Dhurata Tarifa: Kimioterapia dhe rëndësia e trajtimit në kohë

Publikuar më 05. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Prof.Ass. Dhurata Tarifa, mjeke onkologe

Kimioterapia është një nga format e kurimit të kancerit të gjirit, por kjo formë ka edhe pasojat e saj. Mjekja onkologe Dhurata Tarifa shpjegon efektet anësore dhe kohëzgjatjen e kimioterapisë, si dhe jep këshillat e saj për pacientet

Në repartin e Kimioterapisë pacientja vjen pasi rasti është analizuar në stafin multidisiplinar të këtij shërbimi dhe i është vendosur diagnoza. Sa më herët të kapet sëmundja aq më herët fillon edhe kurimi. Pas ciklit të tretë të trajtimit me kimioterapi, bëhet edhe rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes me qëllim për të vendosur nëse do të vazhdohet më tej me këtë skemë mjekimi apo duhet ndryshuar.

Nga eksperienca jonë, të dhënat për ecurinë e sëmundjes së kancerit të gjirit tek gratë e diagnostikuara në faza të hershme, janë më pozitive. Për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit ka një optimizëm vitet e fundit në drejtim të mbijetesës, kjo si rezultat i dy faktorëve më të rëndësishëm që janë: së pari, diagnoza në stade më të hershme të paraqitjes së pacienteve. Së dyti, zhvillimet e trajtimeve të personalizuara.

Diagnoza më e hershme është si pasojë e dy faktorëve: rritjes së ndërgjegjësimit të grave dhe zhvillimet e imazherive që diktojnë tumoret në stade shumë të hershme. Në mbijetesën e rritur të pacienteve me kancer të gjirit, ndikon edhe zhvillimi i trajtimeve të personalizuara, të cilat përcaktohen nga të dhënat e laboratorëve morfologjikë, imunohistokimikë dhe ato molekulare, të cilat japin të dhëna prognostike mbi natyrën e tumorit dhe shkallën e agresivitetit të tij. Të gjitha këto kanë rezultuar në një ulje të vdekshmërisë me 40% krahasuar me vitet 80-90.

Çfarë është Kimioterapia?

Kimioterapia është trajtim medikamentoz sistemik i kancerit që ka për qëllim:
1- të eliminojë qelizat kanceroze që qarkullojnë me anë të gjakut
2- të reduktojë dimensionin e tumorit para interventit kirurgjikal
3- të mjekojë një kancer të avancuar
4- të qetësojë simptomat e një kanceri të caktuar. Përpara fillimit të trajtimit me kimioterapi, pacientja, sipas diagnozës që ka, merr një informacion të detajuar rreth trajtimit të cilit do t’i nënshtrohet. Theksohet këtu, se trajtimi i specializuar kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë me pacienten, pasi ai ndryshon sipas rastit. Mjeku i bën të qartë pacientes efektet anësore të mundshme të terapisë të cilat mund të evidentohen ose jo, gjatë trajtimit por pacientja duhet t’i dijë. Gjithashtu sipas rastit të pacientes, mjeku rekomandon edhe dietat që duhet të ndjekë pacientja, kryesisht pas marrjes së trajtimit. Përpara marrjes së trajtimit të çdo forme, pacienti pajiset me ekzaminimet e gjakut dhe ato imazherike (mamografi, rezonancë magnetike etj) të nevojshme sipas këshillimit të mjekut specialist.

Kohëzgjatja e Kimioterapisë

Koha e marrjes së një seance kimioterapie është e ndryshme, në varësi të skemave dhe varion nga 1 orë deri 48 orë. Ndërkohë edhe intervali i marrjes së terapisë varion nga 1 javë në 28 ditë edhe kjo në varësi të skemave të ndryshme në tumore të ndryshëm. Kohëzgjatja e këtij trajtimi mund të jetë përgjithësisht nga 4 deri në 6 muaj, periudhë gjatë të cilës kryhen nga 3-4 deri në 6-8 cikle trajtimi. Gjithsesi, trajtimi mund të ndryshojë në varësi të diagnozës, pacientit dhe llojit të mjekimit individual.

Si kryhet Kimioterapia dhe efektet anësore të saj

Kimioterapia merret me rrugë të ndryshme si: rruga orale, intramuskulare, intravenoze apo intrakavitare në hapësirat e trupit siç është ajo e barkut. Efektet anësore të saj grupohen në efekte anësore të përgjithshme dhe specifike. Ndër efektet anësore të përgjithshme, të cilat ndodhin pothuajse në të gjithë pacientet janë: të përzierat, të vjellat, rënia e flokëve, dëmtimi i palcës së kuqe të kockave etj. Ndërkohë efektet anësore janë specifike, në varësi të organeve dhe sistemeve që ato kanë topizëm të dëmtojnë. Përpara fillimit të trajtimit, pacientja informohet nga mjeku specialist kimioterapeut për efektet e mundshme të pritshme ose jo, që mund të ndodhin pas marrjes së trajtimit, në të gjitha format e aplikimit.

Këshillat për pacientet

Këshillat pacientes i rekomandohen nga mjeku specialist dhe duhet të themi se ato janë specifike në paciente të ndryshëm dhe varen nga dy faktorë shumë të rëndësishëm që janë: lloji i skemës së mjekimit e cila mund të jetë e thjeshtë e moderuar apo e vështirë si dhe performanca e pacientes gjatë dhe pas mjekimit, pra si reagon pacientja ndaj terapisë. Konkretisht mjeku e udhëzon pacienten për kujdesin në dietë që ajo duhet të ketë apo aktivitetin fizike që duhet të kryejë gjatë ditëve të pushimit, si edhe gjatë ditëve të terapisë dhe më pas. Këto këshilla janë të ndryshme në pacientë të ndryshëm. Pacientet që kanë performacë shumë të mira mund të vazhdojnë të bëjnë një jetë normale, të ushqehen dhe të kryejnë aktivitet fizik si çdo njeri tjetër.

Ndërkohë gjatë ditëve të terapisë pacientet këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje, të ushqehen me një dietë me sa më pak apo pa yndyrna shtazore, por të pasur me perime dhe frutat e stinës si dhe të kryejnë një aktivitet normal. Pacientet me një performancë jo të mirë duhet të këshillohen vazhdimisht me doktorin e tyre pasi këshillat janë shumë specifike dhe të ndikuara nga shumë faktorë, për shembull në varësi të mjekimit që marrin një pjesë e pacienteve këshillohen mos të ekspozohen ndaj të ftohtit apo diellit pasi ky i fundit mund të krijohen komplikacione në lëkurë. Pacientet që shfaqin probleme me veshkat, gjatë terapisë, këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje. Pacientet me performancë jo të mirë nuk duhet të sforcohen fizikisht si dhe të duhet të ndjekin një dietë të shëndetshme, siç u fol më sipër.

Ecuria e kontrolleve

Edhe gjatë kryerjes së kimioterapisë është e nevojshme bërja e ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Konkretisht midis dy cikleve kimioterapi bëhen ekzaminimet laboratorike pra një analizë gjaku e thjeshtë, pasi ndodh një ulje e rruazave të bardha të gjakut. Ndërkohë pasi disa ciklesh, në varësi të skemës së mjekimit të pacientes, bëhen ekzaminimet vlerësuese të sëmundjes që janë markusët tumoral dhe ekzaminimet imazherike, sipas rastit. Ndërkohë pasi përfundon gjithë protokolli i terapisë, pacientja kontrollohet gjatë vitit të parë dhe të dytë pas terapisë, çdo 3-4 muaj. Gjatë vitit të tretë dhe të katërt kontrollet bëhen çdo 6 muaj dhe pas vitit të pestë, një herë në vit. Gjatë kontrolleve pacientja duhet të bëjë analiza gjaku, eko, mamografi apo rezonancë, sipas protokollit mjekësor që i kërkon mjeku kurues.

Mbani sa më larg telefonat, çfarë duhet të dimë për valët elektromagnetike

Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet mbështet fuqishëm udhëzimet e Departamentit të Shëndetit Publik të Kalifornisë sesi të zvogëlojmë ekspozimet ndaj energjisë së radiofrekuencave, në të cilat funksionon telefonia celulare dhe pajisjet pa-tel. Në një kohë që përdorimi i telefonave celulare e sidomos atyre “smart” vazhdon të rritet në Shqipëri, sidomos tek fëmijët, Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet mbështet fuqishëm udhëzimet e Departamentit të Shëndetit Publik të Kalifornisë, i cili lëshoi së fundmi një udhëzues për individët të cilët duan të ulin ekspozimin e tyre ndaj energjisë së marrë nga radiofrekuencat e celularëve.

Edhe pse komuniteti botëror nuk ka arritur akoma në një konsensus për sa i përket rrezikut nga përdorimi i celularëve, kërkuesit sugjerojnë se përdorimi afatgjatë i tyre mund të ketë ndikim në shëndetin e njerëzve.Edhe pse shkenca po përparon, në radhët e disa profesionistëve dhe tek publiku ka disa shqetësime në lidhje me ekspozimin për një kohë të gjatë ndaj energjisë së emetuar nga celularët. Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të bindur se hapa të vegjël si mos mbajtja e telefonit në xhep dhe largimi i tij nga shtrati gjatë natës, mund të ndihmojë në uljen e ekspozimit si ndaj të rriturve por edhe ndaj fëmijëve.

