Dhimbja e madhe emocionale, si të mos e përkthejmë në dhimbje fizike

Nga Elona Tereziu

Arjana Rreli, mjeke psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Nr.3, Tiranë, tregon llojet e këtyre çrregullimeve, çfarë i shkakton ato çfarë pasojash mund të kenë, ku në rastin e një ankese të zemrës, minimum që pacienti i faturon vetës është një takikardi e ardhur si rrjedhojë e krijimit të ankthit

Çrregullimi somatoform mund të përshkruhet si një mekanizëm shmangës apo tendencë për të ikur nga nga një konflikt psikologjik duke e zëvendësuar atë me një dhimbje fizike. Pra personi është i i vetëdijshëm që ka një dhimbje shumë të madhe emocionale por shpirti i tij “nuk e pranon” dhe e perkthen atë në dhimbje fizike.  Ankesat kryesore të këtyre pacientëve (si mekanizëm shmangës) lidhen me problemet gastrointensinale, të zemrës dhe kockave dhe zakonisht shkojnë sa tek njëri mjek tek tjetri e i nështrohen me dhjetra analizave dhe ekzaminimeve të ndryshme vetëm e vetëm për të vërtetuar që ankesat e tyre qëndrojnë. Arjana Rreli, mjeke psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor, Nr.3, Tiranë, tregon për gazetën Shëndet + llojet e këtyre çrregullimeve, çfarë i shkakton ato çfarë pasojash mund të kenë, ku në rastin e një ankese të zemrës, minimum që pacienti i faturon vetës është një takikardi e ardhur si rrjedhojë e krijimit të ankthit.

Çfarë do të kuptojmë me çrregullim somatoform?

Çrregullimi somatoform karakterizohet nga shenja të ndryshme fizike që nuk janë të justifikuara/ shpjeguara mbi bazën e ekzaminimit laboratorik. Kjo do të thotë që klinikisht pacienti mund të ketë problematika të cilat i ankon por ama nëse kërkohet në mënyrë laboratorike ose nëse  shenjat nga mjeku përpiqen të mblidhen për t’i fokusuar drejtë kritereve që përcaktojnë një diagnozë vërtetë organike, nuk jusifikohen. Pra personi ankon një konflikt të vet psikologjik që nëpërmjet përkthimit, sistemi nervor e ka kaluar në vuajtje fizike. Çrregullimi i somatizimit është vënë re që kohën e antikitetit egjiptian dhe një herë e një kohë quhej hysteria dhe në mënyrë të gabuar mendohej se godiste vetëm gratë. Në vitin 1859, Paul Briquet një mjek frances e observon dhe shikon që ka një tërësi shenjash të cilat prekin sistemin organik dhe kanë tendencën që të kronicizohen. Dhe mbas kësaj për shumë kohë kjo u quajt sindromi Briquet me emrin e këtij autori dhe më vonë mori termin çrregullim somatoform siç e njohim dhe në ditët e sotme.

Disa nga llojet e çrregullimeve somatoforme?

Janë të njohura 5 çrregullime specifike somatoforme.  Çrregullimi i Somatizimi. I pari është çrregullim i somatizimit që është i karakterizuar nga shumë  shqetësime fizike trupore që interesojnë shumë organe. Për shembull pacienti thotë me dhemb koka, më dhemb dhe stomaku por mezi marr dhe frymë, edhe këto artikulacionet sikurë nuk i kam mirë. Pra kur ankon një sistem të tërë organesh quhet çrregullim i somatizimit.

2.Çrregullimi i konversionit. Karakterizohet nga një ose dy shenja që i ngjajnë shumë problemeve neurologjike, pra janë të përqëndruara më tepër në kokë, të interesuara në sistemin neurologjik. Për shembull, ka raste që personi me konversion bën një krizë që i ngjan komplet një krize epilepsie. Por në të vërtetë, bëhet ezheja dhe tregon një aktivitetin elektrik të trurit që del normal dhe e diferencon totalisht nga një epelepsi e vërtetë.

3.Hipokondria. Hipokondria karakterizohet po prap me shenja të ankesave të shumta trupore për të cilat pacienti është i bindur që ka një sëmundje që nuk po gjendet nga mjekët  dhe shkon nga njëri mjek në në një tjetër, nga laboratori në laborator dhe i nështrohet me qindra ekzamineimeve për të bindur veten por edhe të tjerët që ka vërtet një sëmundje.

4.Çrregullimi i disformizmit trupor. Është një bindje fallco e cila e bën personin të besojë se një pjesë të trupit e ka me defekt ose për shëmbull është i bindur që është shumë i shëndoshë ndërkoh që nuk është fare i shëndoshë. Ose është i bindur që ka veshë shumë të mëdhenj dhe i nështrohet ndërhyrjeve operatore për t’i bërë veshët më të vegjël. Pra ka një çrrgullim psikologji të skemës së trupit, edhe pse në të vërtet e ka çdo gjë në parametrat e duhura.

  1. Çrregullimi i dhimbjes. Çrregullimi i dhimbjes karaktereizohet nga shenja të dhimbjes që faktikisht janë drejtë për së drejtë të lidhur me faktorë të dhimbjes psikologjike. Që do të thotë, personi në fakt ka një konflikt, ka një çështje të pazgjidhur, ka një pritshmëri shumë të lartë të një gjëje që është i bindur që nuk realizohet fare, dhe gjithë kjo dhimbje emocionale përkthehet në dhimbje fizike. Personi ankon që i dhemb, po jo shpirti, edhe pse në të vërtet atij në këtë rast i dhemb shpirti por dhimbja e shpirti është projektuar në dhimbje të tjera fizike siç mund të jetë dhimbja e një krahu që nuk justifikohet as me grafi as me analiza.

Pse ndodhin këto lloj çrregullimesh?

Shkaktarë mendohet të jenë faktorët psikosocial dhe faktorët biologjik. Ka një teori ku “akuzohen” disa sfera të trurit për këtë lloj problemesh, por sot teoria e faktorëve psikosocial analizon se shumica e pacientëve me çrregullim të somatizimit janë pasojë e ambjenteve konfliktuale brenda familjes së tyre që nuk i shmangin dot. Janë viktima të dhunës fizike, e një fëmijërie të dhunshme me pasoja psikologjike.

Cili është mekanizmi, si ndodh shpjegimi i dhimbjes?

Lufton e vetëdijshmja me të pavetëdijshmen! Personi është i vetëdijshëm që ka një dhimbje shumë të madhe emocionale por shpirti i tij “nuk e pranon” dhe e perkthen në dhimbje fizike. Pra konfliktohet e ndërgjegjshmja me të pandërgjegjshmën. E ndërgjegjshmja është që unë deri diku e di që kam një gjë shumë të dhimbshme, për mua që sa herë e mendoj më bën të ndjehem shumë keq, dhe që  unë të mos ndjehem kaq keq, hyn menjëherë e pa ndërgjegjshmja ime dhe e reflekton në dhimbje fizike. Pra është një mekanizëm shmangës, krijon një dominante tjetër fizike për të lënë në hije deri diku atë konflikt psikologjik që ka reflektuar në këtë dhimbje fizike.

Sa shpesh hasen?

Në popullsinë e përgjithshme haset 01-02% , dëërsa është deri 20 herë më e shpeshtë tek femrat krahasuar me meshkujt. Haset kryesisht rreth moshës 30 vjeç dhe duke qenëse ka tendencën që të kronicizohet, ka shumë mundësi që ta shoqërojë personin gjatë gjithë jetës. Pavarësisht ndërhyrjeve, shumë studime kanë treguar që çrregulli i somatizimit shpesh është i shoqërur edhe me të tjera probleme mendore siç është ankthi, depresioni apo çrregullimet e personaliteti.

A e njohin pacientët këtë si patologji, dinë se ku të kërkojnë zgjidhje?

Pacientët vijnë tek psikiatri më shumë të detyruar sesa kanë gjetur me veten e tyre që ky problem mund të jetë një vuajte emocionale. Them të detyruar sepse para se të vijnë tek ne, ata kanë shëtitur nga njëri mjek tek tjetri për të gjëtur ‘’persekutorin’ e tyre dhe sipas tyre “persekutori” është diçka që nuk shkon mirë në organizëm dhe kjo gjë duhet të vërtetohet me anë të analizave dhe me ekzaminimeve. Shprehja klasike kur vijnë në ambulator është ‘’unë erdha se më tha mjeku familjes të vij edhe tek ty, por unë nuk kam asnjë gjë që të dukem i çmendur”. Megjithatë, shumica vijnë sepse duan zgjidhje për problemin e vet që i ka torturuar për një kohë shumë të gjatë. Kështuqë pranojnë që zgjidhja të jetë edhe tek psikiatri, vetëm e vetëm të çlirohen nga gjithë andrralla që kanë patur gjatë një kohe jo të voglë që të merr gjithë ky ekzaminim paraprak përjashtues.

