Dhuna në Kretë mbi shqipen dhe heshtja në Tiranë

Nga Abdurahim Ashiku

Kanë kaluar tashmë afro 17 vjet nga 7 marsi 2001 kur Dashmir Zaçe shkroi në dërrasën e bardhë në Selanik të Greqisë A, B, C… dhe Gjuha Shqipe në Greqi vazhdon të rritet e përhapet nga mësues vullnetarë, mësues që Dritëro Agolli i madh i letrave i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”, dhe asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e shtetit dhe në reagimin e shoqërisë civile në përkrahje të mësuesve dhe të Gjuhës shqipe në mërgatë. Shteti shqiptar, Ministria e Arsimit dhe Sporteve noton në të njëjtat ujëra të turbullta që kanë notuar Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe seria e tyre në këto vite mërgimi. Një ngjarje e rëndë në Kretë, në një kohë kur dy vendet fqinj shekullorë mundohen të gjejnë gjuhën e miqësisë dhe prosperitetit, dryni mbi derën e shkollës që gjuha shqipe të mos kalojë, një ngjarje fyese për komunitetin shqiptar në Greqi ndodhur të shtunën 3 shkurt 2018 kur ekstremistë të “Agimit të Artë” bllokuan një prej godinave ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve… më bëri që përjetimet t’i hedh në letër si një mesazh që çështja e madhe e mbijetesës së gjuhës së nënës në mërgimin grek, dhe më gjerë, të gjejë hapësirë ligjore e të hyjë në mes popujve si vaj mbi ingranazhet e orës që lëviz vetëm përpara. Dhe kjo ndodh në një kohë kur Kreta dhe Korça ende nuk i ka zbardhë e firmosur fletët e së ardhmes, midis të cilave edhe atë të gjuhës shqipe. Po përcjell një kronikë të ditës dhe një gjyq publik 8 vite të shkuara…

Një gëzim qytetar

( Përcjellë me zë e figurë nga disa stacione televizive greke)

Këto ditë në Hanja të Kretës, shkruan në facebook përfaqësuesi më i denjë i mërgatës shqiptare në Kretë, publicisti, gazetari, humanisti Luan Pacani, u zhvilluan dy aktivitete të një rëndësie të veçantë, një në qytezën Paljo Hora dhe tjetri në qytetin e Hanjasë, pikërisht në gjimnazin Elefterios Venizelios.

Mbas shumë përpjekjeve të vazhdueshme e këmbëngulëse të Komunitetit të Emigranteve Shqiptarë në Hanja, Kryesisë së këtij komuniteti me Kryetar Afrim Avdiaj u bë e mundur marrja e lejes dhe miratimi për hapjen e dy kurseve të mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë këtu. Si nga prefektura, por dhe nga drejtoria arsimore e rrethit pati që në fillim një reagim pozitiv për këtë çështje dhe ndihmuan që mësimet e gjuhës shqipe të zhvilloheshin në gjimnazin ‘Elefterios Venizelios, ditët e shtuna dhe të diela kur shkollat janë të mbyllura për programin grek. Ceremonia dhe inaugurimi i këtyre kurseve u zhvillua në një klimë të kënaqshme ku merrnin pjesë dhe zëvendës Ambasadori Florian Nova, kryetari i Federatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi Ermal Sulaj, Kryetarja e këshillit pedagogjik të mësuesve shqiptarë në Greqi, Anila Velaj Kila, (Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi A.A.) përfaqësues nga komuniteti shqiptar në Rethimno, Iraklio, Kasteli etj. por dhe përfaqësues të Prefekturës Hanja dhe Drejtorisë Arsimore, si dhe vete drejtori i gjimnazit Kosti Hatupis…