Celularët emetojnë energji të radiofrekuencave kur ata dërgojnë apo marrin sinjale drejt dhe nga stacionet bazë të telefonisë celulare dhe disa shkencëtarë besojnë se kjo energji mund të ndikojë në shëndetin e njeriut. Përdorimi i celularëve në Shqipëri ka pësuar një rritje dramatike në vitet e fundit, dhe vëmendja po shkon drejt telefonave smart. Gjithashtu, mosha mesatare kur fëmijët marrin celularin e parë tani është ulur dhe shumica e të rinjve e mbajnë telefonin afër vetes shumicën e ditës dhe kur flenë. “Truri i fëmijëve zhvillohet gjatë viteve të adoleshencës dhe mund të jetë më i ndikuar nga përdorimi i celularëve’’, sipas Dr.Smith. Prindërit duhet të konsiderojnë reduktimin e kohës që fëmijët e tyre shpenzojnë në përdorimin e celularit dhe t‘i inkurajojnë apo këshillojnë ata që t’i fikin këto pajisje gjatë natës.

Mos e teproni me celularët, ja si rrezikohen fëmijët

Udhëzuesi i lëshuar nga DSHPK përfshin disa hapa praktikë si më poshtë, që mund t’i ndjekin si të rriturit ashtu dhe fëmijët, për të zvogëluar ekspozimin ndaj energjisë së radiofrekuencave të celularëve. ss
Disa rregulla praktike do t’i gjeni me poshtë:
• Mbajtjen e celularit larg trupit, në çantë apo në vende larg jush
• Reduktimin e përdorimit të celularit kur sinjali është i dobët (shikoni treguesin e sinjalit të jetë sa më i plotë)
• Reduktimin e përdorimit të celularit për transmetimin e sinjaleve audio dhe video, ose për shkarkim dhe ngarkim të skedarëve të mëdha
• Mbajtjen e celularit larg krevatit gjatë natës
• Heqjen e kufjeve kur nuk jeni duke kryer një telefonatë.
• Përdor kufjet ose përdore me zë të lartë, që të kesh sa më larg kokës telefonin
• Kur ke telefonin në përdorim, mbaje sa më larg kokës dhe trupit
• Dërgo mesazhe dhe bëj sa më pak thirrje
• Bëj thirrje kur ka sinjal të fortë.
• Mos mbaj telefonin celular në xhep dhe poshtë jastëkut.
• Aktivizo Airplane Mode në qoftë se nuk e përdor, sidomos gjatë natës.
• Mos përdor telefonin celular kur je në drejtim mjeti në lëvizje.
• Mos përdor telefonin celular për kohë të gjatë kur je brenda në makinë i parkuar.
• Mos përdor telefonin kur je shumë i lodhur dhe me dhimbje koke.
• Mos bëni gabimin të mendoni se telefoni me SAR të vogël është pa rrezatim.
• Për sigurinë tuaj, mos përdorni telefonin kur ecni në rrugë makine, në vijat e bardha.
• Fikni çdo pajisje pa tel gjatë natës, kur nuk ju nevojiten.
• Ndikoni tek të afërmit tuaj të ndjekin këto rregulla të thjeshta për zvogëlimin e ekspozimit

Efektet që mund të kenë fëmijët nga ekspozimet ndaj energjisë së valëve elektromagnetike
Fëmijët mund të jenë më të rriskuar nga ekspozimi ndaj energjisë së valëve elektromagnetike, sepse:
• Energjia e valëve elektromagnetike mund të ndikojë një zonë më të madhe të trurit tek fëmijët, se sa tek truri i një të rrituri.
• Truri dhe trupi i fëmijës rriten dhe zhvillohen gjatë viteve të adoleshencës. Gjatë kësaj periudhe, trupi mund të ndikohet më lehtë nga energjia e valëve elektromagnetike dhe efektet prej saj mund të jenë më të dëmshme dhe të zgjasin më shumë.
• Një fëmijë që përdor telefon celular do të ketë një periudhë ekspozimi më të madhe, gjatë gjithë jetës, nga energjia e valëve elektromagnetike sesa një person i cili fillon të përdorë telefonin celular në një moshë të madhe.
Nuk ka shumë studime në lidhje me efektet e energjisë VEM të telefonit celular në fëmijë apo adoleshentë, por disa studime kanë treguar se mund të ketë efekte të rikthyeshme dhe ulje të mirëqenies së përgjithshme. Këtu bëhet fjalë për studime afatshkurtra. Zbatimi i këtyre rregullave nuk do të thotë që telefonat celularë nuk janë të sigurt.