Cilat janë shqetësimet që ankojnë më tepër pacientët kur vijnë?

Dhimbjet në stomak (ulcer, gastrit, refluks) janë karakteristike të dhimbjeve somatoforme. Ndjesia përceptohet tamam sikur ti je i sëmurë me një problem të stomakut, ama ekzaminimet përjashtuese bëjnë që ne të kuptojmë që kjo është një dhimbje psikosomatike. Pjesa tjetër shkojnë tek kardiologu. Shkojnë tek kardiologu, sepse duke qenë se zemra është një organ që përcakton ekzistencën humane, kjo gjë i frikëson shumë. Çdo shqetësim psikosomatik i lidhur me zemrën i shqetëson dhe shkojnë disa herë tek i njëjti kardiolog për të vërtetuar që kjo gjë ka një shkak të lidhur direkt me zemrën. Ka edhe raste të tjera që shëtisin nga njëri kardiolog tek tjetri me idenë se njëri nga këta ka gabuar për çfarë gjeje përcepton se nuk shkon tek ai. Perceptimi është i vërtet që ka një gjë që nuk shkon me zemrën, por janë ekzaminimet që përcaktojnë që organikisht zemra nuk vuan. Tjetër vend ku shkojnë shpesh është reumatologu sepse psikosomatizimet parapëlqejnë shumë edhe artikulacionet. Shkojnë tek reumatologu, bëjnë të gjitha testet reumatologjike, por një reumatolog i mirë di ta diferencojë shumë mirë që rasti nuk ka të bëjë fare me një patologji tipike reumatologjike por është pjesë e dhimbjes psikosomatike ose të quajtur ndryshe nga ne dhe reumatologët, fibromialgji. Fibromialgjia është një psikosomatizim me bazë nervore. Këto janë tre më kryesoret dhe jo rastësisht janë këto tre. Të tre këto organe dhe sistemi kockor/artikular dhe sistemi kardiorespirator dhe sistemi gastrointensinal/ tretjes janë shumë mirë të inervuar, pra kanë shumë mbaresa nervore.

 

 

Personaliteti mund të na ndihmojë ose mund të na rrëzojë

Në fakt ekziston koncepti që ka një lidhje të fortë mes progresit dhe regresit të sëmundjes nën ndikimin psikologjik. Sa e vërtetë është kjo?

Secili nga ne ka një personalitet dhe çfarë ne kemi në themelet tona pra mbi bazën e këtij personaliteti që kemi, kemi dhe reagime të ndryshme ndaj stresorëve, ndaj këtyre faktorëve që ne na sulmojnë, qoftë faktorë psikologjik, por qoftë dhe faktorë fizikë. Kemi dëgjur shumë raste ‘’x person e mundi sëmundjen me pushtetin psikologjik që e përdori në favour të tij”. Të mos ndjehemi keq nëse nuk e bëjmë të gjithë, sepse jemi shumë të ndryshem nga njëri-tjetri. Secili nga ne do të donte t’i zgjidhte të gjitha punët kështu por jo të gjithë e arrijnë këtë. Ndërkohë ka persona të tjerë të cilët duke e përqafuar problemin shumë fort, e zmadhojnë kaq tepër sa vërtetë mund ta amplifikojnë dhe të krijojnë probleme shumë të mëdha në organizëm. Ky është personaliteti në themel i cili mund të na ndihmojë ose mund të na rrëzojë në varësi si ne reagojmë ndaj këtyre stresorëve të jashtëm.

Ndikuar nga faktorët psikologjik, a ekziston mundësia që një pacient i tillë t’i shkaktojë probleme reale vetës, në rastin konkret zemrës?

Ka shumë mundësi sepse një njëri që thotë nuk jam mirë nga zemra, minimum shkakton ankth, por ankthi reflektohet me rritje të ritmit të zemrës, kështuqë takikardinë ai ja ka bërë “ peshqesh” vetes në këtë rast vetem duke menduar që kam probleme në zemër, duke shkaktuar ankthin dhe duke reflektuar po në zemrë me këtë.

Si bëhet diagnostikimi i këtyre pacientëve?

Në momentin kur vjen pacienti dhe thotë kam bërë këto analiza, kam shkuar tek ky doktor, kam shkuar dhe tek doktori tjetër, ne kuptojmë gjithë kalvarin që ky njëri ka kaluar deri kur të vij tek ne dhe këtu diagnoza është e vulosur.

Është çrregullim somatoform sepse ky person e ka filtruar çdo lloj problemi fizik. Vijnë me dosje të tëra me ekzaminime laboratorike që i ka bërë minimum në 10 laboratorë të ndryshmë për të vërtetuar që është i sëmurë. Kështuqë ne që në 10 minutat e para e kemi vendosur diagnozën, sepese është pikërisht kjo histori e treguar nga personi që ne na drejton tek diagnoza.

Ku konsiston trajtimi?

Paraprakisht, e para njëherë, këta pacientë mesiguri kanë përdorur edhe medikamente për atë organ të cilin e kanë menduar të sëmurë. Një mjek specialist megjithëse shikon që fizikisht dhe nga analizat nuk ka asnjë problematikë te personi, jep propozimin e vet, minimum për ta mbrojtur këtë organ dhe bën një mjekim alternative më tepër. Mjeku më i mirë e dërgon për konsultë tek specialistët e mendjes. Pra njëra gjë është që ne të bindim personin të mos përdori më medikamente të cilat ai ose i ka gjetur nëpërmjet korrespondencave me shokë, me miq, etj, ose ia ka propozuar një mjek si trajtim lehtësues. Pra e para është bindja për të hequr dorë nga medikamentet që e kanë paraprirë probelmatikën. E dyta është këshillimi, personi megjithëse është shumë rezistent pasi është i bindur që ka një gjë që nuk shkon dhe nuk nis nga truri i tij por është organi që vuan, është shumë rezistent dhe kundërshton pothuajse në çdo fjali atë çka një mjek apo psikoterapist kërkon t’i shpjegojë. E treta është psikoterapia. Ne zakonisht i referojmë tek psikologët të cilët marrin gjithë kohën e vet për t’i treguar personave cilët janë mekanizmat dhe si kanë vepruar në organizmin e personit që sot vuan të tilla probleme. Dhe në fund vjen mjekimi i cili është më tepër antidepresiv pasi personit i janë krijuar probleme dhe pse ai mund t’i ketë pasur të vogla, pa dashje janë shumëzuar disa herë dhe nga vetë koha që i është dashur për të arritur tek ne. Pra edhe nëse nuk ka qenë anksioz, ai është bërë në pritje të një rezultati të analizës dhe zhgënjimi më i madh është se pse doli mirë dhe gjithmonë kalojnë nëpërmjet një gjendje anksioze që amplifikohet me kalimin e kohës dhe që në fund fare ne jemi të detyruar ta trajtojmë me mjekim përveç se me metodat që parafola. Antidepresivët jo vetëm që e kontrollojnë shumë mirë ankthin por ka antidepresivë specifik të cilët përmirësojnë shumë mirë ankesat trupore mbi bazën e këtij çrregullimi somatoform.

Këshilla?

Nëse është gjetur mjeku i sigurt, nëse janë bërë të gjitha ekzaminimet që përcaktojnë qartazi që nuk ka një patologji organike, duhet kërkuar patjetër ndihma e mjekut specialist që në këtë rast është mjeku psikiatër. Qoftë dhe e psikologut, por një specialist i shëndetit mendor duhet kontaktuar në mënyrë që secili nga këta persona të shmangi të gjithë këtë kalvarin e madh të kërkimit të gjetjes së një problemi që në të vërtët nuk është ashtu siç mendohet. Mjekët e familjes janë shuëm mirë të specializuar, kështu që kur kanë një person i cili i kërkon analiza dhe konsulta pafund, duhet t’u shkojë mendja që këtu kemi të bëjmë me një çrregullim somatoform.

Të tjera

Abissnet