Dhërmiu, një “casus belli” i ligjit

Nga Erlis Hereni

Krismat në “Havana Beach” ishin shkundja e radhës (pas tërmeteve) në këtë verë tropikale që po kalojmë, here të nxehtë si shkretëtira e herë të ftohtë si acari.
Jo se në Shqipëri nuk kanë ndodhur ngjarje edhe më të rënda, por sepse “krismat në Havana” nuk rrezikuan thjesht dhe vetëm jetën e atyre që qëlluan aty për të festuar pushimet e shumë pritura; ato lebetitën dallëndyshet guximtare nga Evropa e më gjerë, që vijnë si turistë në Shqipërinë që ndoshta e njohin përmes filmit “Taken”.

Nuk është i largët shtatori i vitit 2016, ku pas shumë takimesh e konsultash, mes shumë debatesh institucionale e politike, u miratua “Ligji për masat shtesë të sigurisë publike”. Madje, ndryshe nga sa kemi parë të ndodhë, u miratuan në kohë edhe aktet nënligjore që e bëjnë atë të zbatueshëm.

Kjo do të thotë se ky ligj dhe dispozitat e tij, të marra seriozisht nga institucionet, në radhë të parë bizneset, mund të kishte parandaluar terrorin e përjetuar nga pushuesit e Dhërmiut.

Sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe udhëzimeve në zbatim të tij, përshkruhen masat shtesë që duhet të merren që nga agjencitë e transportit të udhëtarëve apo mallrave me rrezikshmëri të lartë, tek njësitë e këmbimit valutor, baret restorantet apo lokalet e natës, e deri tek rezidencat apo pallatet; ku për subjektet që operojnë nga ora 23:00 deri në orën 06:00 përcaktohet shprehimisht detyrimi për të vënë në zbatim këto masa:
1. Përdorimi i sistemit të kamerave CCTV, me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe, që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj;
2. Instalimi i sistemeve me kamera për leximin automatik të targave në parkingjet e këtyre njësive të biznesit dhe ruajtjen e imazheve filmike në NRV/Server deri në 2 muaj;
3. Përdorimi i pajisjeve elektronike të teknologjisë së lartë për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj.);
4. Kontraktimi i shoqërive private të sigurisë fizike ku, përveç punonjësve në hyrje, duhet të ketë patjetër dhe një punonjës për çdo 40-50 konsumatorë apo për çdo 25 metra katrorë hapësirë.

Udhëzimi që detajon këto detyrime në zbatim të ligjit mban datën 10 mars 2017. Afati që kanë patur bizneset për ti përmbushur këto detyrime në emër të sigurisë së të gjithëve ka qenë 28 dhjetori 2017.

E që prej kësaj date, neni 15 i ligjit ngarkon me përgjegjësi Policinë e Shtetit për të kryer Inspektimet e periodike për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë.

Telajo e kësaj ngjarje flet qartë. Por se kujt i duhet tërhequr veshi ca më shumë, policisë apo bizneseve, këtë nuk e them dot unë. A po, një gjë di ta them me siguri, nëse do të ishte zbatuar ligji, gjasat janë që kjo ngjarje (që për fat nuk pati viktima) të mos ndodhte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet