Dështimet dhe manipulimet e sistemeve zgjedhore

Kastriot Çipi

Historia e zgjedhjeve në Shqipëri është edhe historia e dështimeve të sistemeve zgjedhore. Në të nëntë palë zgjedhjet parlamentare të zhvilluara qysh prej vitit 1991, përtej problemeve të tjera shumë të rëndësishme, të frikësimit apo blerjes së zgjedhësve, vjedhjes së votave, frikësimit apo blerjes së komisionerëve, pengesës për të bërë fushatë, anshmërisë së mediave, etj pra të gjitha ato parametra që përcaktojnë, nëse zgjedhjet kanë qenë apo jo “të lira dhe të ndershme”, ne kemi pasur vazhdimisht sisteme zgjedhore jo të ndershme. Edhe nëse do të zgjidhen të gjitha problemet, për të cilat dy partitë e mëdha akuzojnë njëra-tjetrën, zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme, për sa kohë sistemi zgjedhor nuk është i ndershëm. E pikërisht për këtë vjedhje të ligjëruar të votës, që kryhet rregullisht përmes sistemit zgjedhor, nuk flasin as dy partitë e mëdha, as ndërkombëtarët. Në shkrimin me titull “Sistemi zgjedhor ose vjedhja e ligjëruar e votës” (Panorama Online 4 shkurt 2019) argumentohet manipulimi i votës në zgjedhjet e viteve 2009, 2013 dhe 2017, përmes hartës zgjedhore dhe metodës së llogaritjeve të mandateve. Në këtë shkrim do të fokusohemi tek maxhoritari me dy raunde i vitit 1991 dhe sistemi i përzier, me disa variacione, i viteve 1996, 1997, 2001 e 2005.

1991: Maxhoritari me dy raunde, 250 zona.

PPSH fitoi gati 58% të votave, por ato u përkthyen në 170 mandate, ose 68%. Ky 10%-sh ose 25 mandate me të cilat sistemi shpërbleu partinë fituese, doli nga dënimi i partisë së dytë, PD, e cila fitoi 40% të votave, por mori vetëm 75 mandate, ose 30%. Në këto zgjedhje u verifikua edhe problemi tjetër, tipik i sistemit maxhoritar: favorizimi i partive lokaliste, në dëm të atyre me ndikim kombëtar: Omonia fitoi 5 mandate me 0.68% të votave, ndërsa PR me 1.38% të votave, 0 mandate.

1992: I përzier, maxhoritar me 100 zona + 40 mandate me proporcional kombëtar (raporti maxhoritar: proporcional 2.5)

Dy partitë e mëdha ranë dakord të ndryshojnë sistemin zgjedhor, por sërish u kujdesën të mbronin interesat e tyre, duke i caktuar proporcionalit kombëtar vetëm 40 mandate, në vend të 100 që do të duheshin për të arritur një rezultat të ndershëm. Për të njëjtën arsye, u vendos barriera 4% për përfitimin e mandateve nga proporcionali. Si pasojë, të dyja partitë e mëdha fituan më shumë mandate nga sa u takonin: PD 62.1% të votave dhe 65.7% të mandateve, ndërsa PS 25.7% të votave dhe 27.1% të mandateve. Një favorizim të lehtë pati nga sistemi edhe PSD që fitoi 4.4% të votave dhe 5% të mandateve, ndërsa humbësit e mëdhenj ishin PR me 3.1% të votave dhe vetëm 0.71% të mandateve dhe PBDNJ me 2.9% të votave dhe 1.43% të mandateve. Megjithatë, ky sistem rezultoi më i ndershëm se maxhoritari i vitit 1991 dhe do të rezultonte më i ndershmi deri më sot, sepse partia fituese mori vetëm 3,6% më shumë mandate, në raport me votën popullore, ndërsa dy partitë e mëdha së bashku vetëm 5%.

1996: I përzier, maxhoritar me 115 zona + 25 mandate me proporcional kombëtar (raporti maxhoritar:proporcional 4.6)

Në vitin 1996, pa konsensusin e PS, PD në pushtet e uli kuotën e proporcionalit, në favor të maxhoritarit, duke e theksuar padrejtësinë e sistemit dhe rezultati ishte i qartë: Me 55% të votave PD mori 87% të mandateve, ndërsa PS me 20% të votave mori vetëm 7% të mandateve. Edhe partitë e tjera të vogla u diskriminuan sërish. PR me 5.7% të votave mori 2.1% të mandateve dhe PBK me 5% të votave mori 1.4% të mandateve. Vini re se rritja e raportit maxhoritar: proporcional nga 2.5 në 4.6 dha efekt pro fituesit nga 3.6% që ishte në 1992, në 22% në 1996! Afërmendsh, partia e dytë u penalizua me 13%.

1997: I përzier, maxhoritar me 115 zona + 40 mandate me proporcional kombëtar (raporti maxhoritar: proporcional 2.875)

Duke ulur disi raportin maxhoritar:proporcional, por pa iu kthyer nivelit të vitit 1992, rezultati ishte më i drejtë se në vitin 1996, por më i padrejtë se në vitin 1992. Shifrat janë PS 52.8 dhe 65.2%, PD 25.1 dhe 16.1%. Përveç PD që ishte parti e dytë, si zakonisht sistemi penalizoi edhe partitë e tjera, që fituan në total 22% të votave, por morën më pak se 19% të mandateve.

2001: I përzier, maxhoritar me 100 zona + 40 mandate me proporcional kombëtar (raporti maxhoritar: proporcional 2.5)

Rikthimi tek varianti i 1992-shit, u sanksionua në Kushtetutën e 1998-s, së bashku me marzhin 2.5% për partitë dhe 4% për koalicionet. Por zgjedhjet që pasuan nuk ishin më të mira se ato të vitit 1992 dhe hynë në histori si “Dushku”, për shkak të manipulimit të pjesshëm të sistemit, në një zonë zgjedhore të Lushnjës, ku u votimi u krye një javë më vonë. PS u bëri thirrje votuesve të vet të votonin në proporcional për partitë aleate me të. Si pasojë, PS fitoi 52% të mandateve me 41% të votave, ndërsa PD 23% të mandateve me 40% të votave.

2005: Megadushku

Këtë herë, skema e përdorur nga koalicioni i PS në një zonë të vetme zgjedhore, u aplikua nga të dy koalicionet, në të 100 zonat zgjedhore. Të dy palët u bënë thirrje zgjedhësve të tyre, të votonin kandidatin e partisë së madhe në maxhoritar dhe njërën prej partive të tjera të koalicionit në proporcional. Si pasojë, humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve ishin LSI me 8.4% të votave, por vetëm 5 nga 12 mandate që i takonin dhe LZHK me 3.51% të votave, por 0 mandate, nga 5 që i takonin.

Si përfundim, mund të themi se si maxhoritari me dy raunde, si proporcionali rajonal, kanë dështuar në prodhimin e rezultatit të ndershëm: përputhjes sa më të madhe të përqindjes së votës popullore me përqindjen e mandateve të fituara. Ndërsa sistemi miks ka prodhuar rezultate më të drejta në vitin 1992, kur si përfitimi invidual për dy partitë e para, si përfitimi i të dyjave së bashku ka qenë më i ulët. Kjo lidhet drejtpërdrejt me raportin maxhoritar: proporcional, që ka qenë 2.5:1 dhe me lojën relativisht të ndershme të dy partive të mëdha. Por sistemi miks dështoi shumë rëndë në zgjedhjet e “Megadushkut” të vitit 2005.

Sistemi miks mund të përmirësohet duke ndryshuar raportin maxhoritar proporcional në 1:1 (psh 70 zona maxhoritare plus 70 mandate me proporcional). Por si mund të shpëtohet, më saktë, të imunizohet, ai nga manipulimet e tipit “Dushk” apo “Megadushk”? Zgjidhja është e thjeshtë.

Së pari, duke eliminuar fletën e votimit për partitë dhe duke e llogaritur rezultatin kombëtar për efekt të proporcionalit, për secilën parti, si shumatore të votave të marra nga kandidatët e asaj partie në maxhoritar. Kështu, partitë e vogla nuk kanë interes t’u bëjnë thirrje zgjedhësve të tyre të votojnë kandidatin e partisë së madhe në maxhoritar dhe partitë e mëdha nuk mund t’u bëjnë thirrje zgjedhësve të tyre të votojnë partitë e vogla aleate në proporcional.

Së dyti, duke mos pranuar listat e mbyllura të partive për proporcionalin dhe duke ua dhënë mandatet e proporcionalit kandidatëve që kanë fituar më shumë vota nga secila parti. Kështu çdo kandidat lufton për vete, së pari dhe duke luftuar për vete ka luftuar edhe për partinë, në vend që të bëjë pazare me kandidatin kundërshtar në maxhoritar, në shkëmbim të favorit nga partia e madhe në proporcional.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet