Dialogu politik, kusht për zgjidhje

Prof. Shezai Rrokaj

Pas dorëzimit të mandateve të deputetëve opozita ka shtuar aksionin opozitar për ndërtimin shtyllave të shtetit të së drejtës, të një shteti funksional, themelet e të cilit janë deformuar prej grykësisë së pushteteve autokrate, duke filluar me deformimin e votës dhe gjithë pushteteve të tjera në vazhdim. Keqqeverisja ka kapluar gjithë jetën sociale të vendit dhe shfaqet me nivelin e lartë të korrupsionit ekonomik me tendera pa garë, me përqendrimin hapësirës publike në një grup oligarkësh, me koncesionet prej fondeve publike e taksat e larta, me mungesën e investimeve të huaja që kanë impakt domethënës në ekonominë e vendit. Nga ana tjetër, reforma në drejtësi në vend të sillte përmirësime në shtetin e së drejtës u deformua qysh me zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm dhe në vijim me ngritjen e strukturave me njerëz ‘besnikë’ të mazhorancës. Reforma u kthye në një ‘gjyq popullor’, duke nxjerrë jashtë sistemit edhe profesionistë të devotshëm si dhe duke intimiduar pjesën tjetër për të dhënë drejtësi të pavarur prej pushtetit politik të mazhorancës.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe në përshkallëzim edhe gjykatat e niveleve të tjera, dobësuan sigurinë juridike të votimeve të shumë ligjeve në parlament. Mazhoranca është përfshirë edhe në krijimin e një pushteti mediatik të sajin si dhe në kapjen e mediave të tjera nëpërmjet miklimeve të tyre me pasurinë publike. Shumë media janë vënë nën trysninë e pushtetit duke u bërë pjesë e propagandës së tij me regji të kontrolluar. Opozita dhe qytetarët janë vënë përballë kësaj këqqeverisje të mazhorancës, sakaq dy dosje të shërbimeve të huaja e implikojnë drejtpërdrejt atë në blerjen e votës. Përkundër këtij realiteti mazhoranca shpërfaqet me arrogancë dhe me propagandë duke bërë sikur nuk ka ndodhur gjë, sikur nuk ka korrupsion dhe narkoshtet, sikur reforma në drejtësi po jep frytet e saj dhe ‘qetësisht’ ajo po përgatitet për zgjedhjet e radhës.

Me kokfortësi ajo ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsion, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Ajo u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave të forta. Mirëpo ka një fakt tjetër të pranuar botërisht të cilit nuk ka propagandë t’i bishtnojë dhe që kërkon zgjidhje. Kjo është varfëria masive e qytetarëve dhe braktisja e vendit nga popullsia aktive prej mungesës së shpresës. Pjesa tjetër, ajo që nuk ka mundësi të ikë, megjithë presionin e shumanshëm, po proteston e drejtuar nga opozita, e cila është e vendosur të mos bëhet pjesë e zgjedhjeve farsë të qershorit dhe ka kërkuar një qeveri tranzitore, që do të garantonte jo rotacion në tavolinë, por zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke frenuar shitblerjen e votës me mekanizma të trysnisë së pushtetit dhe të parasë në bashkëpunim me grupet kriminale. Me tej, ajo synon ndërtimin e një sistemi të paprekshmërisë së shtyllave të shtetit prej ekzekutivit kryesisht. Por ky aksion i opozitës, me disa përjashtime, nuk duket ende se ka mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare, të cilat në emër të stabilitetit, përveçse edhe miklimeve të mazhorancës, po dëmtojnë demokracinë duke mbyllur sytë ndaj korrupsionit, drogës, deformimeve të reformës në drejtësi, koncesioneve me fondet publike, tenderat pa garë etj. Haptazi, shumë syresh nuk po mbajnë qëndrime të ekuilibruara ndaj palëve për të amortizuar konfliktin social dhe mënjanuar përplasjen. Mazhoranca dhe opozita janë sot shumë larg gjetjes së një zgjidhjeje dhe ndërkombëtarët duket se janë bërë palë me pushtetin, në vend të ekuilibronin autokracinë e tij dhe kapjen e pushteteve me qëndrime të balancuara në mbështetje të frontit opozitar dhe se vendi duket se po shkon turravrap drejt konfliktit civil, i cili me shumë gjasë nuk duket i largët.

Dialogu politik, një kusht i vënë nga BE-ja, sot për sot, duket se është vetëm një koncept teorik tek ne, dhe se me qëndrimet e tyre, mazhoranca kryesisht dhe ndërkombëtarët pjesërisht, po e ushqejnë konfliktin drejt përplasjes dramatike. Çdo ditë që kalon kostoja e saj do të bjerë mbi shpinën e qytetarëve dhe mbi perspektivën evropiane të vendit teksa për mazhorancën interesat e pushtetit po prevalojnë mbi ato të përgjegjësisë publike të shtetit. Çdo ditë që kalon po kuptohet më mirë se gjërat nuk mund të ndryshohen nga e njëjta mendësi që i ka krijuar dhe se ndryshimi ka nevojë për reflektim të domosdoshëm për mazhorancën, por jo më pak të nevojshëm dhe për vetë opozitën. Dialogu fillon me daljen e palëve nga bunkerët e pushtetit, nga ironitë dhe shigjetimet, nga kafet sa për t’u dukur dhe nga retorikat banale. Çdo ndryshim, ku të fituar dalin qytetarët, ku interesat e vendit vihen para çdo interesi pushteti ia vlen. Sot mundemi, nesër mund të jetë vonë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet