Dështon Portali për mësuesit, nxjerr të gabuara përgjigjet e sakta

Nga Lindita Bushgjokaj

Mësuesit denoncojnë sistemin digjital të provimit “Mësues për Shqipërinë”. Në vend që të shmangte korrupsionin dhe të garantonte transparencë, ai skualifikoi mësuesit e përgatitur

Reagimet e mësuesve dhe shembulli me pyetjen për shkolla e parë shqipe në Korçë është hapur në vitin 1887, ndërsa sistemi e nxirrte si përgjigje të saktë vitin 1881,  me të cilën u humbën 25 pikë

Portali “Mësues për Shqipërinë” vazhdon të tregojë paaftësi në vlerësimin e mësuesve. Ministrja e Arsimit para disa ditësh ka deklaruar se portali kësaj here do jetë digjital, një formë më e sofistikuar për vlerësimin në kohë reale të mësuesve, ku falë punës së specialistëve shmanget korrupsioni. “Më shumë siguri, më shumë transparencë dhe aspak ndërhyrje në emërimet e mësuesve. Meritokracia dhe cilësia udhëheqin arsimin shqiptar. Kemi mundësuar falë punës së specialistëve, një situatë ku korrupsioni e ka të pamundur për të ndërhyrë si në procesin e vlerësimit të testimeve dhe sigurisht edhe më pas kur mësuesit i drejtohen shkollave të Shqipërisë”, ka deklaruar Nikolla. Ndërsa mësuesit kanë treguar për “Shekulli”-n, se kanë kaluar një përvojë negative me sistemin e ri të vlerësimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, i cili kontrollohet nga njerëz të paaftë, thanë ata. Me datë 4 prill mësuesit që dhanë provimin e historisë nuk e prisnin që të kishte padrejtësi edhe nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, të cilët verifikuan se sistemi kishte gabuar shumë përgjigje të cilat i kanë dhënë të sakta. Ata thanë se nuk besojnë të portali, i cili është dështim i plotë i Ministrisë së Arsimit.

Xhina Koçiaj: Kam dëgjuar që ka padrejtësi në çdo provim, por asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja që do ndodhte te Agjencia Kombëtare e provimeve. I bie që edhe te provimi i licencës do ketë ndodhur e njëjta gjë, “gabimet e sistemit”, por jam shumë e sigurtë që jo. Më vjen shumë keq për ne, mendoj që edhe kështu nuk duhet të qëndrojmë, pasi më duket që edhe degë të tjera kanë pasur probleme. Provimit “digjital” i thënçin, pasi sistemi kontrollohet nga njerëz të paaftë. Padrejtësia qëndron në pyetjet që na kishin vendosur në test, të cilat edhe pse ju përgjigjëm saktë, sistemi na i nxori gabim përgjigjet tona. Shkolla e parë shqipe në Korçë është hapur në vitin 1887, kurse sistemi e nxori 1881, ndërsa një pyetje tjetër kërkonte që të gjenim se në cilin kongres u mor vendimi për t’i ndaluar rikthimin në atdhe mbretit Zog, ku si alternative zgjodha “Kongresi i Përmetit”. Ky është versioni i saktë dhe sistemi kompjuterik ma nxori të gabuar, jo vetëm mua por të gjithë grupit. Nuk arritëm dot të shihnim pyetjet e tjera, pasi jam e sigurte që kishte akoma më shumë gabime. Thjesht na urdhëruan të dilnim dhe të bënim ankesë te zyra e AKP-së, Mësues për degën e Historisë. Testin e morëm, por me shumë pikë të humbura padrejtësisht.

Muskaj Troka Marsela: Pyetjet që ishin për “Kongresin  e Përmetit” dhe shkollën e parë shqipe, e cila është hapur në vitin 1887 sistemi i ka quajtur gabim. Kushedi sa pyetje të tjera i ka nxjerrë gabim dhe ne nuk jemi në dijeni. Është turp dhe tallje me ne.

Eni Koçiaj: Këtë problem e kemi pasur edhe ne te gjuhë-letërsia, që u futem të parët në portal. Unë isha në grupin e parë që u futëm në provim dhe shumë pyetje që i kam mësuar në libra ndryshe, sistemi mi nxori gabim përgjigjet. Kemi bërë ankesë për hallin tonë, por nuk na dëgjon njeri.

Joni Marku: Sistemi nxori gabim shkollën e parë shqipe, marrëveshjen e miqësisë midis Italisë dhe Shqipërisë, “Kongresin e Përmetit”, nuk më kujtohen të tjerat, por janë minus 25 pikë kot.

Elvi Xhuraj: Në këtë vend kurrë nuk do gjejmë të drejtën tonë edhe sikur ta ngremë zërin, ndërsa po kontrolloja përgjigjet i thashë instruktores që në disa pyetje nuk janë përgjigjet e mija dhe ajo me një buzëqeshje të shtirur më tha: “Kompjuteri ka nxjerrë çfarë ke vendosur ti dhe alternativat nuk janë në rend, siç ishin pyetjet”. Të gjithë që dhanë provimin nuk e vunë re ose heshtën, ndërsa ne morëm rezultatin dhe ikëm sepse në fund do të thonë; “ti je gabim”.

Marjana Nikaj: Kishte pyetje të ndërtuara gabim si nga ana gjuhësore, lidhjet brenda fjalive dhe ana shkencore. Te sistemi kompjuterit kam vënë re, se kisha fituar pikë maksimale te vlerësimi me tre pikë, ndërsa te pyetjet e thjeshta më ndryshe. Ne gjithnjë do të tentojmë, por të ndryshosh një shoqëri dhe sistem të tërë është tejet e vështirë. Fatkeqësi që jam pjesë e këtij sistemi.

Tonin Cejku: Shumica e pyetjeve nuk kanë pasur formulim të saktë, por jemi munduar që t’i lidhim fjalët vetë për t’ju dhënë logjikë pyetjeve.

Brunilda Berdhashi: Ankimimin e bëjmë, por nuk besoj se gjejmë zgjidhje.

Klaudia Zenelaj: Ata që kishin mësuar i vunë re gabimet, por nuk kishim më shumë kohë që të vërtetonim të gjitha, pasi vetëm pesë prej tyre arrita të kuptoj që kishin gabime shkencore.

Rosalba Toroveci: Portali ishte thjesht një dështim i Ministrisë së Arsimit. Të gjithë patën probleme, po tallen me lodhjen dhe stresin e mësuesve.

Të tjera

Abissnet