Ditë të zeza për PS-në, Rama emëron në sallë Sekretarin e Përgjithshëm

Publikuar më 08. 10. 2017 nga Elidona Syla

Nga Isuf Kurtaj

Partia Socialiste, që prej marrjes nën sqetull nga Edi Rama është shndërruar në partinë e kryetarit, ku forumet, gara dhe anëtarët nuk kanë asnjë pikë vlere. Rasti më flagrant u demonstrua dje, në fillim të punimeve të Asamblesë së PS-së, kur Gramoz Ruçi tha se jepte dorëheqjen si sekretar i përgjithshëm dhe më pas Edi Rama emëroi në sallë, Taulant Ballën, si Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, në shkelje të plotë me statutin e partisë, nëse e ka një të tillë. Emërimi pa konkurrencë i Taulant Ballës si numri dy i PS-së bie ndesh me nenin 47 të statutit, i cili përcakton mënyra e zgjedhjes së sekretarit dhe detyrat e kompetencat e tij. “Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste zgjidhet nga kongresi zgjedhor i PS-së dhe është përgjegjës për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë”, thuhet në pikën e parë të nenit 47.

Çfarë ndodhi në Kongresin e vitit të kaluar

Statuti i miratuar në Kongresin e 19 marsit të vitit të kaluar arriti të ndërtonte një kryetar me kompetenca të forta dhe me shumë pushtete dhe një sekretar të Përgjithshëm më të dobët se ai i 2011. Ndryshimet u bënë në minutat e fundit, pak para se drafti të futej në shtypshkronjë, duke lënë të habitur shumë nga anëtarët e grupit të punës që punoi me statutin. Drafti i parë, me të cilin u njohën anëtarët e Asamblesë Kombëtare, sanksiononte rikthimin e postit të sekretarit të Përgjithshëm, të cilin PS-ja e hoqi si strukturë në kongresin e 2011, me kompetenca po aq të forta për një parti në pushtet. Kur kryetari i partisë është dhe Kryeministër, atij nuk i mbetet shumë kohë që të merret me punët e partisë dhe këtë rol të tij me pushtet dhe kompetenca do ta luante sekretari i Përgjithshëm. Drafti i parë përcaktonte zgjedhjen e tij nga Kongresi, pra nga përfaqësuesit e zgjedhur të anëtarësisë, ndërsa ai do të drejtonte dhe sekretariatin ekzekutiv të partisë që zgjidhet nga Asambleja. Sekretari i Përgjithshëm do të kishte fuqinë drejtuese të kryetarit në të gjitha rastet që ai do të mungonte. Por duket se një figurë kaq e fortë në parti nuk u pëlqye dhe një pjesë e koordinatorëve të PS-së u përpoqën që t’ia ulnin kompetencat dhe pushtetin sekretarit të Përgjithshëm në PS. Edhe pse në takimin e fundit të grupit të punës asgjë nuk ndryshoi nga drafti i parë, ditën e kongresit në draftin e ri të statutit një pjesë e personave që kishin punuar me statutin dy ditë më parë, nuk e fshehën habinë për atë që ishte sanksionuar në disa nene. Sekretari i Përgjithshëm u vendos që të zgjidhej nga Asambleja Kombëtare, njëlloj si sekretariati ekzekutiv, të cilin ai nuk e drejton më, por vetëm e koordinon. “Kandidatët për sekretar të Përgjithshëm të partisë duhet të kenë të paktën një mandat si anëtar të Asamblesë Kombëtare ose të jenë mbi 10 vjet anëtarë të partisë. Prezantimi i kandidaturës së sekretarit të Përgjithshëm duhet të ketë mbështetjen e 5% të delegatëve të Kongresit. Asnjë prej kandidatëve nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 10% të delegatëve”, thuhej në draftin e parë që iu paraqit Asamblesë Kombëtare.

Ku është statuti i PS-së?

Partia Socialiste e Shqipërisë, edhe pse ka miratuar një statut në Kongresin e vitit të kaluar, që nga ajo kohë nuk e ka bërë kurrë publik. Është krejt e paqartë nëse statuti i PS-së e miratuar vjet është i vlefshëm, pasi ai nuk figuron as në faqen zyrtare të PS-së. Ndryshe nga ato të partive të tjera në vend, statutit PS-së nuk është publikuar asnjëherë dhe është e panjohur arsye pse mbahet i fshehur. Po të shohësh, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, respektivisht në faqet e tyre zyrtare online kanë të publikuar statutin e tyre. Madje nuk mungon as varianti i printuar. Dhe pse në kongresin e fundit të partisë një vit më parë, diskutimet ishin të shumta, asgjë nuk u vendos, duke lënë në errësirë fatin e statutit. Një situatë kjo që shkon në favor dhe në një pushtet absolut të Edi Ramës në parti si kryetar i saj. E duke mos pasur rregulla për të ndjekur, ai i vendos vetë ato duke mos lënë të komentohen vendimet që merr ai. Një model  të cilin as në partitë diktatoriale nuk e gjen, pasi këto të fundit janë gati të mbrojnë statutin e tyre ndaj çdo kritike duke i shkuar deri në fund bindjeve që kanë. Por në rastin e Ramës ndryshon pasi, nuk ka asnjë shpjegim apo arsyetim se pse statuti i PS-së është ende mister. Dhe nuk dihet nëse po punohet mbi ‘të. Një gjë është e sigurtë, Rama në këtë mënyrë pretendon të kontrollojë me dorë të hekurt dhe partinë pas qeverisë. Një qëllim të cilin për momentin e ka arritur plotësisht e që s’dihet deri kur, pasi zërat kritikë brenda së majtës ende nuk e kanë lejen për të folur e as një statut ku të mbështeten në rast se ndonjëri merr guximin për ta bërë një të gjë të tillë.

Funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm

Sipas statutit të PS-së funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë. Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm “ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e statutit, vendimeve të miratuara nga kongresi dhe rregulloreve e udhëzimeve të forumeve drejtuese të partisë; I propozon Asamblesë Kombëtare për shqyrtim e miratim dokumentet për projektstatutet, projektaktet e ndryshme pjesë të Librit të Rregullave të Partisë”.

Rama ripërtërin partinë me Brahon, Leskajn dhe Gjicin

Në Asamblenë Kombëtare të PS-së Rama deklaroi se është koha të hyjmë në procesin e ripërtëritjes dhe të zgjedhjeve të të gjitha organizatave ku kemi marrë rezultat më të ulët se në 2013. “Janë 1480 organizata, 16 bashki, ku në 50 % të  njësive administrative rezultati ka qenë i ulët. Kjo  duhet analizuar që të mos përsëritet”. Ajo që u vu re ishte dhe kooptimi i emrave të rinj ku spikasin emrat e mbetur jashtë kuvendit, por dhe Spartak Braho, i cili duket se kalon zyrtarisht në radhët e PS-së. Njëra është Valentina Leksaj e cila do të vazhdojë kontributin si anëtare e kryesisë së Partisë. Kandidatët e tjerë që u përfshin në Asamble dhe që u prezantuan nga Rama janë:  Arben Konomi, Halit Palamani, Lindita Tako, Ana Dhamo, Florenc Spaho, Ana Muça, Artemisa Dralo, Leart Duro, Ardit Konomi, Safet Gjici, Ardiana Jako, Paulin Luli, Teuta Qyteza, Milena Harito, Spartak Braho dhe Ramiz Kusi.

Fino kritika Ramës, i kërkon largimin e disa krerëve të degëve

Sekretari organizativ i PS-së, Bashkim Fino, në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së zbuloi problematikën e zgjedhjeve brenda partisë dhe kërkoi dorëheqjen e 10 kryetarëve partie në qarqe brenda 10 ditëve. Fino tha se në 120 njësi administrative në raport me 383, PS ka dalë me rezultat të dobët. “Kam dhe një pretendim për kryetarët e partisë. Janë 61 kryetarë partie të zgjedhur, do zgjidhen mbas dy vitesh, nuk ka zgjedhje tani, por dua t’iu them që ne jo pa qëllim kemi luftuar, punuar si kryesi edhe si asamble që i kemi vënë kryetarët e partisë për herë të parë funksionalë, me një pagë dinjitoze, më një pagë që janë afërsisht me pagat që janë sot në administratën shtetërore, si asnjëherë tjetër. Por më duhet t’iu them se 10 kryetarë partie sot nuk janë funksionalë. Pra kanë pretenduar dhe pretendojnë se janë në pozicione të ndryshme shtetërore. Unë ju bëj thirrje atyre që brenda 10 ditëve të japin dorëheqjen, lëshojnë partinë, të bëjnë zgjedhje të reja në ato bashki. Ne kryetarët e partisë i duam 24/24 orë në zyrat e partisë, në punët e partisë, në krye të punëve të partisë me strukturat e partisë. Nuk mundesh dot të bësh një detyrë në dy karrige dhe dy zyra, të jesh dhe prefekt, apo drejtor dhe kryetari partisë së njësisë. Prandaj si sekretar organizativ, në funksion të statutit, statusti ma njeh një të drejtë të tillë, prandaj po ju them që brenda 10 ditëve këto kryetarë partie duhet të japin dorëheqjen që të na hapin dritën jeshile për të bërë zgjedhjet. Mbasi të mbarojnë organizatat dhe njësitë të bëjmë zgjedhjet dhe për kryetarin e partisë në ato njësi vendore ku ata kanë dhe një mandat tjetër funskional”, tha ai.