Dialogu Kosovë-Serbi, Matthew Palmer, vizitë në Kosovë

I dërguar Special për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Matthew Palmer do të jetë prezent në Kosovë. Një prezencë e tillë pritet që të ketë impakt tepër të rëndësishëm për ecurinë e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Ardhjen e Matthew Palmer e ka konfirmuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Megjithatë, ende nuk është caktuar data se kur Palmer do të qëndrojë në Kosovë.

“I Dërguari special Matthew Palmer planifikon të vizitojë Kosovën. Sidoqoftë, data e vizitës së tij nuk është caktuar ende”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e përfaqësuesit special të SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Matthew Palmer më 30 gusht të këtij viti, me  një vendim të sekretarit të Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, është emëruar si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar në faqen e Departamentit të Shtetit, thuhet se roli i Palmerit do të jetë që të drejtojë përpjekjet amerikane për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon si dhe në përqendrimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet Perëndimore. Pavarësisht emërimit si përfaqësues special, Palmer do të vazhdojë të shërbejë si Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit në zyrën për çështje që ndërlidhen me Evropën dhe Euroazinë, pozitë kjo të cilën e mbanë që nga viti 2018. Më herët Palmer ka qenë drejtor i Zyrës për Jugun e Evropës Qendrore. Matthew Palmer ka treguar se në agjendën e tij si pikë kryesore do të jetë dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë në një intervistë për televizionin publik të Malit të Zi (RTCG), ka shprehur optimizmin e tij se një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd mund të arrihet. Palmer si pikë kryesore në agjendën e tij do të ketë rinisjen e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, proces ky që është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërkohë kërkesë e tij është që Kosova të heq vendimin për taksë ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Një prej qëllimeve tona kryesore është që t’i japim përkrahje një qeverie në Kosovë e cila është e përkushtuar në dialog, gjë që nënkupton pezullimin e taksës dhe rikthimin në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Palmer për RTCG. Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor thotë se zgjidhja ideale për dy palët do të jetë njohja reciproke, dhe se SHBA-ja do të luajë rolin e vet prej partneri sapo dy palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve. “Idealja do të ishte njohja e ndërsjellë. Sapo të dy palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve, ne do të jemi aty si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë, një marrëveshje e qëndrueshme dhe e ndershme, e cila do ta ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ndër të tjera Matthew Palmer.

Palmer ka deklaruar se “rusët janë në fuqi në Ballkanin Perëndimor’ dhe se ShBA ka një pikëpamje krejtësisht tjetër në rajon në raport me Rusinë. “Ne e shohim Ballkanin Perëndimor si një anëtar të familjeve të vendeve perëndimore, të integruar në institucionet euroatlantike, si vende me të cilat bashkëpunohet në baza të të drejtave dhe ligjeve. Rusët tashmë na kanë treguar se e dëshirojnë një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim. Mendoj se këtë më së miri e ka dëshmuar me rastin e Malit të Zi, kur rusët ishin përkrahës të grusht shtetit në vitin 2016, i cili ka qenë një proces i panjohur në mënyrë që Mali i Zi të pengohet drejt integrimit në NATO dhe BE”, ka deklaruar ai. I pyetur nëse është e mundur që një gjë e tillë të përsëritet, Palmer ka thënë se nuk ka asnjë informacion që mund ta shtynte të besonte se diçka e tillë mund të ndodhë përsëri. “Megjithatë, unë nuk mendoj se rusët kanë mbaruar përpjekjet e tyre për të shkaktuar probleme në Mal të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe këtë gjë ne e shohim në krejt rajonin”, ka deklaruar Matthew Palmer për RTCG.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet