Ishallah!