Reagimi i egër racist dhe ksenofob

Kur dukej se gjithçka shkoi në rregull dhe ëndrra e komunitetit shqiptar në Hanja po behej realitet me këtë ngjarje kaq të rëndësishme për ta dhe fëmijët e tyre, ditën e hënë në mëngjes, një pjesë jo e vogël nxënësish grekë të shoqëruar dhe nga prindërit e tyre i vunë kyçin derës së shkollës dhe nuk lejuan nxënësit e tjerë dhe personelin pedagogjik për të zhvilluar mësimin. Shkak për këtë u bë pikërisht hapja e kursit të gjuhës shqipe që do të zhvillohej në shkollën e tyre si dhe vendosja e flamurit shqiptar ngjitur me flamurin grek në oborrin e gjimnazit gjatë ceremonisë së inaugurimit. Këto reagime të ashpra vazhdojnë ende me kërkesën e vetme që kursi i gjuhës shqipe të mos zhvillohet në shkollën e tyre. Pavllos Murtzaqis, kryetari i shoqatës së prindërve dhe nxënësve të gjimnazit mbron me fanatizëm dhe shprehet me tone të ashpra që mësimi i gjuhës shqipe të mos zhvillohet këtu.  “Ne nuk do t’i dërgojmë fëmijët në shkollë derisa të anulohet ky vendim“- tha ai.

Autoritetet mbrojnë shkollën shqipe

Tjetër mendim ka Drejtori i Arsimit të rrethit Stelios Zervaqis i cili ka qenë në krah të komunitetit shqiptar në Hanja për këtë problem: “Çdo gjë është bërë konform rregullave dhe këtu s’ka asnjë shkelje. Ne kemi dhënë leje dhe për komunitetin rus e të tjerë që të mësojnë gjuhën amtare. Edhe për ata dhamë një klasë në shkollë publike, por s’pati kundërshtime të tilla si për shqiptarët. Problemi është i yni dhe jo i shqiptarëve dhe kjo nuk na nderon”- tha ai. Drejtori i gjimnazit Kosta Hatupis theksoi se “Nuk shikoj asgjë të keqe që në një ceremoni përurimi të vendoset flamuri grek dhe ai shqiptar së bashku, ky është nder, respekt por dhe detyrim sepse në ceremoni merrnin pjesë dhe përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar të akredituar në Greqi”

Gjyqi i gjuhës shqipe në Athinë

(Drejtpërdrejt nga Salla, 22 janar 2010)

Ngjarja në Kretë e disa ditëve më parë “thyerja e drynit” në një shkollë greke  që shqipja mos të ulet në bankën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe më kthyen përsëri “tetë orë në këmbë” në një nga sallat e korpusit “Evelpidhon” ku janë tubuar gjykatat dhe gjyqet e Athinës. Më kthyen me pyetjen: “Çfarë është bërë dhe si është shfrytëzuar nga ne vendimi i gjykatës që shpalli të pafajshme drejtoreshën e Shkollës së Gravës Protonotario dhe mësuesen shqiptare Karkallo, çka do të thotë hapësirë ligjore për zhvillimin e mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe në klasat e shkollave greke”? Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke futur brenda edhe vetën time si gazetar, edhe kolegët e mi gazetarë në Greqi, edhe median e shkruar dhe pamore në Shqipëri që pak (për mos me thënë aspak) i kanë mëshuar problemit të legalizimit të mësimit të Gjuhës Shqipe në Greqi e më gjerë.

Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar shoqatat, shoqëritë, lidhjet e zgjidhjet, partitë politike në emigracionin shqiptar në Greqi, sa folën dhe sa hapa bënë rrugës, tashmë ligjore, rrjedhojë e një vendimi gjykate(!) Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar shtetin dhe pushtetin në Shqipëri, Kuvendin dhe Qeverinë, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, partitë politike dhe organizatat jo qeveritare. Sa ata folën, përdorën gojën për të artikuluar mësimin legal të Gjuhës Shqipe, përdorën “kartonin e gjelbër” lart për të votuar një ligj të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe në të gjithë hapësirën emigratore ku jeton e punon një e treta e popullsisë së Shqipërisë, një detyrim ky kushtetues (neni 8 dhe 57 i Kushtetutës). Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke pas parasysh një fakt (më mirë të them ngjarje) të pazakontë, prezencën në gjyq dhe daljen si dëshmitar të Avokatit të Popullit Grek në mbrojtje të drejtoreshës së Gravës Protonotario dhe të mësueses shqiptare Karkallo, domethënë të Gjuhës Shqipe.

E ndërsa Avokati i Popullit Grek foli me forcën e mbrojtjes së ligjit Avokati i Popullit Shqiptar heshti, nuk mori as mundimin modest për ta falënderuar kolegun e tij në shtetit fqinj(!) Thasë “si është shfrytëzuar nga ne” duke nënkuptuar deklarimet në mbrojtje të drejtoreshës dhe mësueses nga opinioni përparimtar grek, personalitete greke dhe nga opinioni dhe personalitete nga bota mbarë, deklarata të cilat i gjen edhe sot në adresën elektronike ëëë.132grava.com. E ndjej veten të zhgënjyer kur midis asaj përkrahje që po të përmblidhej do të formonte një libër 1000 faqesh, nuk gjeta (me përjashtim të një individi) asnjë reagim nga shoqatat dhe tubimet shqiptare në Greqi, në Shqipëri dhe më gjerë. Një heshtje që vret (!) Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” duke pas parasysh deklarimin e Ministres së Arsimit dhe Besimeve të Greqisë Dhiamantopulo botuar në www.132 grava.com: “Unë jam shumë e kënaqur. Kjo është një çështje e rëndësishme, çështje që e kam pasur nga fillimi të qartë dhe kam shprehur mbështetjen time.

Kthimi i Stella Protonotarios, një MËSUESE me germa kapitale, është më aktuale se kurrë, kjo e lidhur edhe me debatin mbi integrimin e fëmijëve të emigrantëve në shoqërinë greke si një nga prioritetet e qeverisë. Roli i mësuesit në këtë proces është katalitik dhe shteti është tani pranë tij.”(!) Thashë “si është shfrytëzuar nga ne” në reflektim të pyetjes që i bëra në një seminar ministres Dhiamantopulo se a do të hapen në shtator (të vitit 2010) klasat në shkollat greke për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe, përgjigje që ishte PO.(!) Më tej dua të pyes: Sa është shfrytëzuar gjyqi dhe deklarimet e Ministres së Arsimit dhe Besimeve për legalizimin zyrtar të Gjuhës Shqipe në shkollat greke? A është bërë ndonjë hap, sado i vogël, nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë (sot MAS) që kjo gjë të futet në binarë të një marrëveshje të plotë midis dy ministrive e më gjerë midis dy qeverive e dy shteteve? A janë hapur klasat e shkollave greke për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe në Athinë dhe në Greqi?

Nga studimet që i kam bërë problemeve të shkollimit shqip në Greqi ndër të tjera në katër libra: “Rilindësit e kohës sonë”, dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçen një rilindës i kohës sonë” dhe një sërë shkrimesh përveç dritës që ka ardhur dhe vjen nga dëshira individuale e marrëveshjesh shoqërore, dritë e cila duhet vlerësuar në shkallë të lartë të mundësisë dhe pamundësisë, hapa konkretë, biseda e marrëveshje, nuk janë bërë. Nuk dua të bëj orakullin e të keqes por nisur nga rasti “Kreta 2018”, nga “dryni” mbi “derën” e shkollës për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe, dhe disa raste të tjerë po kaq flagrantë, shkollimi shqip i fëmijëve në Greqi është në zgrip të mbijetesës. Ai nuk është i mbështetur mbi baza ligjore, mbi baza marrëveshjesh zyrtare ministrash apo kryeministrash, mbi përgjegjësi të drejtpërdrejtë për shkollimin shqip të fëmijëve nga shteti ynë, posaçërisht nga Ministria e Arsimit, ministri e cila de jure, me ligj, nuk e njeh shkollimin shqip të fëmijëve në të gjithë hapësirën ku punojnë e jetojnë emigrantët shqiptarë, ku lindin e rriten fëmijët e tyre të detyruar të ngjishen në mengenenë e humbjes dhe mohimit të identitetit.

Atë që në Kretë i vihej “dryni” gjuhës shqipe, në ceremoni ndodhej edhe një përfaqësues i Ambasadës Shqiptare në Athinë. Tre ditë më pas erdhi edhe një ministër i qeverisë “Rama 2”. Pritej që të reagonin. Pritej që ministri të takohej për rastin me ministrin grek për arsimin dhe besimet. Nuk mund të reagonin. Nuk mund të reagojnë. Në takimet e Kretës dhe të Korçës u fol për gjuhën greke të minoritarëve në Shqipëri. Nuk u fol për gjuhën shqipe në Greqi. Nuk u fol për marrëveshje për këtë anë të madhe të jetës dhe identitetit të shqiptarëve mërgimtarë ekonomikë në Greqi. Pa ligje të përbashkëta në të dy shtetet, pa marrëveshje që gjuha shqipe të bëhet pjesë, deri si gjuhë e dytë në shkollat greke, goja e ambasadës dhe e ministrave që shkojnë e vijnë, është e mbyllur.

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet