Dështon ballafaqimi i Beqjas me noteren Aida Spahiu dhe truprojën Tarja

Publikuar më 06. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Seanca e sotme gjyqësore në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe shokëve të tij, është shtyrë për javën e ardhshme. Shkak për këtë mësohet se është bërë mungesa e prokurorëve të çështjes.
Nisur nga kjo, avokatët e Shullazit kanë kërkuar pushimin e çështjes. “Prokurorët nuk janë seriozë në përfaqësimin e çështjes. Emiljano Shullazi po mbahet në burg në mënyrë të pajustifikuar”, thanë avokatët.
Seancën e sotme do të behej ballafaqimi i noteres Aida Spahiu dhe truproja Romeo Tarja me dëshmitarin e mbrojtur, Ylvi Beqjën për shkak se gjatë dëshmive të tyre ata pohuan se ai nuk ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi. Por, dëshmitari i drejtësisë thotë të kundërtën. Sipas tij, ai kishte firmosur para noteres Spahiu kontratën për ish-Vollgën pasi i ishte drejtuar pistoleta.
Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të rithërrasë Jani Zakën, i cili pasi i tregoi drejtësisë se ishte kërcënuar nga Shullazi u largua jashtë Shqipërisë.