Dita botërore e mësuesit, Sindikata: Janë në presion për ruajtjen e vendit të punës

Intervista/ Sindikalisti Nevrus Kaptelli, thotë se mësuesit janë duke u përballur me një presion të jashtëzakonshëm në ruajtjen e vendeve të punës. Po ashtu deklaron se në 6 vitet e fundit qeveria shqiptare e ka harruar këtë profesion

Enida Vërça

5 tetori, njihet botërisht si dita e mësuesit. Nevrus Kaptelli, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit Parauniversitar në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet mbi rolin e mësuesit dhe vështirësitë me të cilët është duke u përballur ky profesioni. Kaptelli thotë se në 6 vitet e fundit ka një mungesë të theksuar vëmendje nga qeveria shqiptare, referuar këtu pagave të ulëta, buxheti i pamjaftueshëm dhe presoni i jashtëzakonshëm në ruajtjen e një vendi punë. Një tjetër pikë në të cilën ndalet kreu i Sindikatës është edhe infrastruktura nëpër shkolla. Kaptelli thotë se krahasuar me 6 vite më parë ku pothuajse çdo shkollë ishte e pajisur me internet, tashmë nuk ka më akses, e po ashtu mungojnë laboratorët dhe pajisjet e tjera që ndihmojnë në zhvillimin e orëve mësimore.

Z. Kaptelli, si paraqitet gjendja e mësueseve në Shqipëri? Cilat janë problemet me të dukshme ?

Të gjithë janë dëshmitar se në çfarë gjendje ndodhet arsimi në vend. Vit pas viti situata rëndohet. Nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, nuk mund të themi që gjendja është përmirësuar, po është bërë më keq. E gjithë kjo vjen si pasojë humbjes së vendeve të punës të shumë mësuesve, për shkak të uljes së numrit të nxënësve. Ulja e numrit të nxënësve vjen si rrjedhojë e rënies së numrit të lindjeve, emigracionit, mungesa e dëshirës së tyre për të vazhduar studimet në Shqipëri, por edhe zgjedhja e arsimit privat në vend të atij shtetëror.

Sa vëmendje i ka kushtuar qeveria arsimit me politikat që ndjek?

Ne kemi konstatuar që arsimi në Shqipëri nuk është më prioritet siç ka qenë në objektivat e qeverisë 6 vite më parë. Tani është fakt që në këtë periudhë kohore, kjo qeveri nuk ka bërë asgjë. Objektivat e saj për ta çuar në 5% buxhetin për arsimin jo vetëm që nuk u realizua, por ne shikojmë që situata krahasuar me 6 vite më parë është përkeqësuar ndjeshëm dhe buxheti është më i ulët. Në këtë buxhet tani përfshihen edhe fondet për rinin, ekipet e sportit, duke e prekur këtë shifër.

Si paraqitet situata në shkolla?

Situata në shkolla lë mjaft për të dëshiruar. Ne prisnim që të kishte investime në infrastrukturë, të pasuroheshin kabinetet, laboratorët, por këto nuk mund të arrihen kur buxheti është më i ulët nga çfarë ishte më parë. Nëse kur morën pushtetin në dorë, në shkolla kishte internet në të gjitha shkollat e vendit, tanimë nuk është më ky akses. Nëse para 6 vitesh profesioni i mësuesit u bë i kërkuar, pasi rrogat u rritën vit pas viti, tani kemi një periudhë 6-vjeçare që jo vetëm rrogat nuk janë rritur, por ajo rritje që është bërë në kohë fushatash, nuk  mbulon as indeksimin e inflacionit në pagë. Po ashtu mësuesit humbën atë që kishin marrë për më shumë se 6 vite, shpërblimin prej 10 mijë lekë të reja të konsideruar si pagë e 13. Pavarësisht përpjekjeve të sindikatave dhe protestave të vazhdueshme, paga e 13 vazhdon të jetë vetëm në kuadrin e një premtimi.

Sa të vështirë e kanë mësuesit në punësim dhe ruajtjen e vendit të punës?

Mësuesit janë të trembur në pozicionin e tyre të punës dhe në rrezik se mund të shkarkohen nga dita në ditë. Në këto momente që flasim, synimi jonë nuk është më të arrijmë të plotësojmë kushtet e punës, sepse ato varen nga buxheti, por fokusi ynë kryesor ka qenë që të ruhen vendet e punës së mësuesve për arsye të rënies së numrit të nxënësve. Ketë gjë e kemi arritur duke ulur normën mësimore javore të mësuesve, duke ulur numrin e nxënëseve nëpër klasa, sepse nuk mundet që gjithë ky kontingjent i gjerë mësuesish të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vyer të largohen nga puna. Pra ky është fokusi ynë. Kemi rënë dakord në parim kemi dhe një pikë të konkretizuar në kontratën kolektive të punës, ku ministria ka pranuar parimisht që çdo fillim viti të konsultohet me të dyja sindikatat për të parë orët mësimore të mësuesve, me qëllim ruajtjen e vendeve të punës. Pensioni

Në këtë intervistë, Kaptelli thotë se Sindikata e Pavarur në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar në të gjithë takimet ministrinë, kanë kërkuar për të gjithë kontingjentin e mësuesve që janë në 6 vitet e fundit të punës së tyre dhe më pas dalin në pension, të rishikohet norma javore mësimore, duke e ulur atë. “Profesioni i mësuesit ka pësuar rritjen më të lartë të moshës së daljes në pension. Nëse para viteve 90’ një mësues dilte në pension në moshën 55-vjeç, tani kjo është rritur me 12 vite dhe një mësuesi i takon të dali në pension 67-vjeç. Parë në këtë këndvështrim kontingjenti i mësuesve e ka të vështirë për të përballuar 20 orë mësimi. Kjo do të ishte një masë e cila do i lehtësonte disi”, thotë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet