Dëshmia/ Ekzekutimi i Arben Bilalit, zbardhet çfarë tha Arben Xhabafti në polici

Ngjarja ndodhi mesditën e 30 janarit të këtij viti. Në dosjen e Gjykatës, zbardhen dëshmitë e pjesëtarëve të fisit Xhabafti, me të cilët Arben Bilali ishte në hasmëri. Po ashtu, shpjegohen arsyet e lirimit të Gjergji Cukalit

Xhentila Gjoshi

Zbardhen dëshmitë e personave që kanë qenë në shoqërinë e të ndjerit Arben Bilali, ish-policit të ekzekutuar 9 muaj më parë, po ashtu edhe pjesëtarëve të familjes Xhabafti. Me këta të fundit, ish-polici i vrarë dhe familja e tij, prej vitesh ndodhet në hasmëri për shkak të disa vrasjeve të ndodhura mes familjeve, por që ende nuk kanë marrë fund. Edhe pse dyshimet për ekzekutimin mafioz në derë të shtëpisë të Arben Bilalit lidhen me Xhabaftët, policia nuk ka mundur të gjejë një provë që mund t’i implikojë ata në këtë ngjarje. Ditën kur ndodhi krimi, njëri prej tyre ndodhej në Vorë. Në dëshminë e tij dhënë në polici pasi u vra Bilali, Arben Xhabafti është shprehur se nuk e njihte viktimën dhe se nuk kishte gisht në këtë ngjarje. Në vendimin e plotë të Gjykatës së Apelit të Tiranës që e disponon të plotë gazeta “Shekulli”, Xhabafti tregon me detaje se çfarë ka bërë ditën e vrasjes së Bilalit.

Dëshmia e plotë

I është marrë deklarim shtetasit Albert Xhabafti, i cili shpjegon se: Ditën e ngjarjes, rreth orës 10:00, Alberti është zgjuar dhe ka hipur në makinën “Toyota”, tipi “Land Cruiser”, ngjyrë kafe e hapur, me targë AA 045 JG dhe ka shkuar tek Bashkia Vorë, për t’u paraqitur për shërbimin e provës, pasi ai është i dënuar me punë në interes publik, në ndërmarrjen e Gjelbërimit në Bashkinë Vorë. Pasi ka mbaruar procedurën në Bashkinë Vorë, ka dalë dhe ka shkuar në një bar kafe “Bar Teo”, i cili ndodhet ngjitur me godinën e Bashkisë Vorë. Aty ka pirë kafe me disa shok të tij, konkretisht me shtetasit Ermal Dedei, Jul Dajçi, Azem Vllasi, Ben Bobi (punonjës policie), më pas i ka ardhur djali i hallës Ani Dajti me një shok të tij Amarildo, mbiemrin nuk ia di dhe ka ndenjur afërsisht rreth 2 orë. Më pas janë ngritur siç ishin dhe kanë shkuar për të ngrënë drekë së bashku me shokët e tij në qendër të Vorës, tek restorant “Xhibaks”. Tek restoranti, Alberti nuk ka shkuar me automjetin që përdor, por ka shkuar me automjetin që ka ardhur djali i hallës Ani Dajti, mesa i kujtohet duhet të jetë BMV, tipi X5, ngjyrë e hapur. Aty Alberti, ka ndenjur deri në momentin që ka ardhur policia rreth orës 15:30, ku iu kanë bërë kontroll të gjithëve. Më pas i kanë thënë se ku e kishte makinën dhe Alberti i ka treguar makinën dhe së bashku me policët i ka treguar makinën e lartpërmendur ku kanë bërë kontrollin e pas kontrollit të makinës e kanë dërguar në banesën e tij ku kanë ushtruar kontroll edhe në banesë. Alberti nuk ka asnjë makinë në pronësi, por aktualisht përdor makinën e vëllait tij, Artan Aliaj, pra Toyotën me targë AA045JG. Alberti vetëm me këtë mjet lëviz dhe nuk lëviz me mjete të tjera. Albertit në vitin 2014 i kanë vrarë vëllain e tij, Baki Xhabafti dhe deri aktualisht për këtë ngjarje nuk kanë asnjë njoftim se kush e ka bërë. Pra ky është problemi i tyre si familje. Alberti, shtetasin Arben Bilali, e ka parë një herë në jetën e tij në vitin 1992 ose 1993, pasi këtë person ato e kanë patur banor të lagjes kur kanë banuar në Selitë Tiranë. Pas kësaj kohe, Alberti nuk e ka parë më këtë person, pasi në vitin 1996, ato kanë lëvizur me banim në qytetin e Vorës dhe nga ajo kohë e deri më sot, Alberti ka qenë pothuajse të gjithë kohën jashtë Shqipërisë si emigrant kryesisht në Itali nga viti 1996-2001. Nga 2001 deri aktualisht banon si emigrant në Angli. Në Shqipëri gjatë kësaj kohe ai ka ardhur me periudha të shkurtra. Alberti sqaron se diku nga viti 2011, shtetasit Arben Bilali, i kanë vrarë vëllain, për këtë janë thirrur në polici, babai i tij dhe dy vëllezërit e tij, dhe një shok i tij Altin Meshau. Këtë fakt, Alberti e ka mësuar nga familjarët e tij, të cilët i kanë thënë se ishin pyetur për këtë problem, pasi ai vetë ka qenë në Angli. Gjithashtu Alberti shpjegon se arsyeja që ai gjendet në Shqipëri është pasi ai ka patur fletë thirrje që më datë 23.01.2019, duhet të paraqitej pranë shërbimit të provës, pasi ai është dënuar me punë në interes publik, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ekzekutimi

Mesditën e datës 30 janar 2019, Arben Bilali kishte qenë në shoqërinë e mikut të tij, shtetasit A. Ç. Ky i fundit ka shpjeguar se si 50-vjeçari u vra sapo zbriti nga makina e tij, tip “Golf 4”. Në pamjet e fokusuara nga një kamera sigurie në vendin e ngjarjes, pas automjetit tip “Golf 4”, ku 50-vjeçari ishte si pasagjer, është një makinë tjetër tip “Mercedes Benz CLS”. Në një moment, shoku i Bilalit ka ndaluar makinën vetëm për pak sekonda. Në këtë kohë, Arben Bilali ka zbritur dhe shfaqet duke kaluar mes dy makinave. Sipas pamjeve, viktima duket kur kalon para mjetit të atentatorëve, madje edhe shikon drejt tyre. Por sapo kalon rrugën dhe i afrohet trotuarit, makina e shokut të tij vijon rrugën drejt, ndërsa atentatorët i afrohen Bilalit dhe hapin zjarr drejt tij. Nga pamjet nuk duken autorët, madje as arma e krimit, pasi ata janë kujdesur që të mos ndalojnë dhe as të mos nxjerrin kokën jashtë. Mësohet se në drejtim të 50-vjeçarit ka qëlluar njëri nga autorët, i cili nuk ka zbritur nga makina. Ai ka qenë i ulur në sediljen e pasme pas shoferit dhe pa nxjerrë kokën në dritare, ka ulur xhamin duke qëlluar.

Gjergj Cukali

Pak javë më vonë, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e ish-policit Arben Bilalit, dhe kishte arrestuar si autor të dyshuar një nga personat më të njohur në Tiranë, në botën e krimit. Ai ishte Gjergji Cukali, i njohur ndryshe si “i forti” i Myslym Shyrit. Por, qëndrimi i tij në qeli nuk qe i gjatë. Me një vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, Cukali lë qelinë si i papërfshirë në këtë ngjarje. “Bazuar në të gjitha deklarimet e dëshmitarëve të pyetur nga organi procedues dhe të cituara nga gjykata në vendimin objekt ankimi provohet fakti që, midis viktimës dhe personit nën hetim nuk ekziston asnjë njohje apo konflikt i mëparshëm, aq më tepër ndërmjet familjarëve respektive, prandaj, mungesa e ekzistencës së motivit zyrtar të krimit dhe dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova është evidentimi më i qartë i burgosjes së padrejtë dhe të paligjshme të kërkuesit, pa zbardhur një nga elementët më të rëndësishëm të karakteristikës kriminalistike të veprës penale, motivin e krimit”, thuhet në vendimin e gjykatës. Ndërkohë, “nga tërësia e hetimeve paraprake të kësaj ngjarje, mendohet se një nga pistat e hetimit të jetë që shtetasi Arben Bilali mund të jetë vrarë nga personat e fisit “XHABAFTI” në Tiranë, për gjakmarrje, pasi që në vitin 1992 ka patur disa vrasje mes fiseve Ymeri dhe Xhabafti dhe mendohet se fisi Bilali ka mbështetur fisin Ymeri kundër fisit Xhabafti në zhvillimin e këtyre ngjarjeve. Gjithashtu në vitet 1998 dhe 2010 shtetasit Arben Bilali i kanë vrarë përkatësisht edhe dy vëllezërit e tij, Bujar dhe Leonard Bilali”, thuhet më tej në vendim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet