Diçka duhet ndryshuar në raportet me Kosovën

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Gavrosh Levonja

Mungesa e flamurit të Republikës së Kosovës në takimin e ditëve të fundit të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Bruksel sigurisht nuk ishte normale. Në mungesë të informacioneve zyrtare lidhur me shkaqet e kësaj “pakujdesie” a “harrese” të organizatorëve të takimit të Brukselit, natyrisht krijohet hapëirë për hamendësime e supozime nga më të ndryshmet. Në radhë të parë, kjo të le të kuptosh se, pavarësisht nga njohja prej pothuajse gjithë vendeve të globit, shteti i Kosovës vazhdon të trajtohet pa seriozitetin e duhur nga një pjesë e faktorit ndërkombëtar.

Këtë e tregon dhe vonesa përsa i përket antarësimit të Kosovës në OKB dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare si, fjala vjen, UNESCO, Interpol etj. Veç kësaj, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend i kontrinentit europian qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin pa viza, pa bërë fjalë për disa vende antarë të BE të cilët akoma nuk e njohin atë si shtet. Lidhur me këtë, pa përmendur rolin e disa vendeve që ndodhen në krah të Serbisë, ka ndikuar dhe paaftësia e klasës politike të Kosovës ku bie në sy mungesën e zbatimit të një linje politike konseguente përsa i përket të ardhmes së vendit, gjë që pasqyrohet në qëndrimet e deklaratat herë herë kontradiktore, si dhe paaftësia për të gjetur një gjuhë të përbashkët në marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar apo dhe në bisedimet me Serbinë.

Kështu p.sh në rastin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa kryeministri, Haradinaj, me të marrë detyrën, filloi procedurat për rishikimin e marrëveshjes për demarkacionin duke konstituar një komision të ri, presidenti Thaçi dhe zevendëskryeministrat deklaronin mbështetje totale për marrëveshjen ekzistuese duke u premtuar ndërkombëtarëve dhe votimin e shpejtë të saj. Qëndrime të tilla kontradiktore dhe për çështje të tjera që lidhen me Kosovën nuk kishte si të mos krijonin dhe diskordanca me faktorin ndërkombëtar duke përfshirë dhe kontributorët më të mëdhenj në pavarësimin e Kosovës.

“Një thikë pas shpinë” e konsideroi ambasadori amerikan në Prishtinë, idenë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale hap i cili sipas tij, do të çojë në izolimin e Kosovës. Edhe përsa i përket bisedimeve me Beogradin, ndërsa pala serbe mund të thuhet se po “luan në sulm” me parashtrimin e lloj lloj kërkesave e kushteve në adresë të qeverisë së Kosovës duke filluar që me të drejtat e pakicës sërbe në Kosovë, ruajtjen dhe funksionimin normal të objekteve të kultit, krijimin e bashksive serbe në territorin e Kosovës, problemin e pronave dhe privatizimeve,deri dhe tek këmbëngulja për gjykatën speciale, gjëra për të cilat ankohet pranë faktorit ndërkombëtar duke akuzuar palën kosovare për “mosplotësim” të angazhimeve të premtuara në kuadër të këtyre bisedimeve, në kohën që pala kosovare ka luajtur në mbrojtje duke u kënaqur vetëm me përpjekjet për të hedhur poshtë pretendimet e përfaqsuesve të Beogradit.

Kjo ka bërë që politika e Prishtinës të ndodhet nën një presion të dyanshëm; nga njëra anë ai i Serbisë dhe atyre që e mbështesin dhe në anën tjetër ai i vetë miqve të Kosovës të interesuar që kjo të plotësojë detyrimet falë të cilave do të mundësohej promovimi i saj në forumet ndërkombëtare duke filluar nga antarësimi në OKB, heqja e vizave për qytetarët e saj e deri tek pranimi në BE.

Gjithashtu, me shqetësim duhet pranuar fakti se që prej vitit 2000 Serbia i ka përmirësuar dukshëm raportet me vendet kryesore të BE duke u bërë vendi më i preferuar i Ballkanit Perëndimor përsa i përket investimeve dhe progameve ekonomike të planifikuara për rajonin. Me këtë mund të shpjegohet dhe ndalimi i zotit Ramush Haradinaj nga policia e një qyteti francez në zbatim të një vendimi të gjykatës sërbe të vitit 2003 apo dhe vetë mungesa e flamurit të Kosovës në summit-in e Brukselit (sigurisht për të mos i prishur humorin Serbisë). Duke u rikthyer tek cështja e mungesës së flamurit të Kosovës në takimin e Brukselit është për t’u habitur që nuk u bë publik ndonjë reagim nga ana e qeverisë së Kosovës apo asaj të Shqipërisë.

Konkretisht nuk pati asnjë shpjegim për publikun e gjerë në të dy vendet ku të sqaroheshin arsyet e mungesës së flamurit të republikës së Kosovës gjë që do ta konsideroja akt diskriminues për një shtet tashmë të njohur nga mbi 100 vende të botës. Nuk u komunikua asgjë nëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama t’i kenë kërkuar nikoqires, Federica Mogherini, arsyet e kësaj “pakujdesie” nga ana e organizatorëve të takimit të Brukselit.

Në raste të ngjashme largimi nga takimi është mënyra më normale e reagimit. Ndoshta për Haradinajn heshtja mund të ishte e justifikueshme për shkak të pozitës së Kosovës si shtet i ri në konsolidim e sipër, për kryeministrin e Shqipërisë heshtja ishte e pafalshme. Po sikur në takimin e Brukselit të kishte munguar flamuri i Shqipërisë, si do të kishte reaguar vallë kryeministri i Shqipërisë? Gjithsesi, heshtja e dy kryeministrave shqiptarë, ishte e gabuar, pasi kushdo, pas kësaj, ka të drejtën të mendojë se Kosova qenka një shtet që nuk merret në konsideratë nga partnerët europianë, një shtet i gatshëm të pranojë çdo opsion të propozuar nga të tjerët qoftë dhe kur bie ndesh me interesat e vendit përfshi dhe sovranitetin.